Xhaferaj: Universiteti, i rëndësishëm për zhvillimin e qytetit

Kandidati demokrat premton në Durrës ndërtimin e kampusit të ri Universitar “Aleksandër Moisiu”
Ferdinand Xhaferraj, kandidati i “Aleancës për Qytetarin” për kreun e Bashkisë së Durrësit, duke mbjellur pemën e parë, shpalli fillimin e ndërtimit të kampusit të ri të Universitetit “Aleksandër Moisiu”. Kampusi do të ndërtohet në një sipërfaqe prej afro 55 hektarë në zonë e Spitallës, projekti i së cilës është miratuar nga Këshilli i Rregullit të Territorit të Qarkut të Durrësit. “Ndërtimi i kampusit në këtë zonë, - tha kandidati demokrat Xhaferaj, - është shumë i rëndësishëm pasi shpreh edhe filozofinë e programit tonë për të patur një Durrës me shumë qendra, një qytet të vërtetë evropian”. Në ceremoni morën pjesë Myqerem Tafaj, ministri i arsimit dhe shkencës, Mithat Mema, rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu”, deputetë, studentë, dhe banorë të zonës. Ministri Tafaj tha se “brenda muajit do të nisë ndërtimi i godinës së parë, që do të ishte Fakulteti i Edukimit, dhe gradualisht do të vijonte ndërtimi i gjithë kampusit. Në këtë objekt të ri do të përqëndrohet e gjithë struktura e universitetit, i cili tashmë ka afro 7 mijë studentë dhe, brenda pak kohësh, parashikohet të ketë 10 mijë të tillë, duke u bë një nga qendrat universitare më të rëndësishme në vend. Kampusi i ri i Universitetit “Aleksandër Moisiu” do të ndërtohet buzë rrugës së re që lidh Spitallën me autostradën Durrës – Tiranë dhe, përveç godinave të fakulteteve, do të ketë edhe të gjitha hapësirat e nevojshme për administratën dhe fjetoret për studentët. Kandidati Xhaferaj, i cili i uroi studentët e pedagogët për kampusin e ri që do të kenë së shpejti, tha se “universiteti është një element shumë i rëndësishëm i jetës së qytetit”. “Sot, ky universitet ka afro 7 mijë studentë, - tha Xhaferaj, - dhe, pas pak vitesh, numri i tyre mund të jetë 10 mijë apo edhe më shumë. Universiteti dhe studentët do të jenë pjesë e rëndësishme e jetës dhe e zhvillimit të qytetit. Ndërtimi i kampusit në këtë zonë do të bëjë që edhe Spitalla të zhvillohet, do të bëjë që edhe këtu të krijohet një qendër tjerët e Durrësit. Ndërtimi i kampusit në këtë zonë është shumë i rëndësishëm pasi shpreh edhe filozofinë e programit tonë për të patur një Durrës me shumë qendra, një qytet të vërtetë evropian”. Teksa mbolli pemën e parë, që do të vijonte më pas me mbjelljen e 500 pemëve të tjera, Xhaferaj theksoi edhe rëndësishnë e gjelbërimit dhe të mbrojtjes së mjedisit. “Në kushtet që është sot Durrësi, këtu ku e katandisur Vangjush Dako, qyteti përmbush vetëm 6 përqind të nevojave që njerëzit kanë për sipërfaqe të gjelbëruara, - theksoi kandidati Xhaferaj, - dhe këto pemë të para që mbollëm janë shprehje e rëndësisë me të cilën do të trajtohet mjedisi".
...