E Shtunë, 31 Tetor 2026

GJYKATËSIT - SHKRIMTARË TË EUROPËS, DHE NJË I DËNUAR SHQIPTAR



Shoqata europiane e gjykatësve-shkrimtarë në Romë i kërkon falje shkrimtarit Visar Zhiti për dënimin monstruoz, që i dhanë kolegët e tyre shqiptarë. Një i dënuar shqiptar i diktaturës tronditi juristët europianë. Nuk ka shumë rëndësi që kjo ishte midis shkrimtarësh. Por, megjithatë, ka domethënien tronditëse. Se shkrimtarët e dënuar në Shqipëri kanë pasur për dëshmitarë, provokues apo akt-ekpertizues, kolegët e tyre, shkrimtarë të tjerë dhe intrigat më të mëdha, prapaskenat, nuk u bënë nëpër vepra, por në jetë, me epilogë salla te errëta gjyqesh e skudra pushkatimi. Por a do të dinë të kërkojnë falje ndonjëherë? Sa më e largët të jetë ajo ditë, aq më afër krimit do të mbetemi. Madje, dhe bashkëfajtorë pranë gropës së hapur. Vetë Kuvendi i Tretë i shoqatës europiane të gjykatësve-shkrimtarë mori emrin “Kuvendi i faljes”.

Eda AGAJ
Shoqata europiane e Juristëve-shkrimtarë u mblodh në Romë, në Kuvendin e saj të Tretë. Kjo veprimtari e veçantë lajmërohej edhe nga angjensia e lajmeve ANSA, nga gazeta e revista të ndryshme, si “Repubika”, nga media elektronike, etj.
Në rrugën e famshme “Vittorio Veneto”, në krye të së cilës është dhe një pllakë memoriale që tregon se pikërisht aty është xhiruar filmi i njohur “Dolce vita” i De Sika-s, në anë të saj, në Hotelin “Majestic”, pikërisht në sallonin mondan gjithë shkëlqim “Verdi”, ishte caktuar vendi i tubimit, si një antitezë e sallave të gjyqit, ku kujtimi i qelive ishte nje torturë e vërtetë. Në hyrje ishte dhe një ekspozitë e fotografit të filmit të lartpermendur të kësaj rruge, Carlo Riccardit, me të cilin gjykatësit kishin patur punë, e kishin thirrur dikur në një proçes gjyqesor si paparac, për ndërhyrje në jetën e të tjereve me ato shkrepjet e aparatit të tij.
Tema e kuvendit është “Poezia e Drejtesise”, do të thoshte kryetari Gennaro Francione, gjykatës - romancier e dramaturg, eseist gjithashtu, autor edhe i nje drame per Skenderbeun. Ndërsa presidenti artistik i Kuvendit, Stefano Leconte, do ta çelte takimin me nje homazh magjistratit Ugo Betti, njërin prej tre dramaturgëve më të mëdhenj italianë, së bashku me Pirandelon dhe Eduardo De Filippo-n. Në kete gjysmë shekulli, do të theksonte ai, rreth 130 gjykatës shkrimtarë po japin një dukuri unikale në letërsinë e të gjitha kohëve. Dyzet magjistratë të tjerë, si Umberto Apice, Paolo Auriemma, Antonio Bevere, Valentino de Nardo, Luigi Condemi, Giovanni Gazzara, Alfonso Malinconico, Italo Radoccia, por dhe avokatë si Giovanni Cipollone, Luigi di Majo, Massimiliano Kornmuller, Francesco Petrillo, Donato Mario Pugliese, etj., dhanë relacionet e tyre eseistike.
* * *
I ftuar Nderi ishte zgjedhur shkrimtari Visar Zhiti, ish i burgosur politik. Ai u thirr në skenë, ku e prezantuan dhe si zv/ambasador në Ambasadën e Shqipërisë në Itali. Pyetjet ishin të shumta e nga më të papriturat. Të pranishmit donin të dinin se si u dënua në vendin e tij, përse, a janë dënuar dhe të tjerë duke patur si shkak vetëm poezinë, a mundej të shkruaje edhe në burg, si ruheshin shkrimet, si mund t’i nxirrje ato nga qelitë, etj, etj.
Pas rrëfimeve emocionuese të Visar Zhitit, Kryetari i shoqatës europiane të juristëve-shkrimtarë, Gennaro Francione, ndër të tjera tha se gjykatësit edhe gabojnë dhe dënimi s’është gjithmonë i drejtë, por është e tmerrshme të dënosh të tjerët për poezitë e tyre. Kështu më shumë jemi të vetëdenuar. Kush jemi ne, që kemi të drejtë të dënojmë, thirri ai si një Hamlet. Unë si jurist, vazhdoi, e ul kokën tani dhe, po të kisha togën e gjykatësit këtu, do t’ia jepja Visar Zhitit.
Me një veprim dhembjeje, Francione, në emër të gjithë gjykatësve të botës, bëri atë që s’ishte bërë ndonjëherë, i kërkoi falje Visar Zhiti, sepse gjyqi, tha ai, kudoqoftë ai gjyq, kishte dënuar një poet. Jam në momentin më të lartë të jetës, perfundoi ai.
Ky është (anti)gjyqi im, ku unë erdha me dëshirë, e mori fjalën Zhiti, dhe i ndodhur para faljes së parë që më kërkohet, jam i emocionuar dhe besoj tek drejtësia e faljes. Po unë kam shokë të pushkatuar dhe e drejta e faljes, sublimisht, është e tyrja. Poezia që ata lanë, është më e fortë se diktaturat.
Mes duartrokitjeve të shumta, Visar Zhiti më pas lexoi në gjuhën amtare poezi të shkruara në burg, kurse të perkthyera në italisht i lexuan gjykatësit italiane, pjesëmarrës ne këtë kuvend. Edhe ne po bëjmë antisentencën, thanë ata.
* * *
Një tjetër ndërhyrje tronditëse ishte edhe nderimi post mortum i një gjykatësi nga ishulli i Iskias, njëkohesisht dhe shkrimtar, Enrico Monti. E bija e tij, Johanna, solli kujtime të të atit nga kampet e përqendrimit në Gjermaninë naziste, permbledhura ne librin e njohur Kappusta, ku vuajtja dhe vdekja ngjanin si dy pika loti me ato të komunizmit.
Sipas diskutantëve, ishin të nevojshme kultura dhe artet, që drejtesia të bëhej më e drejtë dhe brezave të rinj t’u mesohej etika nëpërmjet së bukurës. Performansat dramatike si “Himni i Bukurisë - nga qelia e Dostojevskit” dhe monologët nga vepra të Molierit e të autorëve të pranishëm, përforcuan motivin mbyllës të kuvendit: “E bukura do ta shpetojë botën”. Por kulmi u konsiderua nga të gjithë çasti real i faljes, kur gjykatësit u përulën para të dënuarit të tyre dhe vetë Kuvendi i Tretë i shoqatës europiane të gjykatësve-shkrimtarë mori emrin “Kuvendi i faljes”.
Një i dënuar shqiptar i diktaturës tronditi juristët europianë. Nuk ka shumë rëndësi që kjo ishte midis shkrimtarësh. Por, megjithatë, ka domethënien tronditëse. Se shkrimtarët e dënuar në Shqipëri kanë pasur për dëshmitarë, provokues apo akt-ekpertizues, kolegët e tyre, shkrimtarë të tjerë dhe intrigat më të mëdha, prapaskenat, nuk u bënë nëpër vepra, por në jetë, me epilogë salla te errëta gjyqesh e skudra pushkatimi. Por a do të dinë të kërkojnë falje ndonjëherë? Sa më e largët të jetë ajo ditë, aq më afër krimit do të mbetemi. Madje, dhe bashkëfajtorë pranë gropës së hapur.

11 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›