Ne 2 Shtator - PD-LSI, negociatat pas Kongresit të PS
Aristir Lumezi
Negociatat zyrtare PD-LSI për Qeverinë pritet të zhvillohen në 2 shtator. Dje pasdite burime të sigurta nga të dyja palët pohuan për gazetën “Panorama” se dy janë arsyet pse negociatat zyrtare për Qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit do të zhvillohen në shtator. Një nga arsyet lidhet me faktin se ende nuk dihet data se kur presidenti Topi do të thërrasë kreun e maxhorancës Sali Berisha për t’i paraqitur kabinetin e ri qeveritar. Gjithashtu, shtyrja e negociatave deri në nisjen e punimeve të Kuvendit bëhet dhe për vazhdimin normal të punës së ministrave aktualë në detyrë dhe moskrijimin e vakumit në punën e tyre që do të vinte nga përcaktimi i ministrave të rinj. Arsyeja e dytë e zhvillimit të negociatave në ditët e para të shtatorit lidhet dhe me kongresin e jashtëzakonshëm të socialistëve. Periudha e ngarkuar politikisht dhe mediatikisht me zhvillimet brenda selisë rozë, do të konfondonte klimën mes zhvillimeve në PS dhe negociatave për një bashkëpunim të tillë, për herë të parë në vendin tonë, me pozitës dhe opozitës në Qeverinë e re. Ndërkohë LSI, partia më e madhe e koalicionit qeverisës pas PD-së, pritet të marrë tre deri në katër portofole ministrore. Duken si të sigurta portofoli i ministrit të Ekonomisë e Energjetikës dhe ai i Shëndetësisë, por nuk përjashtohet mundësia që në diskutim të hyjë edhe Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Bujqësisë. Kreu i kësaj partie, Ilir Meta nuk përjashtohet të drejtojë diplomacinë shqiptare, por edhe posti i kryeparlamentarit, mbetet i hapur, pasi dhe kreu i maxhorancës, Sali Berisha është shprehur luajal dhe i hapur për çdo propozim dhe negociatë. LSI është shprehur e vendosur të implementojë në programin qeverisës pjesë të rëndësishme të programit të saj elektoral, siç është projektligji për “Moshën e Tretë”. Nga ana e tjetër, aleatët e PD-së në koalicionin elektoral kanë shprehur ambiciet e tyre për të qenë pjesë e kabinetit qeverisës. Kështu, kreu republikan Fatmir Mediu është shprehur se është në pritje të negociatave të PD-së me LSI-në për të folur më pas me Kryeministrin Berisha për pozicionin e kësaj partie në kabinetin e ri. Të gjitha palët, pjesë e koalicionit të ri qeverisës, pas zgjedhjeve të 28 qershorit, janë treguar të kujdesshëm në deklaratat e tyre për t’i lënë mundësi Qeverisë dhe ministrave të saj të vazhdojnë punën e tyre normalisht larg presionit të zëvendësimit të mundshëm në kabinetin e ri.
Meta
Dje kryetari i LSI-së Ilir Meta, pas takimit me zv/presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfgang Grossruck, iu përgjigj interesimit të gazetarëve për negociatat e mundshme me PD-në. Sipas Metës: “Negociatat do të zhvillohen sa më pranë afateve kushtetuese për fillimin e Parlamentit të ri dhe për krijimin e Qeverisë së re, pasi deri në atë moment vendi ka Qeverinë aktuale, e cila duhet të përmbushë me përgjegjësi të gjitha detyrat që i cakton Kushtetuta”. “Ne nuk jemi të shqetësuar, por kemi besim se çdo gjë do të zhvillohet me transparencë të plotë dhe do të jetë në shërbim të së gjithë qytetarëve që presin një qeverisje akoma më të mirë, akoma më të përgjegjshme, akoma më sociale, e cila duhet të përmbushë të gjitha detyrimet e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE”, u shpreh Meta. I pyetur rreth emrave dhe ministrive që pritet të marrë LSI Meta u shpreh se “Programi është elementi kryesor dhe mendojmë se ai është busulla e orientimit të koalicionit dhe Qeverisë së re”. “Ne kemi pasur një program gjatë fushatës elektorale, natyrisht që ne nuk presim që ky program të jetë patjetër programi i koalicionit të ri dhe Qeverisë së re, sepse në çdo rast duhet të ketë një integrim dhe një harmonizim me prioritetet e PD-së, apo dhe me forcat e tjera politike, që do të jenë pjesë e këtij koalicioni”, tha Meta. Kreu i LSI-së u tregua i gatshëm të bashkëpunojë me PS për reforma të mëdha për vendin. “Ne jemi shumë të gatshëm dhe të disponuar për të bashkëpunuar dhe me Partinë Socialiste në drejtim të atyre reformave që kërkojnë dhe bashkëpunimin e opozitës”, u shpreh kreu i LSI-së.
Grossruck takon Metën
Zv/presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE, njëkohësisht kryetari i delegacionit monitorues të kësaj asambleje, Wolfgang Grossruck takoi në selinë e LSI-së kreun e kësaj partie Ilir Meta. Pas takimit, kreu i LSI-së ka zbardhur çështjet, të cilat u diskutuan mes tyre. “Kemi shkëmbyer mendime lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit, dhe në këtë drejtim ne kemi theksuar mundësinë e rishikimit të Kodit në disa drejtime, ku u vunë re disa nga mangësitë e këtyre zgjedhjeve, sidomos në drejtim të administrimit dhe në drejtim të formulave të ndryshme për llogaritjen e mandateve të deputetëve. Por njëkohësisht dhe për fat të keq edhe për problemet që u vunë re me mediat gjatë periudhës së zgjedhjeve. Ne jemi tërësisht të disponueshëm për të zhvilluar në kohën e duhur një Reformë Zgjedhore, që i arrin ato standarde, të cilat rezultuan si të mangëta edhe në këto zgjedhje, për shkak të mungesës së vullnetit politik në momentin e bërjes së Kodit”, u shpreh Meta.