E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Me Ardianin duam të përgatisim Vlorën e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë

08-04-2011 / Gazeta 55

“Aleanca për Qytetarin” çel fushatën elektorale në Vlorë, prezantohet kandidatura e Ardian Kollozit UPDATE- Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Qytetarin” çeli sot fushatën elektorale në Vlorë, ku për bashkinë e këtij qyteti kandidon Ardian Kollozi. Përmes një mitingu madhështor dhe para mijëra qytetarëve vlonjatë, kryeministri Berisha vlerësoi figurën e kandidatit Kollozi dhe u shpreh i bindur për fitoren e madhe të 8 majit


“Vlora e 100 vjetorit, Vlora e kryeqytetit të Pavarësisë së shqiptarëve, sot jam tek ju për të paraqitur kandidatin për kryetar të bashkisë, inxhinierin, politikanin, birin tuaj të shquar, Ardian Kollozi, në të cilin mua dhe ju na lidh një përpjekje e përbashkët 20 vjeçare për liri, për dinjitet, për integrim. Ardian Kollozi është biri i qytetit tuaj që 20 vjet më parë që së bashku me studentë të tjetër themeluan Partinë Demokratike, partinë e parë opozitare. Ardian Kollozi, në një moment dhe me një thirrje të brendshme shpirtërore, vendosi të japë dorëheqjen nga parlamenti dhe të vijë këtu tek ju, të punojë së bashku me ju. Ky vendim, i tij ishte vendimi i qytetarit të Vlorës, për të cilin ju dhe çdo vlonjat e vlonjate jeni dhe do të jeni të parët, për të cilin, Vlora është e para. Ne vijmë këtu sot tek ju, pasi Vlorën e Ismail Qemalit, Vlorën e Flamurit e kemi shndërruar në Vlorën e NATO-s, e kemi bërë qytet të qytetarëve që lëvizin të lirë në mbarë Evropën. Vijmë tek ju për të paraqitur kandidatin për kryetar bashkie, birin tuaj të shquar, pasi Vlorën e bukurive mahnitëse të bukurive natyrore, e keni bërë të njohur në mbarë botën, pasi ajo priti gjatë këtyre 4 viteve turistë më shumë se të gjitha kohërat të marra së bashku. Ne paraqesim Ardian Kollozin para jush, pasi kemi investuar vetëm në rrethin tuaj në rrugë, në shkolla, në kanalizime, në ujësjellësa, në vreshtari, në energji rreth 400 mln euro më shumë se në çdo kohë. Paraqesim para jush Ardian Kollozin pasi me reforma të thella, me luftë pa kompromis ndaj korrupsionit, ia kemi dalë të dyfishojmë në 4 vjet të ardhurat, kemi bërë që ekonomia shqiptare të qëndrojë fuqishëm ndaj krizës më të madhe që Evropa dhe Bota ka njohur në 90 vitet e fundit të saj. Kemi rritur rrogat dhe dyfishuar pensionet. Ne paraqesim sot Ardian Kollozin sepse me Ardianin ne duam të përgatisim Vlorën e 100 vjetorit, Vlorën e flamurit kryeqytet të shqiptarëve”. Berisha premtoi se Qeveria do të financojë çdo projekt të kryetarit të ri të bashkisë së qytetit bregdetar. “Çdo projekt tuaj, çdo projekt të kryetarit tuaj të ardhshëm, qeveria do ta mbështesë me përparësinë më të madhe.  Kjo është alternativa jonë. Rruga jonë jeni ju, interesat tuaja, hallet tuaja, e ardhmja juaj. Alternativa jonë është “Vlora dhe mbarë Shqipëria””- deklaroi kryeministri. Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se krahas alternativës për qytetin dhe qytetarët ekziston edhe një alternativë tjetër, ajo e karriges për pushtet. “Përballë kësaj është rruga tjetër e cila thotë se rruga e vetme është rruga e Partisë. Le t’i themi nga Vlora e flamurit z.Edi Rama se, rruga e vetme e jotja është rruga e karriges tënde, është rruga pa kthim, është rruga e asgjëkundit. Rruga jote është rruga e konfliktit, e bllokimit. E ndoqa dje tek u thoshte qytetarëve të Tiranës se kryetar i bashkisë nuk ishte Edi Rama, por Sali Berisha. Dua t’i them këtij zotërie se tipar themelor, dallues midis njeriut të qytetëruar dhe tjetrit është përgjegjësia qytetare, ndaj dhe zoti Rama në këtë fushatë të garantoj se nuk do merrem me ty, jo se nuk më vijnë për mbarë për ty, por e vërteta është se në skenën politike të Shqipërisë je politikani i vetëm që s’ke fituar qoftë edhe një betejë të vetme politike. Socialistë dhe socialiste të Vlorës ju shpreh nderimin tim, por iu rikujtoj se kryetari juaj nga mëngjesi deri në darkë, për betejat politike, ka humbur dhe do humbasë çdo njërën prej tyre. Në krye të PS nuk erdhi vetë, por e solli Fatos Nano e solli Berisha. Nisi gjatë këtyre viteve betejë pas beteje dhe në të gjitha dështoi. Por kësaj radhe, dil Edi Rama në skenën politike, ti për karrige unë për qytetarët. Aleanca jonë është për qytetarin: Vlora është e para, Shqipëria është e para”- mbylli fjalimin e tij, kryeministri i vendit Sali Berisha.   


Ardi Kollozi: Programi ynë thelbësor, në interes të qytetarëve dhe Vlorës turistike


Kandidati demokrat shpalos platformën e tij për zgjedhjet e 8 majit, duke deklaruar se zhvillimi i transportit publik, ndërtimi i Unazës së Madhe dhe të Vogël, ndërtimi i një linje tramvaji, dhe ndërtimi i hapësirave të gjelbra janë disa nga projektet që do vihen në jetë brenda një kohe të shkurtër pas marrjes së mandatit. Ai deklaroi para mijëra qytetarëve të mbledhur në pallatin e sportit se më 8 maj Vlora do njohë një dimension të ri zhvillimi, duke i thënë stop kështu betonizimit dhe politikave klienteliste që kanë sunduar deri më tani Ky entuziazëm më emocionon. Vlora në këto vite ka degradua, prandaj kam marrë përgjegjësinë e madhe fisnike për të ndryshuar Vlorën. Qyteti që braktis dhe shpërfill historinë e tij, nuk është Vlora ku ne duam të jetojmë. Vlora, duke prishur imazhin dhe ndotur mjedisin, nuk është Vlora që duan fëmijët tanë. Ne kemi në duar një program ambicioz, ku kemi detajuar programin tonë, pasi me Vlorën tonë kemi shumë punë për të bërë. 8 maji do të jetë fundi i zhvillimit spontan dhe të paparashikuar të Vlorës. Do t’i themi stop betonizimit dhe ngushtimit të hapësirave të gjelbra. Do të hartojmë master-planin për zhvillimin e Vlorës. Transporti publik, ndërtimi i Unazës së Madhe dhe të Vogël, ndërtimi i një linje tramvaji, janë projekte më përputhje me programin tonë thelbësor. Projektet e mëdha për gjelbërimin do të jenë hapa të sigurt për Vlorën e gjelbëruar që ne synojmë. Rikthimi i dinjitetit të sheshit të humbur të Flamurit. Administrata e Bashkisë ka një rol strategjik në plotësimin e nevojave dhe realizimin e tyre. Ajo duhet të jetë motori i ndryshimit. Vlora i takon historisë tonë, por edhe të ardhmes. Programi ynë është i qartë dhe i thjeshtë. Më 28 nëntor të 2012-ës, duhet të kemi shndërruar Vlorën që ëndërrojmë, duhet të kemi ndërtuar një qytet të qytetarëve. Ejani së bashku dhe të ndryshojmë Vlorën, Në 8 maj Vlorën do t’ia kthejmë vlonjatëve.


Ish futbollisti Vasil Ruci


“Jemi në një garë që do ta fitojmë, sepse kemi një kandidat i cilin ka kurajon më të madhe. Është bashkë me ju, është bashkë me të gjithë popullin e Vlorës. Ka një forcë të madhe. Ka inteligjencë dhe do të udhëheqë bashkinë bashkë me qytetarët e Vlorës. Gëzuar 8 majin me fitore”.


Artisti i popullit, Agron Dinaj


“Vlora, qyteti i historisë, i bukurisë natyrore, i kulturës dhe artit ka sot një njeri të vizioneve të reja, Ardi Kollozin. Jam i sigurt se së bashku me Ardin do t’ia ndryshojmë faqen Vlorës, në mënyrë që Vlora të bëhet ashtu siç e dëshirojmë dhe ashtu siç e dëshirojnë vlonjatët”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›