Berisha: Emrat për President pas raundit të parë, kush nuk do, të më njoftojë

Dje gjatë mbledhjes së Grupit të PD
Kryeministri flet për cilësitë e Presidentit: Të jetë atdhetar, të shkëpusë lidhjet me partinë.
Berisha: Emrat, pas raundit I.
Kush nuk dëshiron ti përmendet emri, të më njoftojë
Negociatat e ardhshme mes PD-së dhe partive aleate do të bëhen në bazë të emrave konkretë për President.
Kështu u shpreh dje Kryeministri Sali Berisha në pjesën me dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar demokrat. Ai tha se sipas të gjitha gjasave, në raundin e parë nuk do të ketë emra që do ti nënshtrohen votimit, kjo edhe për shkak se opozita mund ta bojkotojë procesin të mërkurën. Nga të dhënat që kam unë, nga më shumë se një burim, PS-ja nuk do të futet në votim të mërkurën dhe ne nuk kemi pse të nxjerrim emra. Gjatë negociatave të ardhshme ne mund të përmendim emra si kandidatë për President dhe në këtë kontekst, kush kërkon që të mos i përmendet emri, të kontaktojë me mua për këtë qëllim. Synimi ynë është të zgjedhim një President me konsensus, por ne mund ta zgjedhim edhe me koalicionin tonë. Nuk arrihen 84 vota, mund ta zgjedhim edhe me 71 vota, ose 73 vota, u shpreh Kryeministri në mbledhjen e djeshme. Para deputetëve të PD-së ai rikujtoi edhe një herë marrëveshjen që ka nënshkruar me LSI-në tre vjet më parë, kur ajo u bë pjesë e koalicionit të djathtë. Qëndrimi ynë është dhe do të mbetet kryekëput kushtetues. Asgjë nuk mund të na spostojë nga respekti i plotë dhe total i ligjit themelor të shtetit. Dua tju informoj ose tju rikujtoj se në marrëveshjen e datës 2 shtator 2009, në faqen 3 të kësaj marrëveshjeje, thuhet: Zgjedhja e Presidenti të Republikës do të bëhet mbi bazën e konsensusit midis Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ky është përcaktimi kontraktual midis dy forcave kryesore të koalicionit qeverisës, tha Berisha.
Identikiti i Presidentit
Në mbledhjen e radhës të Grupit të PD-së, kreu i maxhorancës përmendi edhe disa cilësi që duhet të ketë Presidenti i ardhshëm i vendit. Në këtë pikë ai ironizoi edhe kreun aktual të shtetit, Bamir Topi, lidhur me disa gjyqe ku ai ka marrë pjesë për çështjen e pronave. Dhe duhet të them se është e vetëkuptueshme, person që shkëput të gjitha lidhjet me partitë nga e cila do të jetë. Natyrisht, edhe me pronat dhe problemet e tjera, nuk shkon në gjyqe dhe me familjarët e tij për prona për sa kohë ai është President i Republikës. I mbyll disa dosje, disa kapituj, dhe qëndron në pozicionin dinjitoz të kreut shqiptar, me një orientim të qartë euroatlantik, me atdhetarizëm të padiskutueshëm. Pra, preokupimi ynë dhe i aleatëve tanë është ti japim vendit jo një President pazaresh, një produkt të pazareve aprincipale, por përkundrazi, një personalitet të besuar dhe me kredenciale të larta, të besuar nga shqiptarët. Vendosmëria jonë mbetet e plotë për të punuar së bashku me të gjitha forcat politike për të gjetur, bazuar në këto veti, personin, burrë apo grua, që do të nderojë karrigen, postin e lartë që merr, tha Berisha. Kryeministri akuzoi liderin e opozitës se po përdor procesin e zgjedhjes së Presidentit në funksion të editorialeve të tij për të rrëzuar qeverinë. Ke tre vjet që i mban me injeksione ata që të rrethojnë, se do ta rrëzojmë sot e do ta rrëzojmë nesër këtë qeveri. Përgatitu se me këtë politikë që ndjek, edhe në vitin 2017 do të kesh po këtë qeveri, theksoi më tej kreu i maxhorancës.
Dialogu në grup
Sali Berisha: Në marrëveshjen e datës 2 shtator 2009, në faqen 3 të kësaj marrëveshjeje, thuhet: Zgjedhja e Presidenti të Republikës do të bëhet mbi bazën e konsensusit midis PD dhe LSI. Ky është përcaktimi kontraktual midis dy forcave kryesore të koalicionit qeverisës. Preokupimi ynë dhe i aleatëve tanë është ti japim vendit jo një President pazaresh, një produkt të pazareve aprincipale, por përkundrazi, një personalitet të besuar dhe me kredenciale të larta, të besuar nga shqiptarët.Mark Marku: A do të kemi ne kandidat në raundin e parë të mërkurën?
Sali Berisha: Nga të dhënat që kam unë, nga më shumë se një burim, PS-ja nuk do të futet në votim të mërkurën dhe ne nuk kemi pse të nxjerrim emra. Gjatë negociatave të ardhshme ne mund të përmendim emra si kandidatë për President dhe në këtë kontekst, kush kërkon që të mos i përmendet emri, të kontaktojë me mua për këtë qëllim. Synimi ynë është të zgjedhim një President me konsensus, por ne mund ta zgjedhim edhe me koalicionin tonë. Nuk arrihen 84 vota, mund ta zgjedhim edhe me 71 vota, ose 73 vota.
Votimi i parë,të mërkurën
Konferenca e Kryetarëve, e mbledhur të enjten e kaluar, vendosi që ta organizojë raundin e parë të votimit nesër në mesditë. Sipas të gjitha gjasave, ky raund i parë do të zhvillohet vetëm formalisht, pasi pritet që të mos ketë asnjë kandidat në garë. Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit përcaktojnë se pas raundit të parë mblidhet Konferenca e Kryetarëve, që cakton raundin e dytë, jo më vonë se një javë pas raundit të parë.
20 firma për kandidatët
Neni 109 i Rregullores së Parlamentit dhe neni 88 i Kushtetutës përcaktojnë se kandidati për President duhet të marrë paraprakisht mbështetjen e 20 deputetëve, të cilët të firmosin kërkesën e tij. Pas paraqitjes së kandidimit, mblidhet Komisioni Parlamentar i Ligjeve, i cili shqyrton nga ana kushtetuese kriteret e kandidatit përpara se të hartojë një raport që i kalon Kuvendit.
Kreu i PBDNJ ndodhet në Greqi
Negociatat, shtyhet për sot takimi Berisha-Dule
Kryeministri Sali Berisha do të takohet sot në orën 09:40 me kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Duke. Takimi ishte parashikuar të zhvillohej dje në mesditë, por u shty me 24 orë për shkak të një vizite të kreut të PBDNJ-së në Greqi. Kjo do të jetë negociata e fundit që PD-ja zhvillon në prag të raundit të parë të votimit që do të zhvillohet në Parlament të mërkurën. Pas takimit me kreun e PBDNJ-së, i vetmi kryetar partie me të cilin Berisha nuk pranoi të takohej ishte kundërshtari i tij kryesor politik, lideri i PS-së, Edi Rama. Për të negociuar me selinë rozë, Berisha mandatoi kreun e Grupit Parlamentar Astrit Patozi dhe anëtarin e Kryesisë, Edmond Spaho. Pasi Konferenca e Kryetarëve të përcaktojë ditën kur do të zhvillohet raundi i dytë i votimit, pritet të mbahen sërish negociata mes forcave politike.
ADI SHKEMBI