Sa i kushton një deputet taksapaguesit shqiptare?
Gazeta Shekulli, duke analizuar buxhetin e Kuvendit të Shqipërisë, arrin në përfundimin se një deputet na kushton ne nga 31.500 dollarë deri në 42.800 dollarë në vit. Gazeta ka analizuar pagat, dietat, honoraret, pagesat për karburantin dhe qiratë e deputetëve. Vërtet deputetët tani nuk kanë makina, por marrin pagesa të majme për karburant. Më poshtë janë disa të dhëna.
Pagat
Të gjithë deputetët marrin një pagë standarde prej 155 550 lekë në muaj (bruto), e cila pasi zhvishet nga detyrimet, siç janë Sigurimet Shoqërore, Sigurimet Suplementare dhe Tatimi mbi Të Ardhurat Personale, zbret në 123 951 lekë në muaj. Kjo është paga neto që kalon në llogaritë e deputetëve. Në total, paga vjetore që përfiton një deputet i Kuvendit të Shqipërisë, është 1 866 600 lekë.
Ndryshe nga deputetët, Kryetarja Kuvendit, nënkryetarët dhe kryetarët e Grupeve Parlamentare kanë pagë të niveleve të ndryshme. Paga e Kryetares së Kuvendit, është 226 950 lekë në muaj. Pas taksave, ajo zbret në 185 355 lekë. Tre nënkryetarët ndërkohë, kanë paga në nivelin e 186 150 lekëve në muaj. Kryetarët e Grupeve Parlamentare marrin një pagë mujore prej 178 883 lekë. Paga vjetore e tyre përllogaritet në rreth 2.1 milionë lekë. Në total, buxheti i shtetit paguan rreth 250 milionë lekë për të mbuluar vetëm pagat e deputetëve. Krahas kësaj, deputetët përfitojnë edhe 170 milionë lekë trajtime të tjera financiare. Cilat janë ato?
Dietat
Deputetët përfitojnë dieta për shërbime të ndryshme. Ata që nuk jetojnë në Tiranë për shembull përfitojnë dieta për pjesëmarrje në Punimet e Seancave Plenare, Mbledhjet e Grupit Parlamentar, Komisionet Parlamentare, etj. Shuma e dietave mujore varion nga 37 332 lekë deri në 74 664 në muaj. pjesa më e madhe e tyre përfiton masën 37 332 lekë në muaj. E përllogaritur në 12 muaj, ka deputetë që përfitojnë rreth 448 mijë lekë, por edhe nga ata që përfitojnë rreth 896 mijë lekë dieta.
Telefon
Të gjithë deputetët përfitojnë çdo muaj një kuotë të caktuar për shpenzimet e telefonit. Kuota është fikse, 17 000 lekë në muaj për secilin prej tyre, por ndryshon për kryetarët e grupeve parlamentare dhe kryetarët e komisioneve. Këta të fundit marrin një trajtim prej 20 mijë lekë në muaj për shpenzime telefoni. Nga ky trajtim përjashtohen Kryetarja dhe nënkryetarët e Kuvendit.
Honorare
Pjesëmarrja nëpër mbledhjet e komisioneve paguhet ekstra. Çdo deputet ka të përllogaritur në fillim të vitit një kuotë prej 16 mijë lekë në muaj për pjesëmarrjet në mbledhje. Kuota është përllogaritur e plotë, sikur deputeti do të marrë pjesë në të gjitha mbledhjet. Në rast se ai nuk merr pjesë në të gjitha, kuota përpjesëtohet me numrin e pjesëmarrjeve.
Karburanti
Rreth dy vjet më parë, deputetëve iu hoqën makinat personale, ndërsa Kuvendi merrte përsipër që ti trajtonte ata me një pagesë për shpenzimet e karburantit gjatë kryerjes së detyrave të tyre, siç është shkuarja në zonat elektorale, transporti vetjak, etj. Masa e shpenzimeve për karburantin u vendos mbi parimin: paguhet më shumë ai që ka zonën elektorale më të largët. Nisur nga kjo, deputetët e qarqeve të Kukësit, Korçës, Dibrës apo Gjirokastrës janë ata që marrin pagesa më të mëdha për karburantin për shkak të largësisë së këtyre zonave nga Tirana. Pagesa minimale e karburantit që përfiton një deputet është 37 mijë lekë në muaj. Këtë pagesë e marrin deputetët e qarqeve të Tiranës dhe Durrësit, të cilat presupozohet se nuk harxhojnë shumë për shkak të afërsisë së zonave të tyre elektorale me kryeqytetin. E shumëzuar me 12 muaj, një deputet e këtyre qarqeve merr 444 000 lekë nga Kuvendi për shpenzime karburanti në vit.
Shuma maksimale që jepet për shpenzime karburanti është ajo prej 57 mijë lekë në muaj. Trajtime të tilla marrin deputetët Flamur Noka (Kukës), Arta Dade (Gjirokastër), Qemal Minxhozi (Dibër), Bedri Hoxha (Dibër), Jemin Gjana (Dibër), Selami Xhepa, (Dibër), Sadri Abazi (Dibër), Fatos Hoxha (Kukës), Sherefedin Shehu (Dibër), Asllan Dogjani (Kukës), Besnik Dushaj, (Kukës), Ethem Ruka (Gjirokastër). Deputetët që trajtohen me një pagesë të tillë përllogaritet që brenda një viti të marrin 684 000 lekë për karburant.
Qira
Jo të gjithë deputetët kanë shtëpi në Tiranë, ku edhe zhvillohet aktiviteti kryesor politik. Nisur nga kjo, Kuvendi ka parë të udhës që të trajtojë financiarisht deputetët që nuk kanë shtëpi në Tiranë. Kështu, janë nëntë deputetë të kësaj legjislature që marrin një pagesë mujore prej 30 mijë lekë për të mbuluar shpenzimet e qirasë.