E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria heton pronat e Dritan Dajtit

 

Trazhgim Sokolaj

Një kërkesë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për verifikimin e pasurive të Dritan Dajtit dhe gruas së tij Dorela Dajti, ka mbërritur në zyrat e Hipotekës, Tatimeve dhe bankave të nivelit të dytë. Rreth dy javë pas ekzekutimit të katër efektivave të policisë në afërsi të pistës “Iliria” në Durrës, Prokuroria ka vendosur të hetojë pasuritë e 38-vjeçarit të shumëkërkuar Dritan Dajti. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave hetimi pasuror për aktivitetin e Dritan Dajtit ka për qëllim të identifikojë dhe të bllokojë të gjitha asetet në zotërim të tij. I arrestuari pas vrasjes së katër agjentëve të policisë, hetohet për akuza që janë kompetencë e Krimeve të Rënda, e cila në praktikën e saj ka krahas hetimit penal edhe verifikimin e pasurisë dhe bllokimin e aseteve në zotërim të të pandehurve. Sipas burimeve nga Prokuroria, mësohet se hetimi për pasurinë e Dritan Dajtit ka nisur pas indicieve që tregojnë se ai mund të ketë përfituar shuma financiare me veprimtari të paligjshme. Policia këmbëngul se Dritan Dajti gjatë kohës së qëndrimit në arrati, pasi u arratis nga Gjykata e Tiranës në tetor 2003, ka ushtruar aktivitet në fushën e trafikimit të narkotikëve, ndërsa dyshohet edhe për gjobëvënie ndaj disa bizneseve. Asgjë nuk është provuar nga këto dyshime, për shkak se të dhënat e karakterit operativ ndodhen ende në strukturat e policisë pa marrë karakterin e provës me vlerësimin e Prokurorisë. Kjo e fundit konfirmon se aktualisht ndaj Dritan Dajtit ka ngritur akuzën e “vrasjes në rrethana të cilësuara” ndaj katër oficerëve të policisë, Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feska e Sajmir Duçkollari. Dajti akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa Prokuroria në mënyrë zyrtare thotë se nuk ka asnjë dosje të referuar që bën fjalë për akuza të tjera. Megjithatë pas dyshimeve për përfitime financiare nga i shumëkërkuari gjatë viteve të fundit, organi i akuzës ka nisur verifikimin e pasurisë.
Pronat e Dajtit
Nga verifikimet e deritanishme, hetuesit kanë në duar disa prova që tregojnë se Dajti ka në pronësi të tij disa apartamente dhe automjete në Tiranë. Për evidentimin e plotë të pasurisë së tij, Prokuroria tha se i ka kërkuar tatimeve verifikimin e ndonjë subjekti në emër të të akuzuarit. E njëjta gjë është kërkuar nga Hipotekat, për pronat që mund të jenë hedhur në emër të 38-vjeçarit ose bashkëshortes së tij. Bankave të nivelit të dytë u është kërkuar nga Prokuroria të evidentojnë llogaritë bankare të hedhura në emër të Dritan Dajtit, gruas së tij Dorelës dhe disa të afërmve të të shumëkërkuarit. “Në rast se do të evidentohen pasuri burimi i të cilave nuk justifikohet, Krimet e Rënda do të kërkojnë sekuestrimin e tyre në Gjykatë”, thanë burimet e Prokurorisë së Përgjithshme. Ato nuk përjashtojnë mundësinë që llogari bankare apo objekte në pronësi të Dritan Dajtit të jenë hedhur apo regjistruar në emra të personave të tjerë, me qëllim fshehjen e gjurmëve.
Policia heton trafikun
Strukturat e Antidrogës në Policinë e Shtetit janë duke hetuar implikimin e mundshëm të Dritan Dajtit në trafiqe të paligjshme, që pas arratisjes së tij nga Gjykata e Tiranës në vitin 2003. Burimet e policisë konfirmojnë dyshimet e tyre për disa udhëtime të Dritan Dajti me emra të rremë në Spanjë, ku besohet se ka lëvizur për llogari të trafikut të narkotikëve. Megjithatë këto informacione të mbledhura prej policisë janë të karakterit operativ, pasi nuk janë paraqitur ende në Prokurori për vlerësim ligjor. Akuzat zyrtare të ngritura deri tani ndaj Dajtit kanë të bëjnë vetëm me ekzekutimin me armë të katër agjentëve të Forcës së Posaçme të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe mbajtjes pa leje të pistoletës së përdorur prej të kërkuarit në masakrën e 7 gushtit 2009, e cila ndodhi pranë pistës “Iliria” në Durrës.

Avokati në Prokurori, kërkon autorizim për takim me Dajtin

Tirane - Avokati Arben Qeleshi, i cili ka marrë përsipër mbrojtjen ligjore të Dritan Dajtit, është paraqitur dje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku ka depozituar kërkesën për takim me klientin e tij. Mbrojtësi ligjor i ka kërkuar grupit të hetimit të Dajtit, autorizim për të zhvilluar një takim me klientin e tij që mbahet në Spitalin e Burgjeve në Tiranë. Burimet nga Prokuroria thanë se dje nuk kishin marrë një vendim për kërkesën e avokatit, e cila pritet të pranohet ditët e ardhshme. Pak ditë pas vrasjes së efektivave të policisë në Durrës, disa anëtarë të grupit të hetimit shkuan në Spitalin e Burgjeve për të marrë në pyetje të shumëkërkuarin e plagosur me tre plumba. Ai refuzoi të jepte sqarime në praninë e avokatit të zgjedhur kryesisht, duke kërkuar një mbrojtës ligjor të caktuar prej vetë atij ose nga familjarët. Marrja e dëshmisë së autorit të vrasjes së katër policëve u shty për disa ditë, derisa një javë më parë, bashkëshortja e Dajtit dorëzoi në Prokurori dokumentin ku provonte se familja kishte zgjedhur ish-prokurorin Arben Qeleshi, si mbrojtës ligjor të 38-vjeçarit në procesin për ekzekutimin e katër agjentëve të policisë. Më parë Prokuroria mori në pyetje edhe kunatin e Dajtit, Erges Xhoxhin, i cili në fund kundërshtoi procesverbalin e deklarimeve për shkak të mungesës së një avokati. Ish-prokurori Qeleshi, i cili po mbron Dajtin dhe Xhoxhin, kunatin e tij, duket se do të zhvillojë një takim informues me klientin për të marrë prej tij versionin e ngjarjes, ku humbën jetën katër efektivat e rendit. Prokuroria, ndërkohë konfirmon se ende nuk ka vendosur të marrë në pyetje Dritan Dajtin, pasi është duke kryer veprime të tjera hetimore për çështjen. Gjatë këtyre ditëve janë marrë në pyetje një sërë dëshmitarësh të masakrës së Durrësit, ndërsa i janë deleguar policisë dhjetëra veprime hetimore, me qëllim zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më 7 gusht në Durrës.             tr.so               

Kontroll edhe pronave të vëllait

Prokuroria e Krimeve të Rënda në kërkesën e saj drejtuar tatimeve, bankave të nivelit të dytë dhe Hipotekës, është shprehur se duhet të verifikohen edhe asetet e hedhura në emër të vëllait të Dritan Dajtit. Gjatë hetimeve pasurore të zhvilluara më parë, Prokuroria ka konstatuar se shumë të pandehur i hedhin pronat apo llogaritë e tyre në emra të personave të tretë, të njohur ose familjarë. Për këtë shkak, në kërkesën për hetimin e pronave është përfshirë edhe emri i vëllait të personit të shumëkërkuar, i cili ra në pranga pas ekzekutimit të katër agjentëve të policisë.

Prokurorët e “Dajtit” në gjykatë

Dy prokurorët që po hetojnë dosjen e Dritan Dajtit kanë qëndruar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda për më tepër se një orë. Nga burime të gjykatës si dhe nga organi i akuzës nuk është dhënë asnjë detaj në lidhje me këtë fakt, ndërsa në rrugë jozyrtare mësohet se drejtuesit e hetimeve ndaj Dajtit kanë qenë në Gjykatë për të marrë autorizimet përkatëse lidhur me veprimet hetimore që po kryhen, me qëllim zbardhjen e rrethanave në të cilat u ekzekutuan katër oficerët e policisë. Disa prej veprimeve hetimore të Prokurorisë, sipas ligjit, duhet të bëhen me autorizimin e Gjykatës kompetente.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›