Berisha: Energjinë do e blejmë me çdo çmim
Berisha para deputetëve të tij tha se një eurodeputet kishte të drejtë në vitin 2002 kur pati deklaruar se shqiptarët nuk kanë as ujë, as drita, prandaj nuk duhet të merremi me ta. Berisha: Tha një të vërtetë
Kryeministri Sali Berisha deklaroi në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PD-së se gjendja e emergjencës për shkak të reshjeve do të vijojë. Në mënyrë konstante vazhdojnë lidhjet me shtabet e qarqeve dhe rretheve dhe në përputhje me kërkesat e kryetarëve të komunave, komunitetet ndihmohen me medikamente dhe ushqime, pra me gjërat më bazë. Po punohet në të gjitha këto zona për të rivendosur trafikun dhe komunikimin. Dua tu them se në këtë proces vetë banorët kanë dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme. Njëra nga komunat me reshjet më të mëdha ka qenë Shishtaveci, por fshatrat kanë hapur dhjetë kilometër rrugë për tu bashkuar me qendrën e komunës. Dua të falënderoj ata vende dhe institucione për ndihmën e çmuar të ofruar për kapërcimin e kësaj situate. Ndonëse de facto gjendja e emergjencës ka rënë në shumicën dërrmuese të territorit, përsëri ajo do mbahet derisa të zvogëlohet më tej numri i fshatrave dhe më pas tu kalojë si kompetencë autoriteteve vendore. Falënderoj deputetët për punën shumë të madhe që kanë bërë. Angazhimi i tyre ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm, tha Berisha.
Duke komentuar sërish situatën energjetike në vend, Berisha tha se energjia do blihet me çdo cemin. Gjendja energjetike mbetet tejet e vështira. Kaskada është në nivelet më të ulëta historike. Vazhdon importi dhe mbetet në fuqi vendimi që për sa kohë do gjejmë, do e blejmë, duke e konsideruar si çmimin më të lartë të energjisë, blerjen e saj. Dua të theksoj se energjia është jetike për funksionimin normal të një vendi. Këta zotërinj që i linin qytetet e fshatrat nga 18 orë pa drita, nuk kanë dhembshurinë e parave të buxhetit se këto janë në fund të fundit para të taksapaguesve. Këta kanë hallin se duan me çdo kusht koha e tyre e regjimit të ndërprerjes së energjisë. Në mbyllje u rikujtoj atyre që mund të kenë harruar një seancë të Parlamentit Europian në vitin 2002. Një gazetar i bërë eurodeputet, pati thënë se këta jetojnë gjysmën e ditës pa drita, nuk kanë as ujë për tu larë, atëherë çna duhet të merremi me ta. Ky njeri nuk është se nuk i do shqiptarët, por tha një të vërtetë.
Gjatë këtij viti hyjnë në prodhim një seri hidrocentralesh që rrisin ndjeshëm kapacitetin. Projekte të tjera të mëdha janë në zhvillim e sipër, projektet më të mëdha në historinë e vendit si Kaskada e Devollit dhe projekte të tjera që shihen me interes shumë të madh nga biznesi ndërkombëtar, tha Berisha.