E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnistia fiskale, kush legalizohet

07/04/2011  Deklarimi i shitjes së apartamenteve

Nëse një apartament i blerë në vitin 2002, kushtonte 30 mijë USD dhe nëse shitet sot kushton 100,000 euro, ka një diferencë në vlerë prej rreth 100,000 USD, çka do të bënte që tatimi në masën 10% të ishte 10,000 USD. Duke bërë rivlerësimin qytetari do të paguajë vetëm 1,000 USD. “Është një lehtësim për tregun imobilar në Shqipëri duke i krijuar mundësi të gjithë individëve që të rivlerësojnë pasuritë e tyre”, - tha Bode. Në perspektivë ky deklarim i lehtëson qytetarët nga presioni i pagimit të një takse disa herë më të lartë se ajo që ftohen të paguajnë përmes amnistisë.

Komisioni për Ekonominë miratoi draftin vetëm me votat e mazhorancës

Bode: Biznesi ka propozuar të tjera shifra, janë objekt diskutimi në komision

Ligji i për amnistinë fiskale ka kaluar në Komisionin për Ekonominë pavarësisht mungesës së votave të opozitës. Drafti u diskutua dhe miratua vetëm nga deputetët e mazhoarnacës, ndërsa opozita ka braktisur sallën, duke kundërshtuar mënyrën sesi po miratohet amnistia fiskale. Ata refuzuan të dëgjojnë shpjegimet e ministrit të Financave, i cili bëri një prezantim të plotë të gjithë ndryshimeve të pritshme. Ai theksoi se propozimet e biznesit për tarifat që do të zbatohen për amnistinë do të jenë objekt diskutimi nëpër komisione dhe mund të ndryshojnë.

Diskutimi

Ky është një prej dy varianteve të amnistisë dhe kërkon shumicë të cilësuar në Parlament, i cili përbëhet nga 36 nene. “Kjo çështje kaq e rëndësishme nuk mund të diskutohet sot për nesër. Dje me urgjencë keni shpërndarë një ligj që nuk është në kalendar. Vetëm dje keni shpërndarë këtë ligj. Ne nuk mund të vijmë të diskutojmë një ligj, që për hir të së vërtetës nuk është as ligj. Pse? Se ka ardhur me dy variante dhe ka ardhur në shkelje të plotë të procedurës kushtetuese. Ky ligj kërkon kalendar të posaçëm të dy komisioneve, atij të ligjeve dhe ekonomisë. Nuk mund të diskutohet vetëm në një seancë, por me të gjitha grupet e interesit. Është një akt provokativ kundrejt opozitës, dhe këtë e kupton gjithkush”,- tha deputeti i PS-së, Erion Braçe. Më herët ata dëgjuan edhe propozimet e Dhomës së Tregtisë, për të gjitha termat e amnistisë fiskale sidomos tarifave për legalizimin e aseteve dhe makinerive.

Përfituesit

Ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi në komision se kategoritë që përfitojnë nga amnistia fiskale janë individët, biznesi i vogël dhe ai i madh. Kjo paketë sipas tij ka vendosur në epiqendër të saj qytetarin dhe mundësinë që të gjithë individët, qytetarët të mund të deklarojnë gjendjen e tyre fiskale financiare, raportet e tyre ligjore në fushën e taksave pikërisht në periudhën që shtrihet amnistia fiskale. Kjo është e domosdoshme, pasi duke filluar nga viti 2011 qytetarët do të deklarojnë të ardhurat e tyre. “Biznesit i falet gjithë borxhi tatimor e doganor, me të gjithë komponentët, borxhet dhe kamatëvonesat deri më 31 dhjetor të vitit 2008. Biznesit u falet kamatëvonesat dhe gjobat për detyrime sigurime shoqërore e shëndetësore të papaguara për të gjitha kategoritë. Individët janë të lirë të deklarojnë të gjitha shumat monetare që disponojnë dhe i kanë të palegalizuara duke paguar një vlerë 3% të shumës. U falen tatimet dhe taksat e papaguara deri në fund të vitit 2010 qofshin taksa lokale apo kombëtare”,- tha Bode. Në këtë iniciativë nuk përfshihen detyrimet tatimore e doganore për vitin 2011, si dhe një pjesë e atyre të viteve 2009 dhe 2010. Sipas Bodes, bizneset duhet që të përfitojnë nga ky proces që të formalizojnë njëherë e përgjithmonë marrëdhënien me administratën fiskale. “Nuk përfitojnë nga kjo amnisti të gjitha veprat penale që bëjnë pjesë në veprimtarinë e krimit të organizuar, përfshirë dhe kundërvajtjet penale që kanë të bëjnë me fshehjen dhe mospagimin taksave”, - tha Bode. Falen gjithashtu detyrimet e papaguara për makinat e importuara deri në fund te vitit 2010, siç janë gjobat dhe interesat e llogaritura në doganë, nëse paguhet 50% e principalit të detyrimit. Sa i takon biznesit të madh tarifa për pasuritë e paluajtshme është 6% e diferencës që rrjedh nga rivlerësimi dhe 7% për makineri e pajisje. “Deri më sot e drejta për rivlerësimin e aseteve, pa i amortizuar në llogarinë e vitit ushtrimor ekziston dhe është me tarifë 0, por nëse kërkohet që të rivlerësohen asetet për t’u amortizuar, pra për t’u përfshirë në llogarinë e vitit ushtrimor, për të ulur fitimin përmes rritjes së shpenzimeve, ne kemi propozuar këto parametra. Ndërkohë që nga biznesi janë propozuar të tjera shifra, të cilat mendoj që janë objekt diskutimi në komision..”, - tha Bode. Sipas tij, shifrat i japin biznesit të drejta për të përfituar një ulje të të ardhurave të ardhshme në masën 30 – 40% të tatimit mbi fitimin.

Tabelë

Nuk janë përfshirë :

Detyrimet tatimore e doganore për vitin 2011, si dhe një pjesë e atyre të viteve 2009 dhe 2010, dhe bizneset duhet që të përfitojnë nga ky proces që të formalizojnë njëherë e përgjithmonë marrëdhënien me administratën fiskale.

Nuk përfitojnë nga kjo amnisti të gjitha veprat penale që bëjnë pjesë në veprimtarinë e krimit të organizuar, përfshirë dhe kundërvajtjet penale që kanë të bëjnë me fshehjen dhe mospagimin taksave.

Nuk përfshihen të gjithë zyrtarët e lartë, si dhe personat e lidhur me ta që kanë apo kanë pasur detyrimin për deklarim të pasurisë së tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›