Berisha: Energjia e rinovueshme, përparësia më madhore

Kryeministri Berisha deklaroi sërish sot se energjia e rinovueshme mbetet prioritet i qeverisë shqiptare. Duke folur në konferencën me biznesin e energjisë, Berisha theksoi se qeveria është e vendosur të bëjë çdo gjë për suksesin e tyre.
“Qeveria enegjinë e rinovueshme e ka prioritetin e saj më madhor. Në këtë kontekst ajo është e vendosur të bëjë çdo përpjekje brenda ligjeve të vendit për suksesin tuaj. Ne e konsiderojmë potencialin hidrik si pasuri e të gjitha pasurive të kësaj toke dhe shfytëzimet e ujërave si përparësinë tonë më madhore. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për një zhvillim të qëndrueshëm të Shqipërisë” ka theksuar Berisha.
Kryeministri Berisha theksoi më tej se qeveria është e vendosur për të shfytëzuar të gjitha pasuritë e vendit pasi sipas tij sektori energjitik mbetet sektori më i rëndësishëm për vendin.
"Do shndërrojmë në vlera asetet e këtij vendi. Shfrytëzimi i ujërave për energji elektrike është dhe do mbetet ndër përparësitë më madhore. Asgjë më të rëndësishme se energjia nuk ka në këtë vend. Energjia sot është problemi më madhor në Europë dhe në botë dhe do vazhdojë të mbetet problemi më madhor për tu zgjidhur. Rendja pas energjisë lehtësisht të siguruar është rendje drejt pasojave të pashmangshme tek klimës ndaj edhe ne mbetemi të vendosur për energjinë e rinovueshme”, tha Berisha.
Sipas kryeministrit, shtylla më e rëndësishme e zhvillimit të qëndrueshëm është energjia jeshile. "Sot në botë ka një inkurajim të madh dhe tërësor ndaj mjedisit. Ndaj ne mbetemi të vendosur ndaj kësaj energjie dhe pse ka edhe një shtrëngim për shkak të krizës” shtoi Berisha.
Kreu i qeverisë tha se janë firmosur rreth 120 kontrata për ndërtimin HEC-eve, dhe interesi është i madh dhe vazhdon për të tjera. “Në rast se në 30 vjet nuk u ndërtua asnjë hidrocentral, gjatë këtyre viteve kanë përfunduar mbi, 25 hidrocentrale, 21 që janë ndërtim nga e para, në total janë ndërtuar 46 HEC-e. Këto në fund të viti do të kenë një kapacitet prej 115 megavat.”- tha Berisha.
Kryeministri Berisha theksoi gjithashtu se do të ulen lejet që kompanitë konçesionare duhet të marrin, duke shtuar se sistemi “One stop shop” do të ulë edhe më shumë burokracitë të cilat sjellin vonesa.
Gjithashtu kryeministri Berisha i është përgjigjur edhe akuzave të opozitës në lidhje me koncesionet. “Ata të cilët përgojojnë koncensionet dëshmojnë se janë thashethemexhinj ordinerë nga të cilat ju s`duhet të ndikoheni, sepse unë mendoj se ju me përkushtimin tuaj po i bëni vendit një shërbim shumë të madh. Po shndërroni Shqipërinë në një superfuqi të vogël të energjisë së rinovueshme në rajon. Nuk duhet të keni asnjë llojë ndikimi nga anti-globalistët që ndjekin pariemet ekstremiste ideologjike por të mendojmë së bashku se si ne mund të punojmë më shumë” shtoi kryeministri.