Berisha: Fazlliçin më mirë ta kisha çuar në Kuvend, “Klan”-i ma censuroi
Është censuruar ose jo intervista e Damir Fazlliçit në emisionin “Opinion” të TV “Klan”, është pyetja e cila duket se do rindezë një debat të ri, por jo mes opozitës dhe mazhorancës. Ishte kreu i qeverisë, Sali Berisha, i cili do të shprehej dje se “censurimi i intervistës së Fazlliçit ka ardhur nga televizioni “Klan” dhe se ai s’ka gisht në këtë çështje. Duke e cilësuar Fazlliçin dhe një herë në mbledhjen e qeverisë si një mik të tij, Berisha u shpreh se bëri gabim që nuk e thirri Fazlliçin për të folur në Kuvend, duke lënë të kuptohet se bëri gabim që e la në dorë të një televizioni pranë tij.
Por vetë intervistuesi i Fazlliçit, Blendi Fevziu, gjatë një emisioni në televizionin “Ora News” u shpreh se intervista e Fazlliçit nuk është censuruar në asnjë pjesë të saj. Në lidhje me ndërprerjen e dyshimtë të intervistës, e cila është dhe pjesa më e komentuar e kësaj çështjeje, Fevziu tha se nuk është censuruar askush, vetëm se ka qenë një gabim montazhi, i cili ka sjellë dhe dyshimet se intervista është censuruar.
Kryeministri
Berisha, në seancën e Kuvendit të zhvilluar përpara disa ditësh, u shpreh se, nëse Fazlliç flet, atëherë më keq në këtë rast do e kenë socialistët. Por në ndryshim me deklaratat e Berishës, Fazlliç u shpreh në mënyrë të turbullt për një keq-qeverisje të socialistëve në periudhën që ai ka qenë për herë të parë në Shqipëri. Fazlliç në këtë pjesë nuk foli se kë ka takuar nga eksponentët e majtë në atë kohë dhe se cili ishte vërtet qëllimi i ardhjes së tij në Shqipëri. Që të besohet se “investitori” Fazlliç u largua, sepse në vend sundonte korrupsioni dhe ai s’kishte siguri, kjo është paksa e dyshimtë, po të kemi parasysh se aktiviteti i tij qendror, siç e pranoi dhe vetë, ndodhet në Qipro, vend i akuzuar për natyrën korruptive që ka shteti atje, dhe se shpesh përdoret si strehë trafikantësh, për mbulim të veprimtarive të dyshimta, por edhe për pastrim parash.
Opozita
Ajo çka ra në sy dje ishte dhe heshtja e socialistëve përpara deklaratave të Fazlliçit. Ky i fundit në asnjë rast nuk e mohoi që ishte mik i Berishës dhe familjes së tij. Akuza, për të cilat socialistët ngritën goxha debate një ditë më parë. Ndërkohë dje, pas intervistës së tij, opozita heshti para Fazlliçit. U duk sikur ky i fundit më shumë se dha një intervistë, bëri një paralajmërim dhe për opozitën shqiptare, e cila duket se në trafiqet e Fazlliçit ka dhe ajo mëkatet e veta gjatë kohës që ka qenë në pushtet.