E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Edi Rama organizoi mbi 1000 protesta dhe pas tyre humbi Bashkinë e Tiranës

28-01-2012 / Gazeta 55

Kreu i qeverisë: Kam 17% mbështetje nga të rinjtë. Rama më i ri se unë, por shumë larg të rinjve


UPDATE- Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot se derisa të jetë në politikë do të mbështetet plotësisht tek të rinjtë, pasi sipas kreut të qeverisë, ata janë një pjesë shumë e rëndësishme e vendit. Për shefin e ekzekutivit, aspekti më i rëndësishëm i reformave të qeverisë së tij, është arsimi dhe se po punohet shumë për përmirësimin e universiteteve. “Derisa të jem në politikë do të mbështetem tek të rinjtë. Kemi një rritje mesatare të edukimit të të rinjve. Në 2005 vendi im kishte shumë pak të rinj që ndiqnin universitetin, por sot kemi me qindra të rinj që ndjekin studimet e larta”- tha Berisha, gjatë fjalimit të mbajtur në Forumin Rinor Demokratik Rajonal. Duke ndarë me të rinjtë përvojat e tij politike, Berisha nuk kurseu akuzat për opozitën. “Në kohën e diktaturës, Shqipëria ishte një nga vendet më të izoluara. Kur u bëra President i vendit, standardet kanë qenë minimale, por ekipi im ka punuar për reforma të thella, kam luftuar për vlerat demokratike që kam besuar. Aspekti më i rëndësishëm i reformave është arsimi dhe po punohet shumë për përmirësimin e universiteteve, kemi bërë të mundur shtrirjen e linjave të internetit në çdo shkollë dhe tashmë në nivelin Master të universiteteve është futur edhe mbrojtja e Toefli-t. Ju jeni pjesë mjaft e rëndësishme e vendit dhe ndihmë themelore në të ardhmen në politikë. Bojkoti i opozitës ka lënë gjurmë negative në jetën politike të vendit, megjithatë sfidë e qeverisë tonë mbetet integrimi në Bashkimin Europian. Opozita pretendoi në vitin 2011-të se u manipuluan zgjedhjet, por gjykata vërtetoi të kundërtën”- tha ai. Kryeministri tha se pas 2 vitesh, lideri i opozitës Rama, pranoi ofertën e bërë prej tij, për të bashkëpunuar për reformat integruese të vendit. “Asnjë votë nuk u manipulua, kjo u vërtetua nga Gjykata Kushtetuese. Unë i ofrova Ramës të rivlerësonte votat, por zemërimi i tij çoi në protesta të dhunshme. Mbi 1000 protesta zhvilloi dhe pas tyre humbi edhe Bashkinë”- tha Berisha ndërsa shtoi se “Sot jeta parlamentare po shkon drejt normalitetit dhe ne po procedojmë me reformat. Opozita sot është në parlament, pranuan sot atë që i ofrova dy vjet më parë, po vijojmë me reformat duke shpresuar që të marrim statusin kandidat për në BE”- tha kreu i qeverisë. Berisha ironizoi dhe kryetarin e PS, Edi Rama duke u shprehur se, “ndonëse jam më i vjetër se zoti Rama gjendem më pranë të rinjve”. I pyetur nga të rinjtë se çfarë mendon ai për përcaktimin “Berisha konsiderohet si kryeministri i të gjithë shqiptarëve” edhe në Maqedoni e Kosovë, kryeministri tha: “Ajo që mund të bëjmë ne është të bashkëpunojmë, por çdo vend ka specifikat e tij, po përpiqemi të punojmë për kauzat e drejta së bashku. Besoj që bashkëpunimi rajonal është thelbësor, të kapërcejmë problemet e kombit”- theksoi më tej kryeministri Berisha.



Kryeministri Berisha iu përgjigj gjithashtu edhe interesit dhe pyetjeve që të rinjtë e Forumeve të Qendrës së Djathtë të Ballkanit  i drejtuan;


Pyetje: Çfarë duhet të bëj që të jem i suksesshëm në politikë?


Kryeministri Berisha: Duhet të jesh realist. Duhet të përpiqesh të jesh realist. Nuk duhet të heqësh dorë nga disa parime. Është e vlefshme t’i mbash ato. Pavarësisht se mund të jeni në vështirësi, jeta është e tillë, politika është e tillë, unë mendoj se mbajtja e disa parimeve bazë, sipas meje politika duhet të ketë moral.  Kjo është eksperienca,  nuk e di vlen universalisht apo jo. Por, realizmi është i pari. Duhet të jesh realist. Tani, le të shkojmë më tej. Unë jam një admirues i madh i Ronald Reagan. Reagan ishte president i Shteteve të Bashkuara, që në kohën kur kishte një lloj të ashtuquajture politikë e pafatë, që do të thoshte njëfarë legjitimiteti të të dy sistemeve. Ku njëri ishte legjitim dhe i bazuar në liri, dhe tjetri ishte jo legjitim, dhe i bazuar në shtypje. Reagan, qëndroi kundër, qëndroi për të drejtat e njeriut. Kudo që shkonte ai promovonte të drejtat e njeriut. Nëse lexoni fjalimin e tij pranë murit të Berlinit, ai thotë se çështja e lirisë së gjermanëve lindorë, është çështje e lirisë së botës. Që do të thotë pse duhet të jenë të shtypur këta njerëz? Më vonë kur u bëra president, librat e tij ishin librat e mi themelor. Ajo çfarë ai shkruan midis të tjerave është se qeveria është problemi. Kjo është e vërtetë. Nëse ju qeverisni dhe i thoni vetes: kujto se je ti problemi, duke mbajtur parasysh se ju jeni problemi, ju e rishikoni veten çdo ditë, çdo javë. Ju vendosni, kujdeseni për vendimet tuaja. Ju udhëzoni, kujdeseni për udhëzimet tuaja. Bëni reforma, kujdeseni t’i  amendoni  ato, si kanë ndihmuar. Unë i them vetës qeveria është problemi, kështu që mundohem të amendoj veten, mundohem të amendoj qeverinë time.



Pyetje: Në fjalimin tuaj theksuat se rruga për integrimin në BE është një nga detyrat më të rëndësishme të vendit tuaj. Dje ndërsa vija nga aeroporti mund të shikoja lulëzimin e fuqisë ekonomike, të paktën nga rruga e aeroportit për në Tiranë, kështu që mund ta imagjinoj nga ajo çfarë është thënë, nga shifrat që ju përmendët.  Cilat janë sipas jush sfidat kryesore në rrugën drejt afrimit me BE? Dhe cilat janë prioritetet tuaja personale në këtë rrugë?





Kryeministri Berisha: Së pari, padyshim nëse shikoni BE, rendi i sotëm ndërkombëtar i botës së lirë bazohet në të drejtat dhe liritë e njeriut, që është në interesin më të madh të qytetarëve. Procesi politik i integrimit në BE synon t’i bëj qytetarët më të lirë, të konsolidojë liritë e tyre, të siguroj një sistem më të mirë të drejtësisë për ta. Kështu sipas meje, konsolidimi i kritereve politike në procesin e integrimit është dhe duhet të jetë një prioritet i lartë. Së dyti, unë besoj se Shqipëria një vend i zhvilluar dhe Shqipëria një vend anëtar i BE duhet të jetë pothuajse njësoj. Ne jemi të angazhuar në një projekt, në të cilin ne besojmë se po e transformojmë vendin në një vend të zhvilluar. Por transformimi i këtij vendi do të thotë qe duhet të arrijmë standardet e vendeve të OECD. Është një klub i vendeve të zhvilluara në botë dhe ky është klubi i OECD. Ky klub ka arritjet e veta në edukim, në shëndetësi, në punësim, në rroga, në të ardhurat dhe të tjera. Që të arrish këto indekse duhet të shohësh se si t’i mund ta bësh. Le të kthehemi tek Shqipëria. Prioritetet e mia dhe të qeverisë sime për ta bërë vendin një vend të zhvilluar janë së pari: energjia. Një vend i energjisë së rinovueshme. Pse? Unë besoj se një vend i bazuar në energjinë e rinovueshme krijon një mjedis më të mirë dhe më të shëndetshëm për qytetarët e tij. Ne kemi potencial të jashtëzakonshëm në të. Ne jemi një Norvegji e vogël në këtë rajon. Qeveria ime në tre vjet ka nënshkruar me sektorin privat 110 kontrata për të ndërtuar rreth 300 hidrocentrale. Ende duhet t’i paraqiten tregut 140 të tjera. Shqipëria ka potencialin për të ndërtuar 443 hidrocentrale. Do të doja shumë që vendi im ta shfrytëzonte këtë potencial. Së dyti, ne jemi një vend me potencial shumë të madh gjeotermik; së treti jemi një vend me potencial të shumtë të prodhimit të energjisë diellore; së katërti kemi potenciale për zhvillimin e energjisë së erës. Padyshim jemi një vend me rezerva të mëdha nafte. Por ajo çfarë do doja të shihja është ta kthenim vendin në një superfuqi të vogël të energjisë së gjelbër.



Ne po punojmë shumë përsa i përket infrastrukturës. Të dashur miq, ky është vendi më malor në Europë. Jo sepse ka majat më të larta, por sepse ka majat më të shumta në një sipërfaqe të vogël. Ju shihni fushë këtu, por nëse ecni disa kilometra do të shihni male, male dhe vetëm male. Tani ne po dalim nga izolimi, sepse të jetosh në një ekonomi tregu dhe të mos kesh infrastrukturën e duhur je më i izoluar se kurrë. Ne kemi ndërtuar nga viti 2006 deri në vitin 2011 rreth 9000 kilometra rrugë, të rikonstruktuara  ose të ndërtuara nga e para. Po punojmë në një projekt që do t’i lejojë shqiptarët që vijnë nga çdo kënd i Shqipërisë në Tiranë, të kursejnë më shumë se 60% të kohës.



Unë besoj se koha është gjëja më e çmuar, kështu që po punojmë shumë mbi atë projekt. Po investojmë shumë. Jemi vend malor dhe të gjitha rrugët tona janë shumë të shtrenjta. Por, unë besoj se në vitin 2013 do të përfundojmë pjesën më të madhe të projektit të rrjetit rrugor.



Po punojmë që Shqipëria të kthehet në një vend të zhvilluar. Të krijojmë në këtë vend mjedisin më miqësor për investitorët. Jemi një vend i taksave të ulëta: 10% taksa e koorporatës, 15% kontributi i sigurimeve shoqërorë. Ne e japim kontratën e tokës për një euro kur shfrytëzimi i tokës është qëllime industriale, turistike ose bujqësore.



Në vitin 2010 ne ishim i vetmi vend në Rajon në të cilin investimet e huaja direkte u rritën. Përpara vitit 2005 kishim nivel shumë të ulët të investimeve të huaja direkte. 8 vitet e pushtetit socialist morën mesatarisht 30 milion dollarë ndërsa vitin e kaluar kishim mesatarisht 1 miliardë dollarë në investime të huaja direkte. Por kemi nevojë  për më shumë, për shumë më shumë.



Kemi potencial të jashtëzakonshëm turistik. Theksoj se vitin e kaluar kishim 4 milion turistë dhe vizitorë, kjo vetëm për zonat bregdetare. Por ne kemi male të mrekullueshme. Dhjetorin e kaluar shtypi anglez shkroi disa artikuj mbi të ashtuquajturat “Bjeshkët e Namuna”, disa gjeologë amerikanë gjetën akullnaja për herë të parë. Kur turistë europianë vijnë për herë të parë, atyre u pëlqen shumë.



Qeveria ime i kushton një vëmendje të madhe bujqësisë. Nëse e shikoni bujqësia është fusha ku prodhimi mund të 10-fishohet, kështu që gjenerohen të ardhura për njerëzit që jetojnë atje. Çfarë po bëjmë ne në këtë fushë. Nuk mund t’ju them se jemi shumë mbështetës ndaj fermerëve tanë, nuk mundem për shkak të mjeteve të limituara. Por ne kemi ndërmarr dy projekte të rëndësishme. Projektin e ullinjve. Filluam me projektin për të mbjell në 4 vjet 20 milionë rrënjë ullinj, kjo po ecën shumë mirë. Ne japim disa subvencione, por ju them se vetëm një të tretët po mbjellin nëpërmjet subvencioneve tona, dy të tretët e tjerë po mbjellin vet. Megjithatë zonat e ullishteve nuk mund të pranojnë më shumë se 15 milionë rrënjë ullinj. Të cilën do ta arrijmë në mandatin e dytë, nëse shqiptarët do të duan të vazhdojnë me qeverisjen time. Projekti i dytë madhor janë arrorët. Ky është një vend ideal për të gjitha llojet e arrorëve, po, është një Kaliforni e vogël nëse e sheh. Europa po importon 2 milionë tonë arra çdo vit nga SHBA, Turqia dhe vende të tjera. Me arrorët mund të bëhemi të rëndësishëm, me ullinjtë jemi modest, sepse Greqia, Italia, Spanja, Turqia janë gjigandë, ne nuk mund të bëhemi gjigandë. Por me arrorët, po. Projekti ynë është të mbjellim 250 milionë arrorë në 8 vjet. Arrorët mund të mbillen deri në 800 metra lartësi; lartësia mesatare mbi nivelin e detit e Shqipërisë është 750 metër. Kështu nëpërmjet arrorëve, ne shkojmë drejt Europës me disa fakte të rëndësishme. Nëpërmjet arrorëve ne pyllëzojmë vendin. Tani po kthehemi drejt pyllëzimit nëpërmjet drurëve frutorë. Nëpërmjet arrorëve, të jemi të sinqertë, ne mund të bëhemi një vend prodhues i rëndësishëm. Për momentin jemi fokusuar krejtësisht tek ullinjtë dhe arrorët, më vonë do të kalojmë tek drurët e tjerët frutorë. Ju fola për edukimin. Një vend i zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme është projekti  im që Shqipëria të bëhet vend anëtar i BE.



Pyetje: Jam nga Unioni Demokratik për integrim. Ju falenderoj që po flisni këtu. Është një nder për mua që ju mbështesni rininë. Si mund t’i mbështesni forumet e rinisë në rajon? Ne duam ta ndajmë këtë eksperiencë të bukur që ju keni këtu në Shqipëri. E them për një arsye, sepse ne shikojmë tek ju Kryeministrin e të gjithë shqiptarëve. Të gjithë shqiptarët e mendojnë këtë. Ju jeni për ne Kryeministri i të gjithë shqiptarëve. Ju mund të na mbështesni neve. Arsyeja pse e them këtë është se kudo që shkoni, kurdoherë që vini në Maqedoni, për mua ju jeni kryeministri.


Kryeministri Berisha: Çdo vend në Rajon ka qeverinë e vet, të zgjedhur, dhe kjo është hera e parë që të gjithë vendet kanë qeveri të zgjedhura në mënyrë demokratike. Pa dyshim që duke punuar së bashku si Forume, duke përfituar nga eksperienca e njëri tjetrit, duke ndërmarrë iniciativa të përbashkëta. Sepse çdo vend ka specifikat e veta, ne shqiptarët kemi problemet tona. Por duke promovuar kauzat e drejta së bashku, kjo është me të vërtetë shumë e rëndësishme, dhe askush nuk mund ta bëj më mirë se organizatat e rinisë. Kështu që unë besoj se bashkëpunimi rajonal është vendimtar sepse Forumet nga komunitetet shqiptare në Rajon mundet dhe duhet të punojnë së bashku në mënyrë që të përballen më të gjitha problemet, por edhe me probleme më specifike për kombet tona, kudo që jemi.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›