Berisha: Europa në një krizë tej imagjinatës, Shqipëria një sukses i jashtëzakonshëm
Kryeministri Sali Berisha foli në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për Samitin e Partive Popullore Europian. Në tavolinë ishin 17 kryeministra të BE-së, në 6 vende të tjera janë në pushtet. Faktikisht, qytetarët e Europës në mënyrë plebishitare po mbështesin qendrën e djathtë me besimin e madh se kjo platformë u jep përgjigje të shkëlqyer pyetjeve të tyre, tha Berisha.
Ai deklaroi se të pranishmit u lumturuan për fitoren e së djathtës në Shqipëri. Aty u raportuan fitore të shkëlqyera në Spanjë e Shqipëri, që u pritën me kënaqësi të veçanta. Partitë simotra kishin fituar në Moldavi, në Qipro. Nuk kishte moment më kuptimplotë e më besimplotë se të festohej 35 vjetori i PPE në këtë kohë. Ishte një moment i shkëlqyer për të informuar të gjithë pjesëmarrësit që nga kancelaria Merkel mbi zgjedhjet në Shqipëri e për rezultatin e tyre. Ne dhamë garancitë e plota për të vijuar reformat e për të bashkëpunuar me opozitën, tha Berisha.
Star-i i të gjithë takimeve ishte presidenti i PPE, Vilfrid Martins. Personalitet i shquar që udhëheq prej 20 vitesh PPE-në, atij iu kushtuan fjalimet më të bukura. Pa kontributin e tij, PPE nuk ishte kjo që është sot. Ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për sukseset e Partisë Demokratike.
Kryeministri tha se zona euro në BE është në një krizë të thellë, aq sa nuk imagjinohet.
Në samit u diskutua për krizën ekonomike në zonën euro, krizë e cila ka përmasa shumë të thella, që është shoqëruar me një papunësi që shkon nga 23 deri në 40 përqind në vendet e prekura thellë nga kriza e borxheve. Në diskutime, u bë një analizë e thellë e situatës, por u pa dhe një vendosmëri e madhe për të mobilizuar fondet për të ndihmuar vendet më të prekura. U theksua se jetike nuk janë paketat që ofrohen, por falimentimi do jetë i pashmangshëm nëse nuk ndërmerren reformat më të thella, privatizimet më të plota, kufizimi i shpenzimeve, reduktimi i administratës në maksimumin e mundshëm. Kriza është jashtëzakonisht e thellë nga sa mund të imagjinohet. Aty u shpreh vlerësimi për seriozitetin me të cilin qeveritë e këtyre vendeve e kanë marrë procesin e reformave dhe angazhimeve të tyre. Këto borxhe që marrin këto shtete janë borxhe të bankave, këto vende duhet të dalin nga kriza jo vetëm për interes të tyre, tha Berisha.
Ndërsa foli për krizën në Europë, Berisha tha se Shqipëria po shënon suksese historike. Dua të theksoj se një nga arritjet më historike të këtij eventi është suksesi i reformave ekonomike, reforma që bëjnë sot që Shqipëria të ketë jo rritje papunësie, por rënie të ndjeshme papunësie, duke qenë ndër të paktat vende në Europë e botë. Këto reforma bëjnë që Shqipëria të vazhdojë projektet e saj transformuese të vendit, reforma që bëjnë që Shqipëria të vazhdojë rritjen e rrogave e të pensioneve. Shqipëria vazhdon e ka vazhduar rritjen e madhe. Në kulmin e krizës u dyfishuan rrogat, kjo realisht duket e paimagjinueshme. Modeli ynë ekonomik funksionoi, pavarësisht nga llumi i balta që u hodh. Ky model është model i suksesit. Ekonomia jonë është hiperglobale, por falë reformave tona ne kemi rritje. Ne kemi administratën më të vogël dy herë më pak se çdo vend i rajonit. U angazhuam në privatizimin më të thellë dhe shpëtuam korporatat nga korrupsioni. Pasi ulëm taksat, ne dyfishuam të ardhurat në harkun kohor të katër vjetëve. Në 5 muajt e parë të këtij viti janë regjistruar sipërmarrje fason 20 kompani të reja, kundrejt vetëm 5-10 që regjistroheshin në vitet e mëparshme. Mos harroni se kompanitë fason janë kompanitë e punësimit më masiv, më të fuqishëm. Si u dyfishuan? U hoqëm taksat, tha Berisha.
Kryeministri iu përgjigj deklaratës së FMN-së për rritje taksash. Fondi jo pa arsye kërkon rritje taksash, por modeli ynë funksionon, tha Berisha.