E Shtunë, 31 Tetor 2026

Librazhd, përkujtohen dy poetët e martirizuar Genc Leka dhe Vilson Blloshmi

28-01-2012 / Gazeta 55

“Dy jetë intelektuale të prera në mes”. Dy zërat e rinj të letërsisë shqipe u martirizuan në mënyrën më të egër nga diktatura komuniste, që pas burgimit për veprimtarinë letrare të tyre, do të pushkatoheshin nga dora gjakatare e diktaturës së proletariatit të asaj kohe

Në 35 vjetorin e ndarjes nga jeta janë përkujtuar ndryshe dy poetët e martirizuar të Bërzeshtës së rrethit të Librazhdit. Në kujtim të poetëve Genci Leka dhe Vilson Blloshmi, të cilët u pushkatuan nga diktatura komuniste për lirinë e fjalës, është organizuar të shtunën një konferencë shkencore për jetën dhe veprimtarinë e tyre. 

Rektorati i universitetit “Aleksandër Xhuvani” , në bashkëpunim me departamentin e Gjuhë-Letërsisë dhe me mbështetjen e kryebashkiakut të Librazhdit, organizuan në qendrën kulturore të qytetit konferencën shkencore “Dy jetë intelektuale të prera në mes” . Rektori i universitetit të Elbasanit, Prof. Dr. Liman Varoshi, në fjalën e tij ka vlerësuar dy zërat e rinj të letërsisë shqipe nga një krahinë me jo pak figura historike si ajo e Bërzeshtës, të cilët u martirizuan në mënyrën më të egër nga diktatura komuniste, që pas burgimit për veprimtarinë letrare të tyre, do të pushkatoheshin nga dora gjakatare e diktaturës së proletariatit të asaj kohe. Ndërsa studiuesi Sadik Bejko, në referatin e tij ka bërë një panoramë të zgjeruar të veprimtarisë patriotiko-letrare të poetëve të rinj, duke sugjeruar që krijimtaria e tyre letrare të zinte vendin e saj në nivelet e shkollave shqiptare. Për metaforën artistike dhe në tërësi për forcën e fjalës poetike me peshën e figurave të spikatura letrare ka folur edhe deputeti, njëkohësisht pedagog i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Luçiano Boçi. Ndër bashkëkohësit e poetëve, ka sjellë kujtime profesor Riza Hasa, që ka folur për vetitë e virtytet e poetëve të rinj Leka dhe Blloshmi, të spikatura që në moshën e hershme të rinisë shkollore në  Normalen e Elbasanit. Dy poetët që kanë marrë shumë çmime letrare pas vdekjes, janë nderuar me titujt “Qytetar Nderi” i Librazhdit dhe “Nderi i Republikës” nga Presidenti i Republikës. 

Vilson Blloshmi dhe Genc Leka ishin nga i njëjti fshat, nga Bërzeshta e Librazhdit, që të dy ishin poetë. Ata u pushkatuan mesnatën e 17 korrikut të vitit 1977, për të vetmin faj, se kishin lindur poetë. Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, ishin mësues dhe poetë të talentuar që aspironin për liri dhe demokraci, për një jetë më të mirë. Ndaj tyre u organizua një gjyq politik i inskenuar. Akuzat ishin të rënda për “krim, sabotim ekonomik, agjitacion dhe propagandë”. Veprat e tyre poetike iu nënshtruan analizës letrare të imponuar nga regjimi dhe konkluzioni do të ishte vrasës për letërsinë dhe letrat shqipe. Shkrimtarja Diana Çuli do t’i raportonte strukturave regjimit se veprat e dy poetëve të rinj përbënin rrezik për ideologjinë e partisë dhe se në thelb ishin një propagandë anti-komuniste. Rreth dhjetë vjet më parë në qytetin e Librazhdit u ngrit një memorial në nderim të dy figurave të spikatura të këtij rrethi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›