Fituan interesat strategjike dhe jo kontrabanda
Vetëm pak momente i mbetën elitës politike të Beogradit që të lumturohej për rezolutën e adoptuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, sepse buzëqeshjen e tyre ua ngrinë në mes Maqedonia dhe Mali i Zi që vendosën të shohin realitetin e Kosovës, jo sepse na duan aq fort, por se rruga e tyre drejt synimeve të tyre strategjike të integrimit në institucionet Veri-Atlantike i çon nga stacioni i Kosovës.
Synimet tinëzare të Serbisë që të mbetet superfuqi ballkanike dhe t’i dredhë e përdredhë nëpër gishta fqinjët e vet të vegjël, me të cilët dikur ndante të njëjtin kulm, morën fund. Njohja e pavarësisë së Kosovës nga dy vendet fqinje tregoi se interesat strategjike të vendeve respektive kanë shumë më shumë peshë sesa interesat për tregtinë e duhanit dhe derivateve kontrabande që Serbia iu lejonte kohë pas kohe këtyre vendeve që i konsideronte si satelitë të vet.
Këto e çuan numrin e njohjeve të Kosovës deri tani në 50 shtete dhe lënë pas vetes akoma një punë kolosale për të bërë. Pikërisht për të bindur vendet që mbështetën rezolutën serbe në OKB, se Kosova meriton të jetojë si shoqëri e pavarur. Në këtë mes institucionet tona duhet të rrisin edhe më shumë përpjekjet për rritjen e numrit të njohjeve të reja, që kur propozimi serb të dalë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, ndarësit e drejtësisë të jenë përpara një fakti të kryer, pra më shumë se gjysma e shteteve të botes ta kenë njohur Kosovën.
Ky argument, si dhe argumentet e pamohueshme të lirisë së popujve të shtypur, princip nga më themelorët që mbështesin të drejtën ndërkombëtare, do t’ia bënin Serbisë ëndrrën e vet për ta shpallur pavarësinë e pavlefshme nga Gjykata në fjalë në makth politik që do t’i kthehej për ta goditur keqazi në rrugën e vet të predikuar për integrime evropiane. Prandaj, koha deri në seancën dëgjimore në Gjykatë duhet domosdo që të shfrytëzohet për diplomaci dhe lobim sa më agresiv në të mirë të interesit kombëtar dhe në të mirë të atdheut.