E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Edi Rama zgjodhi rrugën e Partisë për të rrënuar Shqipërinë- le ta lemë të jetojë me batutat e Shalsit

08-04-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha përuron rrugën Belsh – Fierzë – Kosovë, investim me vlerë 353 milionë lekë

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm dje pasdite në përurimin e rrugës Belsh – Fierzë - Kosovë, në zonën e Dumresë, me gjatësi 18 kilometra dhe investim me vlerë 353 milionë lekë. Nga kjo rrugë, e ndërtuar sipas parametrave e bashkëkohorë, përfitojnë 25 mijë banorë në 8 qendra të banuara, qyteti Belsh, fshatrat Cepe, Hardhishte, Fierza, Cerrage, Kosovë e Madhe, Kosove e Vogël deri në fshatin Jeta e Re (Lushnje - Berat). Kjo rrugë shërben si nyje lidhëse për gjithë zonën e Dumresë, duke shkurtuar dhe lehtësuar transportin e njerëzve dhe prodhimeve bujqësore drejt zonave urbane.

Në përshëndetjen drejtuar banorëve, Kryeministri Berisha u shpreh se me ndërtimin e këtij aksi rrugor shënohet një sukses i vërtetë në urbanizimin e kësaj zone. Kryeministri i garantoi banorët se qeveria në katër vitet që vijnë, siç ka ndërtuar këtë rrugë, do të ndërtojë çdo rrugë të këtyre fshatrave, do të kompletojë të gjithë rrjetin e ujësjellësve, kanalizimeve e vaditjes. Gjithashtu, Kryeministri garantoi fermerët e Dumresë, fermerët e Gramshit, të Librazhdit e të gjithë këtij qarku, se kudo që ndodhen dhe kudo që jetojnë nuk do jenë të braktisur se qeveri do të bëj gjithçka për të lehtësuar jetën e tyre.

Përballë kësaj alternative, u shpreh Kryeministri, nëpër Shqipëri po qarkon alternativa e rrugës së vetme, e cila nuk po paraqet asnjë projekt konkret për qytetarët. “Ju banorë të mençur të Dumresë dhe të gjithë Shqipërisë, e keni të qartë se cila ishte rruga e vetme. Rruga e vetme ishte rruga e partisë, e cila e katandisi këtë popull në mjerimin më të thellë dhe në izolimin më të madh. Rruga e vetme ishte rruga e karriges. Rruga e vetme për çdo shqiptar është rruga pa kthim, është rruga e asgjëkundit, është rruga e karriges së atij, i cili ka vendosur t’ju servirë ju në këtë fushatë “Fajin  e ka Saliu””, vijoi Kryeministri, ndërsa shtoi se “gjatë 4 viteve që vijnë, sipas kësaj logjike, fajet e mija do të bëhen sa malet sepse qeveria shqiptare do të ndërtojë mijëra kilometra rrugë, qindra shkolla, mijëra kilometra kanalizime, ujësjellës, do të subvencionojë mijëra hektarë, do të rrisë pensionet dhe rrogat”.

 
Kryeministri Berisha i ftoi banorët e kësaj zone “të vazhdojmë ne së bashku. Atë ta lëmë e t’i japim mundësi që çdo ditë të tregojë barsoletat e Shalsit të tij”.

 

Duke u zotuar se do të mbështesë çdo projekt për këto zona, Kryeministri theksoi se ‘ky muaj e kjo fushatë do të jetë fushata e shndërrimit të ëndrrave tuaja në projekte. Katër vitet që vijnë do të jenë vite e shndërrimit të projekteve në realitet”.

Në përshëndetjen drejtuar banorëve, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, ju përshëndes vëllazërisht dhe shpreh kënaqësinë që sot, së bashku me kryetarin e komunës tuaj, inauguruam këtë rrugë shumë të rëndësishme për zonën e Dumresë, e cila lidh Elbasanin me Fierin dhe u shërben 25 mijë banorëve të 8 qendrave të banuara, Belshit, Cepes, Hardhishtes, Cerragës, Fierzës, Kosovës së Madhe, Kosovës së Vogël dhe fshatit Jetë e Re.

Më këtë rrugë, ne së bashku shënojmë një sukses të vërtetë në urbanizimin e kësaj zonë që banohet nga njerëz punëtorë, të cilët me mundin dhe djersën e tyre përpiqen të ndryshojnë, të përmirësojnë jetën e tyre, të familjeve dhe të komunitetit. Kjo rrugë në trajektoren e saj ka një gjatësi 18 kilometra dhe është një investim me vlerë 353 milionë lekë. 

Unë ju garantoj se qeveria në katër vitet që vijnë, siç ka ndërtuar këtë rrugë, do të ndërtojë çdo rrugë të fshatrave tuaja, së bashku me deputetët dhe qeveritarët tuaj vendorë do të kompletojë të gjithë rrjetin e ujësjellësve, kanalizimeve e vaditjes. Në harkun kohor dy vjeçar ju do të mbërrini në Tiranë shumë më shpejtë nga sa vini sot nga Elbasani në Tiranë. Ne jemi të vendosur që çdo lagje, çdo fshat të Dumresë, të Gramshit, të Beratit, Fierit dhe mbarë Shqipërisë ta bëjmë me infrastrukturë moderne, me rrugë, me shkolla e sisteme kanalizimesh të njëjta me të lagjeve të qytetit. Ne tokën nuk jua punojmë dot, por bëjmë gjithçka që ju të jetoni si qytetarë të këtij vendi kudo që ndodheni. Ne bëjmë gjithçka që fëmijët tuaj të shkollohen në shkolla moderne, që ju të furnizoheni me ujë të pijshëm 24 orë, që të keni sistemin e kanalizimeve dhe arsimin parashkollor. 

Në këtë qark dhe qarkun e Fierit, meqenëse kjo rrugë i bashkon këto dy qarqe, në një hark kohor katër vjeçar kemi financuar 3 mijë hektarë ullishta dhe dru të tjerë frutorë, kemi financuar mijëra hektarë sera, kemi financuar dhe do të financojmë qindra shkolla, qendra shëndetësore, sisteme kanalizimi. Kjo është alternativa jonë. Alternativa jonë është alternativa e interesave, e halleve, e derteve dhe e vizitonit tuaj. Për ne, ju jeni të parët. Për ne, Dumreja është e para. Për ne, Elbasani është i pari. Për ne, çdo qytet, çdo fshat, çdo qytetar është dhe do të mbetet i pari. 

Unë shfrytëzoj këtë rast për të garantuar fermerët e Dumresë, fermerët e Gramshit, të Librazhdit e të gjithë këtij qarku, se kudo që ndodhen dhe kudo që jetojnë nuk do jenë të braktisur. Kjo qeveri do të bëj gjithçka për të lehtësuar jetën e tyre.

Jeni ju burrat dhe gratë që keni shkrirë mundin, djersën, muskujt në fermat dhe kooperativat bujqësore. Shpreh nderimin tim për sakrificën tuaj, por edhe kënaqësinë që ishte kjo qeveri që dyfishoi pensionet tuaja. Shpreh kënaqësinë, sepse unë e di që shumë e shumë prej jush i kanë djemtë apo vajzat në Greqi, Itali e vende të tjera dhe që nga dhjetori e deri më tani keni pasur mundësinë të shkoni e t’i shihni, të çmalleni dhe të ktheheni sërish në shtëpitë tuaja me dinjitet të plotë. 

Krahas kësaj alternative, krahas kësaj platforme që, natyrisht, nuk premton bulevarde me lule, por premton mund, djersë, rrugë, shkolla, ujësjellës, kanalizime, mbështetje të prodhimeve bujqësore, rritje të mëtejshme të pensioneve, përmirësim të mëtejshëm të kushteve të jetesës; krahas kësaj aleance që ka vendosur në epiqendër qytetarin, vizionin, të ardhmen, problemet dhe dertet e tij, po qarkon nëpër Shqipëri aleanca e rrugës së vetme. Por ju, banorë të mençur të Dumresë dhe të gjithë Shqipërisë, e keni të qartë se cila ishte rruga e vetme. Rruga e vetme ishte rruga e partisë, e cila e katandisi këtë popull në mjerimin më të thellë dhe në izolimin më të madh. Rruga e vetme ishte rruga e karriges. Rruga e vetme për çdo shqiptar është rruga pa kthim, është rruga e asgjëkundit, është rruga e karriges së atij, i cili ka vendosur t’ju serirë ju në këtë fushatë “Fajin  e ka Saliu”.

I them atij nga këtu, para jush, se gjatë 4 viteve që vijnë, sipas kësaj logjike, fajet e mija do të bëhen sa malet sepse qeveria shqiptare do të ndërtojë mijëra kilometra rrugë, do të ndërtojë qindra shkolla, do të ndërtojë mijëra kilometra kanalizime, do të ndërtojë mijëra kilometra ujësjellës, do të subvencionojë mijëra hektarë, do të rrisë pensionet dhe rrogat. Pra e fundit që na intereson, i nderuar shoku Rama, është karrigia jote. Harroje! E keni dëgjuar ju atë tu paraqesë qytetarëve qoftë edhe një projekt të vetëm? Ju e dini se sot ne inauguruam një rrugë që në të dy segmentet e saj është mbi 18 kilometra. Në katër vite ai ka asfaltuar rrugica të Tiranës gjithsej 12 kilometra, paçka se në katër vite ka marrë më shumë, në 4 vite është financuar nga qeveria 3 herë më shumë çdo vit sesa nga qeveritë socialiste. Por, natyrisht, kur nuk ke asgjë për tu servirur qytetarëve, kur nuk ke një projekt për tu zotuar atyre, u premton “Fajin e ka Saliu”.

Të dashur qytetare dhe qytetarë,

Të vazhdojmë ne së bashku. Atë ta lëmë e t’i japim mundësi që çdo ditë të tregojë barsoletat e Shalsit të tij. Ne të merremi me punë, të shkojmë drejt këtyre zgjedhjeve, të marrim pjesë në këto zgjedhje, të votojmë të lirë dhe si qytetarë të lirë të zgjedhim alternativën e qytetarit, të zgjedhim alternativën e “Aleancës për Qytetarin”, të votoni kandidatët e kësaj aleance dhe unë ju jap fjalën se do të mbështes çdo projekt tuajin.

Ky muaj, kjo fushatë do të jetë fushata e shndërrimit të ëndrrave tuaja në projekte. Katër vitet që vijnë do të jenë vite e shndërrimit të projekteve në realitet.

Edhe një herë urimet më të mira!”   

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›