E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Fale o zot se nuk di çbën

Këtë postulat biblik kryeministri Berisha ia adresoi kryetarit të opozitës, Edi Ramës, në lidhje me qendrimin e tij mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve të 28 qershorit. Dhe duke iu rikthyer komenteve mbi zhvillimet e asamblesë socialiste, e cila miratoi rezolutën Rama për mosnjohjen e zgjedhjeve, por duke shënuar një precendent të ri, pasi nuk lejoi prezencën e medias, kreu i qeverisë tha se mbledhja e saj e riktheu partinë më të madhe në opozitë në pleniumet e partisë së punës.
Berisha “Sa për pjesën tjetër, ajo që mund të them për ta, është: “shih e shkruaj”. Ajo që ndodhi dje me ta, për shumë të rinj që patën fatin e madh e të mirë që të mos përjetonin asnjë ditë në diktaturë, mund të kalojë si një gjë e parëndësishme. Por për ne, që kemi përjetuar për dekada diktaturën, ai ishte rikthimi i të shkuarës më të zezë të historisë së Partisë së Punës së Shqipërisë, me një emër të ri. Pas 18 vitesh, u mblodhën në errësirë, në terr informative dhe, nuk lejuan kamerat të marrin qoftë edhe një pamje të vetme e t’u tregonte shqiptarëve se çfarë po ndodhte.. Errësira është kriteri i tij, terri është kriteri i vërtetë i tij. Ai ishte një atavizëm i atij që ka frikë nga vetja e tij, ka frikë nga rrezja e dritës. Pas 9 orë takimi të fshehtë, sikur të ishte plenium i Komitetit Qendror, zgjodhi për fytyrë të re për të komunikuar me publikun, ish Ministrin e fundit të Sigurimit të Shtetit, Gramoz Ruçin. Më lejoni këtu, që, në emrin tuaj, t’i deklaroj z. Rama se ne respektojmë plotësisht Partinë Socialiste dhe çdo forcë tjetër politike, si një pasuri të madhe të pluralizmit të vendit. Por disa rregulla dhe standarde janë të detyrueshme. Ne nuk merremi me faktin se kush vjen e kush rri në krye të partisë, nuk merremi me faktin nëse iu pre apo jo mandati ndokujt, sepse ato janë probleme të statutit të tyre. Por, ne merremi me transparencën dhe me disa standarde, sepse nuk mundesh që ta përdorësh lirinë për të zhytur në errësirë një forum të tërë, nuk mundesh të vesh mure komunikimi me publikun. Megjithatë, meqenëse ai është në panik dhe në dëshpërim të madh, tek e fundit, le t’ia falim edhe kësaj here, sepse nuk di se ç’bën. “Falja Zot se nuk di se ç’bën”, kaq mund të themi për të.”
Këto komente kryeministri i bëri në Lezhë pas inagurimit të rrugës Tale – Bregdet. Ky segment ka një gjatësi prej 10 kilometrash dhe konsiderohet si mjaft i rëndësishëm për zhvillimin e kësaj zone bregdetare. Duke folur mbi investimet në infrastrukturën rrugore, shefi i ekzekutivit premtoi se brenda vitit 2010 nuk do të ketë më rrugë të paasfaltuara përgjatë gjithë vijës bregetare të vendit.
Berisha “Ju garantoj se vitin që vjen, plazhi i Tales, do të jetë një nga më të kërkuarit, një nga më të preferuarit, sepse i ka të gjitha bukuritë, ka të gjitha kushtet, ka një rërë të mrekullueshme, ka detin ndër më të pastrit dhe ka mbështetjen për furnizim ndër më të shkëlqyerat. Në këtë mënyrë, ne nxisim edhe njëherë zhvillimin e kombit në brigjet e detit. E gjithë përpjekja jonë është përpjekje për të kthyer kombin për së mbari dhe, për së mbari është kombi që shikon nga deti. Ne po përfundojmë ndërtimin e kësaj rruge, pas disa ditësh do të inaugurojmë rrugën Mamurras - Patok dhe, nga Velipoja, deri në Ksamil, në mënyrë absolute, brenda vitit 2010 nuk do të ketë rrugë dhe rrugicë që të çon drejt detit, të pa asfaltuar.”
Kryeministri tha gjithashtu se së shpejti do të inagurohet unaza në qytetin e Laçit, do të nisë rikonstruksioni i tribunës së Stadiumit të këtij qyteti, do të inagurohet Rruga e Patokut si dhe dy lotet e para të rrugës së Arbrit, duke i kthyer kështu në realitet premtimet e bëra në fushatën elektorale.
Berisha “Duhet që shqiptarët, kudo që janë, të ndjejnë se kanë edhe bregdet, të ndjejnë se ata mund të pushojnë në vendin e tyre, mund të pushojnë në Shqipëri. Duhet që Shqipëria të marrë peshën dhe rëndësinë që i ka dhënë pozicioni gjeografik, portet e saj duhet të jenë portet më të rëndësishme të rajonit. Ndaj do ta bëjmë e shpejtësi të madhe edhe atë rrugë dhe ajo do të sjellë turistë, do të sjellë mallra shumë më tepër.”
Kreu i qeverisë tha se zotimi më i madh i qeverisë së tij në katër vitet e ardhshme do të jetë furnzimi me 24 orë ujë të pishëm në çdo familje, si dhe vaditja e tokave, një tjetër projekt që sipas kryeministrit, do të bëhet realitet brenda një kohe të shkurtër, në mënyrë që të gjithë fermerët shqiptarë të jenë të barabartë me ata europianë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›