E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Faleminderit Bankes Islamike per rrugen Tirane-Elbasan

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Presidentin e Bankës Islamike për Zhvillim, Amad Mohammed Ali, i shoqëruar nga një ekip drejtuesish e ekspertësh të bankës.

Ai u shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe asistencën e kësaj banke për financimin e projekteve me rëndësi të madhe në fushën e transportit dhe të shëndetësisë në Shqipërinë, si projekti për rrugët dytësore dhe lokale, rrugën Kalimash-Rexhepaj, apo spitalet e Durrësit dhe Kavajës.

Në mënyrë të veçantë, Kryeministri shprehu mirënjohjen dhe falënderimet për financimin e projektit për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan me një shumë prej 222.7 milionë USD, si projekti më i madh i kësaj banke në vendin tonë. Kryeministri theksoi rëndësinë e madhe që ky projekt ka nën kontekstin e Korridorit 8-të dhe impaktin që ai sjell për vendin.

Kryeministri bëri një paraqitje të zhvillimeve në ekonominë shqiptare, reformave të suksesshme ekonomike dhe fiskale, që kanë krijuar një klimë tepër të favorshme për investimeve në shumë fusha, si dhe parashtroi potencialet e mëdha të Shqipërisë në fushën e transportit, energjisë, turizmit, bujqësisë etj.

Presidenti Ali shprehu kënaqësinë që Banka Islamike për Zhvillim është e pranishme dhe kontribuese në projekte zhvillimore në Shqipërisë dhe ritheksoi impenjimin për angazhime të tjera serioze të këtyre përmasave, në të ardhmen.
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›