E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Feith: Shqipëria vazhdon të luajë një rol stabilizues në rajon



Gjatë takimit me kryeministrin Berisha, përfaqësuesi i BE-së dhe shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Peter Feith, u shpreh se Shqipëria ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol stabilizues në rajonin e Ballkanit. Gjatë fjalës së tij Feith tha se nga dita në ditë Kosova po zhvillohet, institucionet e saj po konsolidohen dhe se po punohet për njohjen e pavarësisë, për stabilitetin dhe progresin e vazhdueshëm te vendit. Në këtë kontekst, Feith theksoi se Zyra Civile Ndërkombëtare po punon ngushtësisht në përkrahje të institucioneve kosovare, në drejtimin të afrimit të Kosovës drejt BE-së. Gjithashtu Feith u shpreh se Zyra Ndërkombëtare Civile është duke punuar për njohjen më të madhe të Kosovës, për pranimin e saj në institucionet ndërkombëtare dhe konsolidimin e Kosovës si shtet i pavarur. Nga ana e tij, Berisha shprehu falënderimet e tij për kontributin që Zyra Civile Ndërkombëtare ka dhëne për paqen dhe stabilitetin në Kosovë. Kryeministri theksoi se tashmë u vërtetua se pavarësia e Kosovës ishte shumë e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se Kosova duhet të punojë në vazhdimësi për njohjen e pavarësisë, edhe pse tashmë pavarësia është e pakthyeshme. Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim, se Kosova, me progresin e bërë, e ka të hapur perspektivën drejt Bashkimit Europian dhe integrimin e saj në strukturat euroatlantike. Kryeministri u shpreh se zgjedhjet lokale treguan edhe njëherë funksionimin e institucioneve të Kosovës dhe stabilitetin e saj.
Duke vlerësuar progresin e Kosovës në aspektin ekonomik, Berisha u shpreh se institucionet në Kosovë duhet të punojnë pareshtur për ta bërë vendin e tyre, sa më tërheqës për investitorët e huaj. Lidhur me këtë, Feith u shpreh se Zyra Civile Ndërkombëtare po punon në përkrahje të institucioneve kosovare për hartimin e politikave që e bëjnë Kosovën një vend tërheqës për investime të huaja, veçanërisht në sektorin e turizmit.

Topi-Feith: Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Europian dhe përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Peter Feith, është pritur dje në një takim edhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Gjatë këtij takimi Topi ka vënë në dukje vullnetin e plotë dhe angazhimin serioz të shtetit shqiptar për të përmbushur me sukses të gjitha detyrimet, që burojnë nga aspirata dhe përpjekjet për realizimin e ëndrrës së të gjithë shqiptarëve për të qenë pjesë e familjes së madhe europiane. Në këtë kontekst, presidenti Topi vuri në dukje se përshpejtimi i procesit të liberalizimit të vizave të Shqipërisë me BE-në do të ishte një hap i rëndësishëm dhe thelbësor për ne, i cili do të kontribuonte pozitivisht në zhvillimet shoqërore e ekonomike në vend. Në vijim të bisedës, kreu i shtetit u ndal dhe në situatën në rajonin e Ballkanit dhe në veçanti vlerësoi arritjet e Kosovës që prej shpalljes së pavarësisë dhe ecurinë e deritanishme të procesit të njohjes së saj. “Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe njohjet e mëtejshme të pandalshme”, - vuri në dukje presidenti. Gjithashtu, presidenti Topi u shpreh se Shqipëria vlerëson dhe mbështet institucionet e Republikës së Kosovës, përkushtimin dhe angazhimin e autoriteteve zyrtare për të bashkëpunuar me praninë ndërkombëtare në Kosovë, me synim konsolidimin e shtetit, forcimin e sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, zhvillimin ekonomik dhe integrimin europian të saj. Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtën pikëpamje përsa i përket rëndësisë së qëndrueshmërisë dhe paqes në rajon nëpërmjet bashkëpunimit në rritje dhe kontakteve sa më frekuente mes udhëheqësve politikë si dhe zhvillimit ekonomik, duke synuar integrimin e të gjithë vendeve dhe popujve të rajonit në gjirin e familjes europiane. Gjatë bisedës Feith nënvizoi faktin se “një tjetër fushë ku Kosova pret shumë nga Shqipëria është fusha dhe bashkëpunimi më i ngushtë ekonomik, ku rruga që lidh dy vendet fqinje është një investim i rëndësishëm historik”, duke shtuar se përparimi i madh i Shqipërisë, integrimi në NATO dhe rrugëtimi europian duhet të shërbejnë si model për Kosovën.

14 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›