Kush janë tre anëtarët e dekretuar nga Topi për Kushtetuesen
Eljona Ballhysa
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi dje tre anëtarë për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Topi dekretoi Altina Xhoxhajn, Bashkim Dedjen dhe Vangjel Kostën si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Por, pas dekretimit nga presidenti, anëtarët do t’i nënshtrohen shqyrtimit dhe miratimit nga Kuvendi për të zënë vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Megjithëse kreu i shtetit, për përzgjedhjen e këtyre emrave zhvilloi disa takime konsultative me juristë, gjykatës dhe grupe të interesit, në mënyrë që përzgjedhjet e tij të jenë larg ndikimit të politikës, pritet sërish që politika të përfshihet në debate gjatë miratimit të këtyre kandidaturave. Kjo për faktin se dy prej dekreteve të Topit janë rrëzuar më parë nga partitë politike.
Rrëzimi
Vangjel Kosta, njëri prej tre emrave të dekretuar nga Presidenti i Republikës si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, është avokat me profesion. Po ashtu, ai, prej tetë vitesh është pedagog në Shkollën e Magjistraturës. Nga viti 1993 deri në vitin 2000 ka qenë anëtar i Gjykatës së lartë.
Anëtari tjetër është Bashkim Dedja. Fillimisht gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë dhe prej më shumë se 10 vjetësh gjyqtar i Apelit në Durrës. Në këtë pozicion, më 19 janar të 2009-s ai u përzgjodh nga shorti i parë si anëtar i Kolegjit Zgjedhor. Por, me të drejtën që u jepte ligji, partitë e kontestuan bashkë me dy emra të tjerë dhe zoti Dedja nuk mundi të zgjidhej anëtar i Kolegjit Zgjedhor. Në korrik të 2008-s, gjyqtari Bashkim Dedja ishte një nga dy propozimet e presidentit për kreun e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Por edhe në këtë garë Dedja doli humbës, pasi Kuvendi miratoi kandidaturën e Adriatik Llallës për këtë post.
Emri i tretë i dekretuar nga presidenti për në Gjykatën Kushtetuese është Altina Xhoxhaj, gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë. Duke qenë 39 vjeçe, gjyqtarja Xhoxhaj mund të jetë gjyqtarja më e re në moshë e Gjykatës Kushtetuese. Por që prej vitit 2006 ajo është gjithashtu edhe anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Si gjyqtare e çështjeve civile, Xhoxhaj ka gjykuar në shkallën e parë çështjen e prishjes së mbikalimit të Zogut të Zi. Në vitin 2008, bashkë me katër emra të tjerë, ajo u dekretua nga Presidenti i Republikës si anëtare e Gjykatës së Lartë. Por, pesë dekretet e presidentit u rrëzuan nga maxhoranca, e cila argumentoi atëherë se presidenti nuk ishte konsultuar më parë me Kuvendin. Mbetet për të parë nëse tre anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese do të miratohen nga Kuvendi, duke qenë se dy prej tyre janë kontestuar në të shkuarën. Me interes pritet edhe mendimi i opozitës, që ka kërkuar që emrat e rinj të jenë profesionistë dhe të pavarur nga ndikimet. Presidentit i duhet të dekretojë edhe tre anëtarë të tjerë për Gjykatën Kushtetuese dhe dy për në Gjykatën e Lartë.
Dekretet
Vangjel Kosta, ish-anëtar në Gjykatën e Lartë, pedagog në Shkollën e Magjistraturës prej tetë vjetësh
Bashkim Dedja, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë për tre vjet, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Apelit Durrës prej dhjetë vjetësh
Altina Xhoxha, gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, anëtare e KLD-së, e zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore
14 Maj 2010