E Diel, 1 Nëntor 2026

Lulzim Basha siguron financimet për ndërtimin e shpejtë të rrugës së re Tiranë-Elbasan

Ministri i Punëve të Jashtme Z. Lulzim Basha ka marrë sot premtimin e Ministrit të Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan për mbështetjen e financimit të rrugës Tiranë-Elbasan. Për Zonën Ekonomike të këtij qarku vijnë edhe premtime për bashkëpunim në energjetikë, bujqësi, porte e turizëm


Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, z. Lulzim Basha, më datë 18 qershor 2009, zhvilloi një vizitë zyrtare në vendin tonë Ministri i Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan. Gjatë kësaj vizite ministri emiratas shoqërohej nga përfaqësues të korporatave dhe agjencisë së investimit të Emirateve te Bashkuara Arabe të cilat renditen ndër investitorët e parë të huaj në botë. Gjatë takimit homologet theksuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve të bashkëpunimit që ekzistojnë midis  dy vendeve tona. Z. Basha shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptareve, duke nënvizuar faktin se Emiratet e Bashkuara Arabe ishin i pari shtet arab që njohu  Kosovën si  shtet i pavarur dhe sovran me 14 tetor 2008. Dy ministrat diskutuan mbi forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, shkëmbimin e vizitave në nivele të larta, ngritjen e komisioneve të përbashkëta të bashkëpunimit si dhe për forcimin e dimensionit ekonomik në të gjitha fushat. Gjithashtu, dy homologët u angazhuan për nënshkrimin e disa marrëveshjeve në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjes së investimeve si dhe për të krijuar të gjitha lehtësirat e nevojshme për rritjen e kontakteve të ndërsjella dhe praninë e theksuar të investitorëve emiratas në Shqipëri.


Një vend të veçantë në diskutimin mes dy ministrave zuri ndërtimi i rrugës së shkurtër Tiranë-Elbasan. Ministri Basha e informoi homologun e tij mbi këtë prioritet madhor për qeverinë shqiptare dhe duke nënvizuar përkushtimin e qeverisë shqiptare për të nisur këtë investim sa më parë, kërkoi mbështetjen financiare të Emirateve të Bashkuara për këtë projekt. Ministri i jashtëm emiratas shprehu mbështetjen e tij të plotë për të financuar rrugën Tiranë-Elbasan nëpërmjet një kredie të butë nga pala emiratase. Gjatë konferencës për shtyp ai u shpreh se: “Realizimi i këtij projekti ka domethënie të madhe. Sapo të marrim vlerësimin teknik të saj, procedurat përkatëse do të kalojnë në instancat e duhura shumë shpejt dhe besoj që deri në takimin e Komisionit të Përbashkët në Shtator do të marrim një vendim lidhur me financimin e saj. Këtë e them me bindje edhe si anëtar i bordit të Bankës Abu Dabi për Zhvillim”, tha ministri i jashtëm emiratas. Ndërtimi i kësaj rrugë është i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë por edhe për Emiratet e Bashkuara, u shpreh me tej ai,  duke ju referuar lehtësive që realizimi i këtij projekti do të krijojë për të nxitur investimet e Emirateve të Bashkuara, në veçanti ato të lidhura me Zonën Ekonomike të Elbasanit. Në këtë kuadër, ministri Basha, i dorëzoi homologut të tij edhe dosjen që Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka përgatitur për Zonën Ekonomike të Elbasanit, ish Metalurgjiku. Homologu emiratas u shpreh se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë interes të veçantë edhe për  fushat energjetike, bujqësore, portuale, turizmit, petrokimike etj. Në këtë kuadër ministri Basha theksoi potencialin e Zonës Ekonomike të Elbasanit për punësimin, prodhimin, dhe krijimin e një tregu të veçantë në rajon e më gjerë.  Ministri Basha e informoi kolegun e tij mbi lehtësirat që Shqipëria paraqet për investitorët e huaj, kuadrin jashtëzakonisht të lehtësuar fiskal, paketën Shqipëria “1 Euro”, të cilat janë të vlefshme si për bujqësinë, ashtu edhe për industrinë. Nga ana e tij ministri i jashtëm emiratas falënderoi homologun shqiptar për pritjen e ngrohtë që iu rezervua atij dhe delegacionit që e shoqëronte dhe vlerësoi arritjet e Shqipërisë në drejtim të realizimit të reformave që e afrojnë atë me BE-në, si dhe çmoi rolin dhe qëndrimin konstruktiv të Shqipërisë në rajon. Ai e siguroi homologun e tij shqiptar për mbështetjen e fortë dhe ndihmën e mëtejshme që vendi i tij do të vazhdojë t’i ofrojë Shqipërisë dhe shtimin e investimeve te Emirateve të Bashkuara Arabe në Shqipëri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›