Berisha: Falenderoj Bashkinë e Lezhës për festën. Respektoi frymën e Lidhjes së Lezhës
Kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, ka sulmuar sërish opozitën, duke e cilësuar atë si bllokuese të integrimit të Shqipërisë, ndërsa pohoi se ajo po tregohet hipokrite me ish të përndjekurit politikë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha është ndalur veçanërisht tek incidenti i ndodhur me rastin e 2 marsit në Lezhë. Ai ka falenderuar bashkinë e Lezhës për organizimin e festës, duke thënë se ajo respektoi frymën e Lidhjes së Lezhës. Sipas Berishës, pretendimet e presidentit Topi se ju hoq fjala dhe se kreu i opozitës, Edi Rama, nuk u ftua, janë thjesht gënjeshtra
Rama nuk pranon realitet tjetër, përveç programit të bllokimit. Për këtë, qeveria është armike, ndaj së cilës duhet të bësh gjithçka, ta rrethosh me gurë e zjarr etj. Por, ne kemi vullnet për bashkëpunim. Opozita duhet të heqë dorë nga rruga e bllokimit, sepse kjo rrugë dëmton vetëm atë.
Ne e kemi prioritet të veçantë integrimin dhe për këtë gjë do të bëjmë gjithçka është e mundur.
Vonesa për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve ka ndodhur për shkak të ndryshimit të ligjeve. Kjo nuk ka qenë një mungesë ndjeshmërie nga ana jonë.
Unë e pashë zotin Rama që kishte mbledhur nja 3-4 vetë në atë mbledhje. Por, të marrësh ti njerëz që kanë vuajtur në burgje dhe ti vendosësh para Gramoz Ruçit dhe miliarderëve është e rëndë. Por, ata ja thanë zotit Rama në sy. I thanë edhe që nuk u dha asnjë para për pesë vjet, ndërkohë që shpërblyen Nexhmien. Të paktën për anën më formale, nuk mund tu nxirrte atyre Gramoz ruëin, ministrin e fundit të torturës në kohën e komunizmit, pasi ministry i Rendit ishte i tillë.
Në fund, dua të falenderoj bashkinë e Lezhës dhe qytetarët e saj, që bënë një organizim të shkëlqyer për Lidhjen e Lezhës. Në ftesa, Bashkia e Lezhës kishte mbajtur pikë për pikë frymën e asaj lidhje. Tjetër punë pastaj se dikush tha që nuk mora ftesën, tjetri nuk tha që do shkojë apo jo. Çdo zhurmë tjetër është absurde. Nuk ka asnjë lidhje me realitetin. Këtë ua them me përgjegjësinë më të madhe, tha Berisha.
