E Diel, 1 Nëntor 2026

Fazlliç, i skeduar nga NATO për fshehjen e vrasësit të Xhinxhiçit

Nga Tema

Është rast i rrallë. Nëse do të kërkosh me Damir Fazlliç në google.com, për të parë se ç’ka të skeduar mediumi më i madh në botë, në 32 mijë rezultate të gjeneruara, nuk do gjesh askund një përshkrim me nota paqësore për të. Gjithmonë një mbiemër nga pas do e shoqërojë dhe, nëse do kesh durim të shfletosh faqet e internetit, do shohësh se në mbi 70 për qind të rasteve ai quhet shqeto mafioz, e në pak raste quhet biznesmeni kontrovers.

Përveç një ose dy adashëve të tij, që lundrojnë nëpër forume sociale, emri i tij nuk do të shfaqet kurrë në një shkrim pa emra të tillë në krah si Legija, Oriç, Lazareviç, Petraç e një lumë emrash të krimit në rajon. Po të kërkosh në google.com/news, rezultatet në njëqind për qind të rasteve tregojnë se media të ndryshme, nga Italia, Hungaria, Franca e quajnë atë... thjesht mafioz.

Skedimi nga NATO

Organizata që merret me sigurinë në botën perëndimore, NATO, ka skeduar që para pesë vitesh të dhënat që shpërndaheshin në lidhje me Damir Fazlliç dhe implikimin e tij në vrasjen e Zoran Xhinxhiç. Nën linkun zyrtar të NATO-s http://www.nato.int/sfor/media/2003/ms030321t.htm mund të gjesh të dhëna në lidhje me implikimin e tij. Skedimi i referohet gazetës “Slobodna Bosnia”. Shkrimi mban datën 23 mars 2003.

Më poshtë vijon skedimi i plotë:

“Sipas burimit të gazetës, Milorad Lukoviç “Legija”, arriti në Sarajevë, më pas u largua nga Pale, ku kishte parë funeralin e Zoran Xhinxhiçit. Krimineli serb Legija dhe gjenerali kroat Gotovina e njohin njëri-tjetrin që nga mesi i viteve ‘80, kur ishin anëtarë të famëkeqit Legjion i Huaj. Të dy u rikthyen në ish-Jugosllavi thuajse në të njëjtën kohë në vitin 1991, për të qenë në dispozicion të popujve të tyre. Pas dështimit të planit të tij fillestar për të arritur në Sarajevë përmes aeroportit të Sarajevës, Lukoviç vendosi për një zgjidhje alternative, të kërkonte ndihmën e gangsterëve mafiozë nga Hercegovina, të cilët kryesoheshin nga miku i tij i vjetër, i kërkuar nga Haga dhe anëtar i Legjionit të Huaj, gjenerali Gotovina. Sipas qeverisë kroate, Gotovina fshihet në Hercegovinë prej një viti. Një biznesmen “i talentuar” dhe kryetar “potencial” për Federatën, Damir Fazlliç, u ndalua në hotelin “Acqua” nga policia federale për t’u pyetur për lidhjet e tij me Milorad Lukoviç “Legija”. Policia vërtetoi se ai kishte marrë telefonata në celular nga Lukoviç dhe shokët e tij. Fazlliç mohoi çdo lidhje me Lukoviçin dhe u lirua pas marrjes në pyetje. Megjithatë, sipas burimit të gazetës, pasi Fazlliç nuk mundi ta privatizonte industrinë e duhanit në Bosnjë, ai u prish me Stanko Subotiç “Cane” dhe i kërkoi Legijas ta mbronte nga Subotiçi, gjë që ai e pranoi me kënaqësi. Si arriti Legija ta bindte Subotiçin të mos e shqetësonte Fazlliçin, ende nuk dihet. Dyshohet se hoteli “Acqua”, ku Fazlliç vendosi të qëndronte, pasi u kthye nga Beogradi, ishte thjesht një maskim për larjen e parave nga trafiku i drogës.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›