Deklarata/Ministria e Brendshme: “Në manifestimet e opozitës, persona me precedentë kriminalë”
Ministria e Brendshme reagoi zyrtarisht dje, duke i kërkuar Partisë Socialiste, të distancohet sa më parë nga personat me precedent penal, verifikuar kjo pas shoqërimeve në polici ditët e fundit të disa protestuesve të dhunshëm
Ministria e Brendshme ka shprehur shqetësim për cenimin e rendit dhe sigurisë dhe shkeljen flagrante të ligjit nga veprimet e strukturave të Partisë Socialiste në disa qarqe të vendit gjatë ditëve të fundit. Grumbullimet dhe manifestimet e paligjshme dhe pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor, të dyja vepra penale të parashikuara në ligj, në disa raste janë shoqëruar edhe nga kundërshtime me dhunë të punonjësve të policisë.
Ministria e Brendshme disponon tashmë të dhëna të sakta se kundërshtimet me dhunë të punonjësve të policisë gjatë manifestimeve të paligjshme të Partisë Socialiste, janë kryer dhe nxitur nga persona të evidentuar me precedentë kriminalë.
Në radhët e personave të arrestuar, të ndaluar, të shoqëruar apo proceduar në gjendje të lirë, pas manifestimeve të paligjshme dhe pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit, të paktën 2 persona në Tiranë, 2 në Durrës, 4 në Shkodër, 4 në Gjirokastër dhe 2 persona në Berat figurojnë të evidentuar me precedentë kriminalë.
Përfshirja e personave me precedentë kriminalë në manifestimet në kundërshtim me ligjin që ka zhvilluar Partia Socialiste në disa qarqe të vendit, përbën një rrezik serioz për rendin dhe sigurinë publike. është evident tashmë edhe fakti se Partia Socialiste po angazhon në manifestimet e saj të paligjshme edhe punonjësit, policët bashkiakë dhe zyrtarët e administratës të njësive vendore që ajo qeveris.
Ministria e Brendshme i bën thirrje Partisë Socialiste të distancohet nga personat me precedentë kriminalë të angazhuar në aksionet e saj politike, të mos keqpërdorë administratën vendore që ka nën kontroll, dhe më e rëndësishmja të heqë dorë nga veprimet dhe manifestimet që cenojnë rendin dhe ligjin. Ministria e Brendshme, duke i bërë thirrje Partisë Socialiste të ndalë kërcënimet ndaj drejtuesve të Policisë së Shtetit, shpreh mbështetjen e plotë për punën dhe angazhimin e strukturave të Policisë së Shtetit në të gjithë vendin, të cilat në çdo rast kanë qëndruar në lartësinë e detyrës, duke mbrojtur ligjin e njëherësh duke respektuar maksimalisht të drejtat dhe liritë e qytetarëve.