E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Eliminuam Dushkun dhe problemet me lista

 

Kryeministri Sali Berisha në takimin me numrin 2 të Presidencës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfgang Grossruck, u shpreh se në zgjedhjet e 28 qershorit u eliminuan përfundimisht, për herë të parë, fenomenet negative që kanë nxirë zgjedhjet e mëparshme në vend, fenomeni i “Dushkut”, problemet në listat e zgjedhësve dhe identifikimi i tyre, kjo falë edhe kontributit të OSBE-së. Kryeministri gjithashtu theksoi se dita e votimit dhe procesi i numërimit në 4750 qendra votimi dhe 66 qendra numërimi të votave ishin plotësisht të qeta si dhe, si kurrë më parë, të gjithë komisionerët, përfshirë edhe ata të opozitës, kanë firmosur procesverbalet dhe tabelat e rezultateve në të gjitha qendrat e votimit, përveç 15 prej tyre, dëshmi kjo e transparencës së procesit dhe e maturisë demokratike të komisionerëve. “Të gjitha forcat politike, të cilat kanë pasur çdo lloj dyshimi për procesin e numërimit të votave, kanë pasur mundësinë që të marrin videot me pamjet filmike të numërimit, siç veproi Partia Socialiste, e cila mori videon e Qarkut të Beratit”, vijoi Kryeministri. Berisha nënvizoi se për herë të parë në historinë e zgjedhjeve, edhe pas kundërshtive dhe debateve mes anëtarëve të KQZ-së, të propozuar nga forcat politike, KQZ-ja miratoi çdo mandat dhe rezultatin e përgjithshëm me votim unanim 7-0. Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë si një arritje shumë të rëndësishme dhe si një dëshmi të shkallës së lartë të përgjegjësisë të komisionerëve të opozitës dhe të mbarë spektrit politik shqiptar. Kryeministri Berisha shprehu vlerësimet e tij për Misionin e vëzhguesve të OSBE-ODIHR dhe të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre në këtë proces dhe u shpreh i gatshëm për përmirësimet e nevojshme të kuadrit ligjor dhe procesit zgjedhor në tërësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›