Rezistenca e shkrimtarit të madh
Është quajtur disa herë Rembo shqiptar, por asnjëherë s’ka qenë e qartë se ç’pjesë ka në këtë krahasim vdekja e parakohshme, e ç’pjesë ka zymtia e veprës së tij. Por në qoftë se nuk është një Rembo, aq më pak është një Lermontov apo Klejst i maleve tona. Ai është thjesht Migjeni, i vetëmjaftueshëm për të qenë shkrimtar i madh shqiptar, një ndër më të shqetësuarit shkrimtarë evropianë të viteve ’30, që jetoi dhe punoi në një vend e në një kohë të vështirë, tragjizmi i së cilës vulosi veprën e tij. Ai u gjet kështu midis kohëve e brezave njerëzorë si një medium, që duhej të deshifronte e pastaj të kalonte mesazhe nëpër kahje që ngjanin të pakalueshme. Për ta bërë këtë, përveç që duhej të ishte në gjendje të përhershme transi, atij i duhej të provonte atë vuajtjen e vazhdueshme të të gjithë krijuesve të mëdhenj, kur dyshojnë për moskuptimin e kumtit ose për mosdeshifrimin e saktë të tij. Ai u gjet kështu midis kohëve e brezave njerëzorë si një medium, që duhej të deshifronte e pastaj të kalonte mesazhe nëpër kahje që ngjanin të pakalueshme. Për ta bërë këtë, përveç që duhej të ishte në gjendje të përhershme transi, atij i duhej të provonte atë vuajtjen e vazhdueshme të të gjithë krijuesve të mëdhenj, kur dyshojnë për moskuptimin e kumtit ose për mosdeshifrimin e saktë të tij.
ǒdo të shkruante më pas? ǒla pa bërë? Në ç’lartësi do të ngjitej? Këto pyetje, ndonëse të mbetura pa përgjigje, e në thelb të panevojshme, përsëriten ashtu si shumë pyetje të tjera për njerëzit e mëdhenj, që brezat e rinj dëshirojnë t’i kenë midis tyre.Por për shkrimtarin e vdekur para kohe, këto pyetje përsëriten sidomos gjatë asaj periudhe, brenda së cilës ai mund të ishte ende gjallë. Kjo është një periudhë e veçantë, kur ai që mungon, hijerëndë dhe sundues, siç janë shpesh munguesit (personazhe të para të epikës botërore), shkakton trazim, prishje drejtpeshimi, mëdyshje e madje ankth. Por përvjetorët kalojnë njëri pas tjetrit, kalon dyzetvjetori i lindjes, pesëdhjetëvjetori e kështu me radhë dhe trazimi nis të zbehet në po atë masë, që mundësia e qenies ende gjallë të shkrimtarit nis e zvogëlohet. Së fundi, vjen nëntëdhjetëvjetori e pastaj njëqindvjetori i tij dhe ideja se ai tani do të ishte me siguri nën tokë, sjell te brezat njerëzorë po atë qetësi që shkakton te familjarët, pas dy-tri ditësh sfilitëse ceremonie mortore, i vdekuri që më në fund kallet në dhé. Kjo është edhe koha kur gjykimi për të, ndërsa humb pasionin e tepërt, fiton thellësinë.
Ismail KADARE
Në dhjetor të vitit 1937, me vaporin që bënte rrugën Durrës-Bari, Migjeni u nis për t’u kuruar e ndoshta, pastaj, edhe për të studiuar për letërsi në Itali. Nga kjo rrugë ai nuk do të kthehej më. Ishte hera e parë që largohej nga Shqipëria nëpërmjet detit, në këtë drejtim. Gjer tani kishte udhëtuar jashtë shtetit kryesisht nëpër tokë dhe në trojet që i përkisnin dikur Perandorisë Bizantine. Kurse tani po shtyhej në pjesën romake... Çdo shqiptari të kultivuar, që do ta bënte në atë kohë këtë rrugë, do t’i kujtohej patjetër diçka nga këto dy perandori, trysninë e të cilave Shqipëria, e gjendur midis tyre, e kishte provuar shumë kohë. Ajo trysni kishte lënë gjurmë në fytyrën dhe në psikikën e saj, ishte trashëguar si fatalitet nëpër shekuj, për të mbërritur gjer në kohët moderne.Dy poetët më të mëdhenj të Rilindjes shqiptare, Naim Frashëri e Jeronim de Rada, i kishin ndarë, si të thuash, në poemat e tyre këto dy rrafshe perandorake. Tek i pari, Frashëri, ndihej toka, ranishtet e pafundme, pluhuri dhe sidomos shkretëtirat e Lindjes, që ai kishte përshkruar aq mjeshtërisht, si për t’u kujtuar shqiptarëve se nga u kishin ardhur fatkeqësitë. Në peizazhin poetik të të dytit, zotëronte deti, bluja mesdhetare, lumbardhat dhe kambanat, një botë që shqiptarët desh e kishin humbur. Migjeni po largohej nga vendi i tij nëpërmjet detit Adriatik, një ndër më të bukurit e botës, por që në atë vit, më 1938, qe zymtuar si rrallë ndonjë det nga egërsimi fashist... Është hera e parë që largohet nga vendi i tij, jo më si student, por si shkrimtar. Dhe vizioni i tij tashmë është fare i ndryshëm nga herët e tjera. Në horizont kanë humbur kambanaret dhe minaret e Shkodrës, më pas prapa ujërave të detit kanë humbur malet e hirta dhe tani Shqipëria është vetëm në trurin e tij. Por edhe atje ajo është në formë të dyzuar. Është ajo vetë, realja, me qytetet katundare, mjerimin, fatalitetin, ëndrrën ose më saktë makthin e saj, dhe janë dy librat e vegjël të tij të pabotuar ku janë përmbledhur tërë jeta, tërë mendimet e përsiatjet e tij për këtë vend. Do të ishte, vallë, djep e njëkohësisht varr i tyre? Apo do të kishte një zgjidhje tjetër, një zgjidhje shpërthyese, e stuhishme, tërmetore, motive aq të shpeshta në veprën e tij?
Pyetja torturuese e ka munduar gjatë. Sëmundja ka ndërhyrë në jetën e tij me ngulm, duke u përpjekur të vërë në kontroll penën e tij, të diktojë klimën, ngjyrimin e përzishëm, deri ritmin e frazave. Pa dyshim që ka ndikuar në të gjitha këto kjo perde që mund të binte papritur, por asnjëherë ajo nuk shkakton tek ai panik, mospërfillje, cinizëm, egërsim ose të kundërtën e tyre, përkëdhelje, filozofi të lirë, delir madhështie, etj. Dhe gjithë kjo rezistencë e brendshme e tij realizohet falë vetëdijes së shkrimtarit të madh, që ai e ka si rrallë kush.
Në senatoriumin San-Luigji të Torinos, kur e ndien se ditët i ka të numëruara, gjithçka tek ai merr formë testamentiale. Në tre rreshtat e fundit që shkroi, përpara se t’i fillonin krizat e të binte në koma, prej së cilës nuk do të përmendej më, për herë të parë në veprën e tij përmend emrin e Skënderbeut. ǒishte kjo përmendje e vonë, në kohën kur sytë po i erren dhe muzgu po bie? Pa dyshim një përpjekje për një bilanc të fundit, e shtyrë përherë nga vetëdija e krijuesit të madh. Nuk dëshiron të vdesë pa shkruar diçka për Heroin Kombëtar të popullit të vet. Nuk e ka përmendur emrin e tij gjer tani... Në mbarim të ditëve të tij, kur optika e gjërave i ndryshon me orë, e ndien se shkrimtarit të madh nuk i lejohet që, për shkaqe pasioni e polemike, të bjerë në provokacion, duke u bërë shurdh ose duke hequr dorë nga motivet e përdhosura prej të tjerëve. Shqipëria nuk është vetëm ajo që duket, por edhe ajo që s’duket, ashtu si shqiptarët nuk janë vetëm ajo popullsi që jeton aktualisht, por edhe breza të tërë që prej kohësh janë nën tokë (madje, këta janë më të shumtët), dhe aq më tepër, ata që do të vijnë, që janë akoma më të shumtë. Dhe ai, si krijues i madh, u përket të gjithëve dhe dëshmon e kumton për të gjithë. Kështu, pavarësisht se të tjerët kanë abuzuar me kujtimet historike, me legjendat, deliret e fantazmat e mëdha të këtij populli, nuk është rruga më e mirë braktisja e tyre, përkundrazi hetimi sa më i thellë e në mënyrë të re i gjithëçkaje.
Por tani, që s’i mbetet më kohë për të sqaruar mungesat, merr penën dhe, duke mbledhur energjitë e fundit, shton në veprën e tij emrin e njeriut që e mishëronte vërtet Shqipërinë e përjetshme, njeriun me dy fe si ajo, me dy emra si një pjesë e shqiptarëve, së fundi, njeriun që si një luan i dëshpëruar qe sjellë e turrur midis dy kontinenteve, për t’i gjetur Shqipërisë vendin që duhej e për t’i dhënë historisë së saj kahjen që duhej. I shkroi, pra, ata tre rreshta në prozë (fjalët e fundit ishin “s’flitet ma”), dhe ndoshta me një lehtësim të fundit nisi të shuhej, gjersa vdiq, fare i qetë, siç dëshmojnë të gjithë, më 28 gusht 1938.
Vargu i Poradecit: “Fluturoi dhe shtergu i fundit madhështor me shpirt të gjerë”, do t’i shkonte kësaj vdekjeje tragjike, aq më tepër që, sipas radhës së moshës, Migjeni duhej të vdiste vërtet i fundit. Por ai, në kundërshtim me radhën, ishte shtergu i parë që po ikte. I dyti, Noli, vdiq më 13 mars 1965 në SHBA dhe shtergu i fundit, Poradeci vetë, gjysmë shekulli pas Migjenit, në një ditë të ftohtë, më 12 nëntor 1987, në Tiranë.
Vdekja e Migjenit u prit në Shqipëri si një shenjë tjetër e keqe në një kohë fatkeqësish. Dukej se ora e ligë kishte rënë për kombin shqiptar. Vendi ndodhej në prag të katastrofës. Parandihej një robëri e një zi e re, e cila nuk vonoi të pllakoste disa muaj pas vdekjes së tij, kur vendi u pushtua prej Musolinit.
* * *
Është quajtur disa herë Rembo shqiptar, por asnjëherë s’ka qenë e qartë se ç’pjesë ka në këtë krahasim vdekja e parakohshme, e ç’pjesë ka zymtia e veprës së tij. Por në qoftë se nuk është një Rembo, aq më pak është një Lermontov apo Klejst i maleve tona. Ai është thjesht Migjeni, i vetëmjaftueshëm për të qenë shkrimtar i madh shqiptar, një ndër më të shqetësuarit shkrimtarë evropianë të viteve ’30, që jetoi dhe punoi në një vend e në një kohë të vështirë, tragjizmi i së cilës vulosi veprën e tij. Ajo është e paktë si vëllim, por me një tension të brendshëm të pazakonshëm. Në të, ashtu si në veprat e vërteta të artit, ndodh ajo dukuri e mrekullueshme kur biografia e shkrimtarit përzihet, mpikset e shumohet nga mijëra e mijëra biografi të tjera njerëzish anonimë, dëshmia dhe drama e të cilëve nuk figuron në asnjë kronikë, enciklopedi apo histori të shtetit. Ajo zgjerohet për t’i gëlltitur e mbështjellë të gjithë ata dhe për t’u tkurrur pas kësaj përsëri, në mënyrë që t’i afrohet shembëlltyrës e përmasës së një jete njerëzore. Kjo dukuri, një nga më misteriozet në art, mund të krahasohet ndoshta me bymimin e tkurrjen e universit, ashtu si e shpjegojnë shkencëtarët.
Ai u gjet kështu midis kohëve e brezave njerëzorë si një medium, që duhej të deshifronte e pastaj të kalonte mesazhe nëpër kahje që ngjanin të pakalueshme. Për ta bërë këtë, përveç që duhej të ishte në gjendje të përhershme transi, atij i duhej të provonte atë vuajtjen e vazhdueshme të të gjithë krijuesve të mëdhenj, kur dyshojnë për moskuptimin e kumtit ose për mosdeshifrimin e saktë të tij.
Për të dhënë gjithë rrëmetin e kohës, i cili disa herë ishte në lëvizje të ethshme e disa herë në gjendje të ngrirë, Migjenit iu desh të krijonte një gjeografi të gjerë, që shtrihet nga fushat kontinentale ku enden popuj të tërë, gjer te kullat malësore, ku jeta duket se është ngurtësuar përgjithmonë. Atij iu desh të përdorë forma e teknika të ndryshme të shkruari, të gërshetojë lirizmin me epizmin, komiken me tragjiken, sarkazmën me groteskun. Atij iu desh t’u referohet miteve të vjetra e të reja të njerëzimit, nga kujtimet parabiblike gjer te personazhet e kohës, artistët e kinemasë, boksierët e politikanët. Gjithmonë për të realizuar një vizion global të botës, çka do t’i siguronte veprës kumbimin universal, ai herë do të përzihej plot pasion në ngjarjet që përshkruan, e herë do të hiqej mënjanë, për të dëshmuar nga larg, si një kronist epik. Shpesh në prozat e tij të shkurtra ndihet romani, që është kalçifikuar, në pritje për t’u zhvilluar më tej. Kudo në veprën e tij ndihet ndalimi i parakohshëm, ndërprerja. Ai vetë mund të mendohet si i tillë: i ndërprerë. Por ndërprerja e tij nuk ngjan e zakonshme, përderisa ajo është ndërprerja e një uragani.
Frymëmarrja, ritmi, pulsi i shkrimtarëve të tillë si Migjeni është i veçantë. Dhe kjo është e kuptueshme. Ne njohim vetëm një lloj ritmi, atë të jetës njerëzore që vazhdon rreth 70 vjet, por nuk jemi në gjendje të parashikojmë se si do të ishin shumë gjëra në botë, duke përfshirë këtu edhe artin, sikur jeta mesatare e njeriut të ishte më e madhe, p.sh. rreth 300 vjet, ose më e vogël, p.sh. rreth 10 vjet. Shkrimtarët që dinë ose, së paku, e ndiejnë se do të vdesin para kohe, kanë një ngutje të tyren. Megjithatë, duhet thënë se, duke qenë nën trysninë e një ritmi të përgjithshëm, ata pengohen në ecjen e tyre, në po atë mënyrë që pengohet prej turmës njeriu, që shpejton më shumë se ç’duhet në një stacion pasagjerësh. Kjo duhet të jetë edhe vuajtja më e madhe e këtyre të përkohshmëve.
* * *
ǒdo të shkruante më pas? ǒla pa bërë? Në ç’lartësi do të ngjitej? Këto pyetje, ndonëse të mbetura pa përgjigje, e në thelb të panevojshme, përsëriten ashtu si shumë pyetje të tjera për njerëzit e mëdhenj, që brezat e rinj dëshirojnë t’i kenë midis tyre.
Por për shkrimtarin e vdekur para kohe, këto pyetje përsëriten sidomos gjatë asaj periudhe, brenda së cilës ai mund të ishte ende gjallë. Kjo është një periudhë e veçantë, kur ai që mungon, hijerëndë dhe sundues, siç janë shpesh munguesit (personazhe të para të epikës botërore), shkakton trazim, prishje drejtpeshimi, mëdyshje e madje ankth. Por përvjetorët kalojnë njëri pas tjetrit, kalon dyzetvjetori i lindjes, pesëdhjetëvjetori e kështu me radhë dhe trazimi nis të zbehet në po atë masë, që mundësia e qenies ende gjallë të shkrimtarit nis e zvogëlohet. Së fundi, vjen nëntëdhjetëvjetori e pastaj njëqindvjetori i tij dhe ideja se ai tani do të ishte me siguri nën tokë, sjell te brezat njerëzorë po atë qetësi që shkakton te familjarët, pas dy-tri ditësh sfilitëse ceremonie mortore, i vdekuri që më në fund kallet në dhé. Kjo është edhe koha kur gjykimi për të, ndërsa humb pasionin e tepërt, fiton thellësinë.
“Mirë se erdhe, vëlla!” Me këto fjalë Dhimitër Pasko përshëndeti në “Revistën letrare”, në mars të vitit 1944, daljen e librit të parë të Migjenit “Vargjet e lira”. Por Migjeni ndërkaq kishte gjashtë vjet që kishte vdekur. Kështu që formula e saktë e mirëseardhjes në këtë rast do të ishte “mirë se erdhe, vëlla i vdekur!” Por fjalët “vëlla i vdekur” për ballkanasit, e veçanërisht për shqiptarët, janë më shumë se kuptimi i tyre i drejtpërdrejtë. “Vëlla i vdekur” është personazhi kryesor i një prej baladave të tyre më të vjetra e më tronditëse, njeriu që u ngrit nga varri për të përmbushur një premtim, që s’kishte mundur ta kryente sa qe gjallë. Ndaj në poetikën ballkanase, e veçanërisht atë shqiptare, fjala e këtij personazhi të zbehtë e të pluhurosur nga balta, e këtij transcendanti që ka bërë rrugën e praptë, të panatyrshme nga vdekja në jetë, ka një peshë e ogur të veçantë.
Unë djepi juej e ndoshta vorri juej, kishte shkruar vite më parë Migjeni për veprat e tij. Ai e kishte shpërthyer më në fund varrin dhe po vinte t’i sillte letërsisë shqipe kumtin e tij të veçantë, me të gjitha vulat dhe peshën që i jepte rikthimi nga terri. (Fragment)
11 Tetor 2008