E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luan Bregasi takon drejtoreshën e CIPE për Evropën Lindore

07/04/2011  Bashkëpunimi

Presidenti i BiznesAlbania, Luan Bregasi, takon Natalia Otel Belan, Drejtore e Programit të Evropës Lindore dhe Kaukazisë, e Qendrës për Sipërmarrje Private Ndërkombëtare (CIPE). Shefja e zyrës rajonale, me qendër në Bukuresht, Rumani ka përshëndetur krijimin e Organizatës së Punëdhënësve të Shqipërisë dhe ofron bashkëpunim mes CIPE dhe BiznesAlbania në fusha me interes reciprok. Belan ishte në Shqipëri në kuadër të një projekti rajonal që ka të bëjë me dialogun publik-privat si një mjet efektiv për politikat në favor të priorizimit të rolit dhe funksionit të organizatave të punëdhënësve në Shqipëri. Në takim, zoti Bregasi e njohu zonjën Belan me rolin dhe funksionin e BiznesAlbania në raport me sipërmarrjen vendase, në komunikimin me zyrtarët publikë, por edhe si partnere potenciale e BUSINESSEUROPE, organizata mëmë evropiane me organizata të tilla në më shumë se 40 vende të Evropës dhe jo më pak se 20 milionë ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Bregasi u ndal në punën e bërë nga kjo organizatë sidomos në organizimin e tryezave të debatit mes aktorëve të ndryshëm të komunitetit të biznesit, të qeverisë dhe ekspertëve, ku ai vlerësoi konferencën e fundit shkencore për amnistinë fiskale, ku BiznesAlbania uli në tryezë përfaqësues politikë të mazhorancës dhe opozitës. Belan vlerësoi si arritje të dukshme krijimin e BiznesAlbania. Ajo theksoi se Shqipëria paraqitet më e avancuar për sa i përket organizimit të biznesit, në raport me vendet e rajonit. “Kjo është vizita ime e 9-të në Shqipëri, para 8 vitesh unë kam punuar për Bankën Botërore në Shqipëri dhe kam katër vjet që punoj për CIPE-n. Më vjen mirë që në Shqipëri biznesi e ka kuptuar drejt nevojën e organizimit të tij”, theksoi Belan. Duke u interesuar për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të BiznesAlbania, drejtore e CIPE-s tha se “është e nevojshme që biznesi të flasë me një zë dhe se kjo është një gjë e vështirë, ka mosbesim, ndërkohë që edhe klima politike, në përgjithësi, e vështirëson këtë gjë, duke ushtruar presion mbi shoqatat e biznesit”. Zoti Bregasi premtoi rritjen e bashkëpunimit mes institucionit të rëndësishëm që ajo përfaqëson dhe organizatës së re të sipërmarrësve shqiptarë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›