E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Emigrantët të votojnë më 28 qershor

Në fjalën e tij, në mitingun elektoral dje në mbrëmje në Gjirokaster, Kryeministri Berisha shprehu u bëri thirrje atyre që të vijnë dhe kontribuojnë në 28 qershor me votën e tyre të lirë për një Shqipëri Evropiane 

TIRANE- I ndodhur në Gjirokastër në kuadër të fushatës elektorale, Kryeministri Sali Berisha, u ka bërë thirrje të gjithë emigrantëve shqiptarë, kudo që janë, që të vijnë dhe të votojnë në 28 qershor, pasi sikundër u shpreh ai, “në këto ndryshime të mëdha që po kalon Shqipëria, është dhe djersa, mundi dhe kontributi i tyre”.
Në fjalën e tij, në mitingun elektoral dje në mbrëmje në qytetin jugor, Kryeministri Berisha, siç njofton zyra e shtypit e qeverisë, shprehu mirënjohjen për të gjithë emigrantët shqiptarë, ndërsa u bëri thirrje atyre që të vijnë dhe kontribuojnë në 28 qershor me votën e tyre të lirë për një Shqipëri Evropiane.
Berisha solli në vëmendje faktin se emigrantët shqiptarë, kudo ku punojnë, janë tashmë qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, por garantoi ai “brenda vitit të parë të mandatit të dytë emigrantët dhe të afërmit e tyre do të lëvizni të lirë pa viza në mbarë Evropën”.
Kreu i qeverisë u bëri thirrje edhe socialistëve të Gjirokastrës që të bashkohen me “ëndrrën tonë evropiane”, sepse u shpreh ai “për çdo shqiptar, ky është projekti më i mirë, më madhështor i jetës sonë”.
Të njëjtën thirrje Kryeministri u bëri dhe gjithë qytetarëve të minoritetit. Ai garantoi se investimet në katër vitet që vijnë do të jenë së paku 15 herë më të mëdha se ato të katër viteve që shkuan. “U jap fjalën se nuk do të jetë e largët dita kur bijtë tuaj, bijtë e Gjirokastrës dhe të mbarë Shqipërisë që punojnë sot në tokat e vendeve të tjera, të vijnë në Shqipëri, të punojnë në shtëpitë e tyre”, tha Berisha.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›