E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Elita politike e kombit humbi një personalitet të shquar

16-08-2012 / Gazeta 55

Ngushëllimet e politikës shqiptare


Kryeministri, Sali Berisha ka përcjellë mesazhin e tij të ngushëllimit familjarëve dhe të afërmve për ndarjen nga jeta të ish-liderit, Arbën Xhaferri. “Me ndarjen nga jeta të Arbën Xhaferrit bota e mendimit dhe elita politike e kombit humben njërin prej personaliteteve më të shquara të dekadave të fundit, vlerat dhe kontributi thelbësor i të cilit në emancipimin kombëtar dhe shoqëror të kombit tonë janë një trashëgimi tejet e çmuar që meritojnë mirënjohje të thellë të të gjithë shqiptarëve për sot dhe brezat që vijnë”, shkruan Berisha në mesazhin e tij. Por në këtë ngushëllim kreu i qeverisë shqiptare ka listuar një sërë vlerash të këtij personaliteti të shquar. “Duke ndarë me ju dhimbjen e thellë, pikëllimin e madh për njeriun tuaj të dashur, mikun tonë të çmuar, liderin, politikanin, parlamentarin, studiuesin që i përkushtoi jetën, mendjen dhe të gjithë energjitë e tij mbrojtjes së lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor dhe kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni dhe kudo në rajon. Në emër tim dhe të qeverisë shqiptare ju shpreh të gjithë ju ngushëllimet më të sinqerta. Lutem së bashku me ju që shpirti i madh i Arbën Xhaferrit të gjejë paqen e merituar dhe vepra e tij e ndritur të frymëzojë shqiptarët për të shndërruar në realitet idealet e tij fisnike, njerëzore dhe kombëtare”, përfundon mesazhi i ngushëllimit i Kryeministrit Berisha. Nishani: Xhaferri, mjeshtri i diplomacisë edhe kur paqja dukej e pashpresë Presidenti Bujar Nishani ka ngushëlluar familjen e të ndjerit, Arbën Xhaferri i cili u nda nga jeta dje gjatë orëve të pasdites. “Në këtë moment të dhimbshëm më lejoni që në emrin tim, të familjes sime dhe të bashkëkombësve të mi në Republikën e Shqipërisë t’ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e bashkëshortit dhe babait të dashur, dhe nëpërmjet jush politikanëve për humbjen e kolegut të tyre të vyer, gjithë bashkëqytetarëve të tij në Republikën e Maqedonisë për humbjen e një udhëheqësi vizionar”, shprehet Nishani. Kreu i shtetit shqiptar shpreh pikëllim për këtë humbje, siç e cilëson ai, të një udhëheqësi vizionar që përdori me mjeshtri dialogun dhe diplomacinë edhe në momentet kur paqja dukej më e pashpresë se kurrë. “Si një politikan vizionar ai përdori me mjeshtri dialogun dhe diplomacinë edhe në momentet kur paqja dukej më e pashpresë se kurrë”. Në telegramin e ngushëllimit, Presidenti Bujar Nishani vlerëson gjithashtu se Arbën Xhaferri vuri në dispozicion idealet e tij për t’i shërbyer popullit, lirive njerëzore, demokracisë, bashkëjetesës, paqes dhe stabilitetit dhe gjithë arsenalin e tij shpirtëror dhe intelektual. “Me ikjen e tij, Arbën Xhaferri do të na mungojë të gjithëve, por ai lë pas një shembull dhe eksperiencë që do ta bëjnë të jetë gjithmonë i pranishëm mes nesh. Ndajmë me ju dhimbjen dhe hidhërimin e madh”, përfundon telegrami i ngushëllimit i Presidentit Nishani.


Meta: Arbën Xhaferri mbrojti fuqishëm të drejtat e shqiptarëve


Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta zhvilloi dje një bisedë telefonike me kreun e PDSH, Menduh Thaçi të cilit i shprehu ngushëllime për ndarjen nga jeta të Arbën Xhaferit. “Ndajmë dhimbjen për humbjen e A.Xhaferit”- tha z.Meta. Në bisedën telefonike me Menduh Thaçin, Meta vlerësoi se z.Xhaferi ishte një politikan i shquar i cili mbrojti fuqishëm të drejtat e shqiptarëve. “E paharrueshme në memorien e kombit, vepra e çmuar e Arbën Xhaferit në garantimin e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni”.  


Idrizi: Moment zie në historinë moderne të kombit


Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet shpreh ngushëllimet e sinqerta për humbjen e patriotit, politikanit e publicistit të madh Arbën Xhaferi. Humbja e njërit prej udhëheqësve më të palodhur të kombit shqiptar në tërësi e të shqiptarëve të Maqedonisë në veçanti përbën një moment zie në historinë moderne të kombit. Sot të gjithë zotohemi që të çojmë përpara idealet e Arbën Xhaferit për bashkim kombëtar si mënyra më e mirë për të respektuar kujtimin e tij.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›