Rama dhe Meta vazhdojnë përplasjen
Ndërsa kryetari i LSI-së, Ilir Meta falenderoi pjesëmarrësit në protestë duke i konsideruar pjesë e politikës së LSI-së dhe duke theksuar se ata ishin dje në protestë për të kërkuar largimin e Berishës nga pushteti. “Dëshiroj të falenderoj të gjithë qytetarët, të cilët morën pjesë dje në një manifestim tepër të rëndësishëm, ku kërkuan largimin e menjëhershëm të kryeministrit Sali Berisha, si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit dhe si pengesa kryesore midis shqiptarëve dhe aspiratës të tyre, për t’u bërë qytetarë të një vendi evropian”, tha Meta. Përkundrejt Metës dhe qëndrimit të partisë së tij, kryetari i PS-së, Edi Rama ka përsëritur se PS do të jetë në parlament për të bërë rolin e opozitës, për të mbrojtur prokurorinë dhe për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në daljen e tij një ditë pas protestës, kryetari i PS-së ka lënë të kuptohet se nuk do t’i kushtojë shumë rëndësi reagimeve të LSI-së duke i konsideruar pjesë e politikës së vjetër dhe për interesa partiake, duke theksuar se opozita e PS-së do të jetë e fokusuar në Kuvend dhe në dialog me qytetarët shqiptarë.
Edi Rama
“Nuk është problemi ynë të zëvendësojmë Sali Berishën me Jozefina Berishën apo me Lufter Berishën, por ne do të ndryshojmë qeverisjen. Në parlament do të bëjmë kuadrin ligjor për të bërë ato zgjedhje të lira me ane të të cilave jo vetëm do të mundim politikën e vjetër, por edhe do të ndryshojmë qeverinë”
Ilir Meta
“Qytetarët shqiptarë dje treguan se me Berishën kryeministër nuk mund të ketë asnjë reformë, sikurse nuk ka pasur asnjë të tillë deri tani. Qytetarët shqiptarë treguan dje se nga Berisha nuk mund të pritet më shumë drejtësi dhe më shumë siguri në këtë vend.
Qytetarët shqiptarë dëshmuan se me Berishën kryeministër nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme”