Statistika pa humanizëm
Ka disa gjëra që njeriu i shpjegon, por nuk i kupton dhe ka disa gjëra që thjesht nuk mund t’i shpjegojë.
Para disa ditësh mora një telefonatë nga një mik, babai i të cilit ka një sëmundje zemre me rrezik jete. Ai u gjend në një spital publik dhe pas një periudhe injorimi dhe gabimesh, po përballej me frikën e vdekjes, nëse nuk operohej. E për shkak se këtu jemi në Greqi, ai bëri atë që bëjnë të gjithë: ai mori në telefonon të gjithë ata që mund të njihnin ndokënd – shefa spitali, profesorë etj. Ne duhet të jemi i vetmi vend në Evropë, ku një krevat në një spital “të mirë” apo një takim me një kirurg të njohur është njëlloj si të porositësh një tavolinë në restorantin më të mirë në qytet. Pas shumë telefonatash, zbuluam mosdëshirën e qartë të kirurgëve të zemrës në spitalet e mëdha për të marrë përsipër çështjen. “Kirurgu është jashtë qytetit”, - na thuhej ose jepej një tjetër përgjigje. Në fund, dikush pranoi të vërtetën: “Është një rast shumë serioz dhe mundësitë për të mbijetuar janë më pak se 30 për qind, kështu që asnjë kirurg nuk dëshiron ta marrë këtë përgjegjësi.” Pacienti, jeta e të cilit varej nga operacioni, shikohej si një statistikë shtesë. Më vonë, miq të tjerë dhe doktorë që na konfirmuan arsyen e vërtetë pse asnjë kirurg në spitalet publike nuk dëshironte të merrte përsipër këtë rast, sugjeruan që të provonim një spital privat. Kështu u bë.
Nuk e di, nëse një sjellje e tillë është e zakonshme dhe as nëse është në përputhje me kodin mjekësor të sjelljes. Por jam i sigurt që nuk është e para histori në lidhje me mjekësinë që më ka zemëruar.
Pas vitesh eksperimentesh socialite (e jo socialiste), sistemi shëndetësor i vendit ka arritur padyshim batakun, për shkak të menaxhimit të keq, plus mungesës së profesionalizmit dhe organizimit. Historia e zakonshme për fondet e pamjaftueshme duhet të mos dëgjohet më, sepse paratë janë, ato thjesht humbasin në vrimat e zeza të korrupsionit dhe shpërdorimit. E vetmja gjë e sigurt është dëshpërimi i mikut tim: “Zot, ndihmoi ata që sëmuren në këtë vend e nuk kanë lidhje!”