Mandatin e dytë bëhet realitet boshti i jugut më shumë rrugë, nxitje të prodhimit vendas”
Turin “Shqipëria po ndryshon”, Kryeministri Sali Berisha e vijoi dje në zonën lindore dhe jug-lindore të vendit.
Gjatë një takimi elektoral me qytetarë të Kolonjës, kryeministri Berisha u shpreh se programi i Partisë Demokratike, është për ndërtimin e Shqipërisë Evropiane. “Në 4 vitet që vijnë do të investojmë 10 herë më shumë në rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkollat tuaja”, tha kryeministri. Duke theksuar se sapo ka përfunduar projekti për rindërtimin e rrugës Kolonjë –Leskovik, Berisha garantoi se e tërë rruga do të rindërtohet dhe njëherazi do të fillojnë punimet për unazën e qytetit të Kolonjës. “Të gjitha komunat e Kolonjës kudo që ndodhen, do të lidhen me qytetin me rrugë të asfaltuara. Të gjitha fshatrat e këtij rrethi do të lidhen me qendrën e komunës me rrugë të asfaltuara. Të gjitha shtëpitë e këtij rrethi dhe të mbarë Shqipërisë, do t’u garantohet uji 24 orë, gjatë mandatit të ardhshëm. Mandatin tonë të dytë ne duam të përgatisim Shqipërinë dhe Kolonjën për anëtarësim të plotë në BE. Projekti ynë është ambicioz, por është real”, u shpreh kreu i qeverisë.
Berisha shtoi se 4 vitet që vijnë, pagat dhe pensionet do të rriten deri sa të parakalojnë rrogat dhe pensionet e 6 vendeve anëtare të BE.
Në Leskovik
Pas takimit me banorë të Kolonjës, kryeministri Sali Berisha, vijoi takimet në Leskovik, ku i shoqëruar nga kryebashkiaku Fatmir Guda, inauguroi rrugën Leskovik-Tre urat, investim me vlerë 800 milion lekë. Në infrastrukturën rrugore, tha kryeministri, kam ardhur t’u garantoj se aksi rrugor, Kolonjë-Leskovik do të rindërtohet i tëri, me parametra evropiane, se aksi rrugor Leskovik- Përmet, do të rindërtohet i pari, në parametra evropianë. Sapo inauguruam këtu rrugën e Leskovik- Tre urat, të standardeve më të mira evropiane me vlere 800 milion lekë. “Në 4 vitet që vijnë, ju do të keni një nga infrastrukturat rrugore më të mira në Shqipëri dhe në rajon”, tha kryeministri. Berisha u shpreh se qeveria zotohet para fermerëve të Leskovikut në respekt të traditës së tyre të shkëlqyer, për të subvencionuar çdo rrënjë vreshti apo hardhie që ata do të kultivojnë. “Për ju nuk ka kuota, nuk ka kufizim, mbillni sa të doni, ne do tu subvencionojmë”, tha kryeministri, duke premtuar se qeveria do të financojë edhe përpunimin e rrushit, ndonëse duhen bërë projekte për ndërtimin e fabrikave të verës
Në Përmet
Projekti i Evropian e Partisë Demokratike është Shqipëria e ndërtuar tërësisht, me infrastrukturë moderne, me vende të reja pune, me paga dhe pensione të standardeve të BE, lëvizja e lirë dhe anëtarësimi i Shqipërisë brenda vitit 2013 në Bashkimin Evropian. Ky është premtimi solemn e kryeministri Sali Berisha, për qeverisjen e ardhshme të Shqipërisë. Në kuadër të turit elektoral kryeministri Sali Berisha u ndal dje në një takim me banorë të qytetit të Përmetit, nga ku premtoi se mandatin e dytë qeveria demokratike do të rrisë investimet si dhe do të vijojë të thellojë reformat. “Unë jam sot këtu tek ju për t’ju ftuar juve dhe për t’i bërë thirrje të gjithë përmetarëve, që të vazhdojmë së bashku këtë ndryshim, të vazhdojmë së bashku përpjekjen tonë për Përmetin evropian, për Shqipërinë evropiane. Projekti i qeverisë time për Përmetin evropian është ky që vijon. Së pari, infrastrukturë moderne për rrethin tuaj në të gjitha drejtimet nga Tre Urat, në Çarshovë e tek Ura e Leklit. Ju garantoj se projekti i kësaj rruge është në përfundim dhe sapo të përfundojë do të fillojë ndërtimi i saj në disa lot-e, për ta përfunduar në kohë sa më të shkurtër dhe për ta bërë atë një nga arteriet më të rëndësishme të juglindjes së vendit tonë. Së dyti, banorë të Përmetit, të Këlcyrës, të Ballabanit dhe të gjithë kësaj zone ju jap fjalën në këtë shesh se rruga Këlcyrë-Berat, pavarësisht nga ndërtimi Boshtit të Jugut do të asfaltohet e tëra. Një vit më parë, unë kam pritur një përfaqësi të qeveritarëve tuaj dhe në atë takim u thash se boshti i jugut ka përparësi. Por tani, ne jemi në gjende ti bëjmë të dyja, të bëjmë Boshtin e Jugut, por njëkohësisht të asfaltojmë dhe rrugën Këlcyrë - Berat. Ndërtimi i saj ka filluar nga Berati dhe po bëjmë projektin për të filluar edhe nga Këlcyra. Përmeti evropian është Përmeti një kantier i vërtetë ndërtimi”, u shpreh kryeministri. Berisha shtoi se qeveria ka përfunduar të gjitha studimet dhe së shpejti do të nxjerrë në treg kaskadën e Vjosës për tetë hidrocentrale, ndër më të rëndësishmit për Shqipërinë. Kryeministri u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Përmetit, socialistëve të Përmetit, një thirrje miqësore, që të bashkohen me Partinë Demokratike.
Në Tepelenë
Në përfundim të takimeve elektorale të ditës së djeshme, kryeministri Sali Berisha u ndal në qytetin e Tepelenës. Përmes një atmosfere të jashtëzakonshme Berisha përshëndeti qytetarët dhe premtoi rritje të investimeve për qytetin e Tepelenës dhe rrethinat. Berisha u shpreh se boshti i jugut do të jetë projekti numër një i qeverisë dhe se gjatë këtij mandati distanca me Tiranën do të shkurtohet së paku gjysmë për gjysmë. Sikundër, kryeministri premtoi të gjithë banorët e këtij rrethi, që të gjitha komunat e tij do të lidhen me rrugët kombëtare me rrugë të asfaltuara dhe të gjithë fshatrat e komunës do të lidhen me qendrën e saj me rrugë të asfaltuara. “Gjatë mandatit që vjen përfundon jo vetëm boshti i jugut por edhe autostrada Tepelenë –Levan. Tepelena dhe tepelenasit në projektin evropian do të kenë zhvillimin e potencialeve turistike në të gjitha zonat e saj, sikundër dua t’ju premtoj të gjitha komunave malore se përveç boshtit të jugut ne do të asfaltojmë të 70 kilometrat e rrugës Berat – Këlcyrë. Praktika e qeverisë sime është dhe do të mbetet: rrugët e reja do t’i ndërtojmë, të vjetrat do t’i braktisim. Të gjitha do t’i rindërtojmë në mënyrë që ta bëjmë këtë vend, vendin me infrastrukturën më moderne. Brenda vitit 2010 mbaron edhe rruga Kardhiq – Delvinë, në të cilën po punohet edhe më shpejtë, daljen në Sarandë do ta keni shumë më të shkurtër”, u shpreh kreu i qeverisë Berisha. Kryeministri premtoi se në mandatin që vjen, në Tepelenë do të investohen 15 herë më shumë se në mandatin e parë.
...