E Diel, 1 Nëntor 2026

Prefektura e Selanikut u bën thirrje emigrantëve të mbështesin alternativën e Berishës

Disa nga kandidatët e PD-së së qarkut së Korçës janë takuar në Selanik me emigrantë shqiptarë, të cilëve u kanë përsëritur ftesën që ata të jenë në Shqipëri, me 28 qershor, në mënyrë që të japin kontributin e tyre për Shqipërinë që po Ndryshon


Kandidati për deputetë i PD-së për Qarkun e Korçës, Ridvan Bode i bëri thirrje emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi, që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të bëhen pjesë e vendimit historik për Shqipërinë evropiane, e cila përfaqësohet nga programi i PD-së. Zyra e shtypit pranë PD-së bëri të ditur sot, se kandidatët demokratë në qarkun e Korçës, Ridvan Bode, Gjergji Papa, Ledina Alolli, Elfrida Zefi dhe Jonela Spaho kanë zhvilluar një vizitë në qytetin e Selanikut në Greqi, ku janë takuar me emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë atje. Gjatë këtij takimi, ku ka qenë i pranishëm edhe prefekti i Selanikut, Psomiadhis, të dyja palët vlerësuan bashkëpunimin e qeverisë shqiptare me qeverinë greke dhe marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve. Kandidatët e PD-së evidentuan arritjet e qeverisë shqiptare në këto katër vite dhe shpalosën platformën e PD-së për mandatin e ri katërvjeçar. "Antarësimi në NATO, aplikimi për vend anëtar në BE, ulja e taksave, rritja e investimeve ne infrastrukturë, dyfishimi i rrogave dhe pensioneve", sipas z.Bode janë arritje të qeverisë Berisha që "jo vetëm përmirësuan imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, por dhanë edhe sigurinë për mbajtjen e premtimeve gjatë 4 viteve të ardhshme". Ndërsa prefekti i Selanikut, Panajot Psomiadhis vlerësoi kontributin e Kryeministrit Berisha në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke shprehur besimin tek fitorja e PD-së në zgjedhjet e 28 qershorit. “E mbështesim kryeministrin Berisha në këto zgjedhje, sepse është një udhëheqës i madh, e nderojmë dhe e respektojmë, mbi të gjitha sepse jemi parti simotra, PD e Shqipërisë dhe Nea Demokracia. Uroj më të mirën në zgjedhjet që vijnë pas disa ditësh, ku është e sigurt fitorja e Berishës dhe Partisë Demokratike”, tha Psomiadhis

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›