E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta-Feith: Prishtina të nisë dialogun me Beogradin për mosmarrëveshjet

“Shqipëria, kundër zhvillimit të zgjedhjeve nga Serbia në Veri të Kosovës”

Eljona Ballhysa
Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ilir Meta dhe përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, njëkohësisht Përfaqësues Special i Bashkimit Europian në Kosovë, Peter Feith, kanë vënë theksin dje në Tiranë në domosdoshmërinë e nisjes së dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit për çështjet e mbetura pezull. Pas takimit, ministri shqiptar Meta, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, vlerësoi rolin e Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, ndërsa shprehu nevojën e shtrirjes së rolit të EULEX-it edhe në pjesën veriore të Kosovës. Meta gjithashtu shprehu qëndrimin kundër të qeverisë shqiptare ndaj zhvillimit të zgjedhjeve paralele nga Serbia në pjesën veriore të Kosovës. Ndërsa Peter Feith ka vlerësuar kontributin e dhënë nga Shqipëria në drejtim të paqes dhe stabilitetit në rajon. Ai është shprehur se objektivi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë është ripajtimi dhe kapërcimi i problemeve etnike të së kaluarës.
Qëndrimi
“Shqipëria bashkohet me thirrjen drejtuar Prishtinës dhe Beogradit që të nisin dialogun për çështjet teknike, ende të pazgjidhura midis tyre. Shqipëria është e bindur se ndërtimi i urave të bashkëpunimit është rruga e vetme që i kontribuon klimës paqësore dhe perspektivës europiane. Me këtë rast, duke kundërshtuar angazhimin e Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve të strukturave paralele në Veri të Kosovës, theksuam karakterin ilegjitim të tyre. Në kuadër të zhvillimeve në rajon, Shqipëria mbetet e angazhuar për afirmimin dhe pjesëmarrjen e Kosovës në forumet rajonale dhe europiane. Në këtë kontekst ne përshëndesim përkushtimin e mekanizmave europianë për të siguruar pjesëmarrjen, si të barabartë, të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sarajevës”, - është shprehur ministri Meta. Gjatë fjalës së tij, Meta ka vlerësuar kontributin që kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë mekanizmat ndërkombëtarë të drejtuar nga z. Feith dhe faktorë të tjerë në ndërtimin e shtetit të ri demokratik të Kosovës. Meta ka theksuar se Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm. “Shqipëria mbështet institucionet e Republikës së Kosovës, përkushtimin dhe angazhimin e autoriteteve zyrtare për të bashkëpunuar me praninë ndërkombëtare në Kosovë, me synim konsolidimin e shtetit, forcimin e sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian dhe euroatlantik të saj. Në këtë drejtim, ne përshëndesim angazhimin e BE-së për t’i ofruar Kosovës një udhërrëfyes për procesin e liberalizimit të vizave, sa më shpejt të jetë e mundur. Bërja plotësisht funksionale e EULEX-it edhe në Veri të Mitrovicës dhe hapja e Shtëpisë së BE-së atje janë një garanci më shumë për forcimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit edhe në këtë pjesë të vendit”, - është shprehur Meta.
Angazhimi
Ndërsa Feith, nga ana e tij, e cilësoi privilegj vizitën e tij në Tiranë, ku ai dha lajme pozitive mbi përparimin e kryer në Kosovë. “Është privilegj të jesh sot në Tiranë për t’u njoftuar juve dhe qeverisë suaj përparimin e kryer në Kosovë. Për më tepër, duke e parë këtë në kontekstin e dy perspektivave të mëdha dhe ambicioze. Njëra është bashkëpunimi rajonal, dhe Shqipëria është partnere kyçe në të ardhmen e rajonit; e dyta është, sigurisht, perspektiva europiane e përafrimit të ardhshëm drejt BE-së, perspektivë që e gëzon gjithë rajoni, duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë”, - është shprehur Feith, ndërsa ka vënë theksin se bashkëpunimi rajonal forcon paqen dhe stabilitetin në Ballkan. “Bashkëpunimi rajonal, perspektiva europiane përbën një kornizë të gjerë, në të cilën ne do të shohim shpalosje zhvillimesh në periudhën e tanishme. Është shumë e rëndësishme që këto zhvillime do të na çojnë drejt objektivave tona për zgjerimin e stabilitetit, realizimin e dëshirës së popujve të rajonit duke përfshirë lëvizjen e tyre të lirë në gjithë rajonin, në Europë dhe më tej, si dhe për mirëqenie social–ekonomike. Një ndër objektivat qe ne të gjithë ndiejmë se duhen arritur në periudhën e ardhshme është ripajtimi dhe kapërcimi i probleme etnike dhe të dhunës që janë vënë re në të kaluarën. Një ndër rrugët më të mira për realizimin e këtyre objektivave është plani tërësor i zgjidhjes së propozuar nga presidenti Ahtisari”, - është shprehur Feith, ndërsa ka vënë në dukje se Kosova ka përparuar në drejtim të zbatimit të planit “Ahtisari”.
I pyetur nga gazetarët se mbi ç’baza është bërë hetimi i EULEX-it në disa institucione të Kosovës, Feith tha se “EULEX-i veproi mbi bazën e mandatit të tij, për të cilin është rënë dakord nga BE-ja dhe është pranuar edhe nga qeveria e Kosovës. Ky mandat synon mbështetjen e institucioneve të Drejtësisë në Kosovë nëpërmjet kujdesit, monitorimit dhe këshillimit për institucionet e Drejtësisë në Kosovë. Hetimi do të vijojë dhe ne do të vazhdojmë pa ndërhyrje politike”.
Ndërsa ministri Meta, i pyetur për incidentin më të fundit në kufirin Kosovë-Maqedoni, ku mbetën të vrarë 4 shqiptarë, bëri thirrje për “distancimin e të gjithëve nga çdo element apo grup ekstremist që do të kërkonte të krijonte situata krejtësisht të panevojshme, pasi është koha për të parë përpara, është koha për të lënë pas çdo lloj forme dhe mënyre që jo vetëm nuk sjell zgjidhje, por përkundrazi, synon të dëmtojë imazhin e gjithë rajonit tonë. Në këtë drejtim ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me autoritetet e Maqedonisë dhe të bashkëpunojmë shumë ngushtë me të gjithë aktorët politikë shqiptarë, duke qenë i bindur se edhe ata ndajnë të njëjtin angazhim”, - është shprehur Meta.

14 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›