Hysi: “Policia harron se po përballet me protestën e mosbindjes civile”
Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, ka reaguar dje ndaj sjelljes së Policisë së Shtetit kundrejt protestuesve të opozitës. “Përshkallëzimi i protestës është përballur me një reagim brutal nga policia, duke harruar se kjo është një mosbindje civile. Çdo protestues në qeli - nuk është kjo mënyra sesi duhet zgjidhur kriza”, - tha Hysi. Deputetja socialiste ka ironizuar qëndrimin e disa intelektualëve për grevën e opozitës. Ajo deklaroi se të gjithë grevistët, pas qëndrimit të tyre, janë më të fortë moralisht për të vazhduar grevën. “Kam dëgjuar shumë intelektualë që janë përpjekur për të anashkaluar grevën, por kjo i ka nxitur moralisht edhe më shumë grevistët që t’i shkojnë deri në fund kauzës së tyre për transparencën e zgjedhjeve”, - tha Hysi. Ndërkaq, Hysi tha se gjendja shëndetësore e grevistëve është rënduar shumë dhe paraqesin të gjitha shenjat e përkeqësimit të shëndetit, normale për një grevë që vazhdon prej 13 ditësh.
Dule: “Është e pafalshme dhuna e policisë ndaj protestuesve”
Kreu i Partisë për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut, Vangjel Dule, ka kritikuar dhunën që sipas tij policia ka ushtruar ndaj protestuesve paqësorë të opozitës. Sipas Dules, është i pafalshëm përdorimi i lëndëve kimike si gaz lotsjellës në protestat paqësore.
14 Maj 2010