E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, PS: Mos bllokoni statusin, dëmtoni veten

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje opozitës dhe kreut të saj të mos punojnë për bllokimin e reformave dhe të statusit kandidat për Shqipërinë, pasi kështu nuk dëmtojnë qeverinë, por veten e tyre.

Duke shprehur vendosmërinë për bashkëpunim me opozitën në kuadër të integrimit, Berisha ka theksuar se statusi duhet të jetë një proces i merituar.

Berisha ka akuzuar opozitën dhe kreun e saj si bllokues të statusit dhe kjo ndodhi me kërkesën për amendim në Kodin Penal për fajin kolektiv, që erdhi posacërisht në kohën kur pritej vlerësim nga BE për Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, për vendet anetare të BE dhe KE procesi i integrimit nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë ndryshe se i mbështetur nga gjithë forcat politike, proces në të cilin secila forcë të ndihet se ka kontributet e tij.

Por e kuptoni që rastisa në Bruksel ditën pasi ishte bërë dy muaj punë serioze në komisionin e Ligjeve për paketën e Kodit Penal, pasi ishin bërë një seri amendamentesh serioze në këtë paketë, në mbledhjen e grupit kreu i PS urdhëron grupin të mos votohet paketa dhe për të mbuluar këtë vendim paraprak sollën amendamentet absurde të fajit kolektiv- tha Berisha.

Ai ka akuzuar Ramën se sheh si rrugë të vetëm ardhjen në pushtet, dështimet dhe bllokimet që i keqkalkulon, që i bazon në një arsyetim të hedhur poshtë në zgjedhjet e 2011 nga qytetarët, por vazhdon të besojë se një zinxhir dështimesh të cfarëdolloj penalizojnë qeverinë dhe jo opozitën edhe kur ajo është shkak direkt i tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›