E Diel, 1 Nëntor 2026

Pjerin Ndreu: “Dhuna e policisë ndaj opozitës sjell pasoja të paparashikuara”

Ish-nëndrejtori i Policisë së Shtetit: “Drejtues të Policisë së Shtetit po shkelin haptas ligjin”

Albert Gjoka
“Dhuna e policisë ndaj protestuesve të opozitës mund të sjellë pasoja të paparashikuara”. Kështu është shprehur ish-nëndrejtori i Policisë së Shtetit, Pjerin Ndreu, në një intervistë për gazetën “Albania”, duke komentuar sjelljen e strukturave policore gjatë ditëve të fundit. Sipas tij, aktet e fundit janë në shkelje flagrante të ligjit. Ai u bën apel drejtuesve të policisë që “të futen në llogoret e zbatimit të ligjit dhe të bashkëpunojnë me demonstruesit për qetësimin e situatës, dhe jo për agravimin e saj.

Si e vlerësoni sjelljen e Policisë së Shtetit ndaj protestuesve? U fol për përdorim të gazit lotsjellës.
Sjellja e policisë ndaj demonstrimeve paqësore të simpatizantëve të PS-së lë shumë për të dëshiruar. Në fakt, kjo sjellje zë fill që para, gjatë dhe vazhdoi edhe pas fushatës zgjedhore. Ndiej dhimbje për disa ish-kolegë të mi që, në përpjekje për të mbajtur vendin e punës, krijuan incidente me deputetë të PS-së në rastin e ndërrimit të skelës së mitingut të datës 26 maj 2009, kur në sy të tyre, rreth 30 persona bënin antimiting në Kamzë, në kohën që në miting fliste lideri i opozitës, Edi Rama. Këta “zbatues të zellshëm të ligjit” as që luanin vendit. Sot i shoh po në të njëjtin pozicion. Në një tubim të PS-së te Zogu i Zi hyn një tip me makinë, në mes të protestuesve, i fyen ata dhe Policia e Shtetit, bashkë me drejtuesit që ndodheshin aty, bënin sehir. Kur turma irritohet, mbrojnë mitingthyerësit. Po e njëjta gjë ka ndodhur te Stacioni i Trenit dy herë rresht. Kjo tregon se Policia është e pozicionuar në zbatimin me dy standarde të ligjit, duke u bërë pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes, në shumë raste.
Pastaj është rasti i Korçës, ku qartësisht u pa duke goditur deputetë dhe gra. Kjo tregon se profesionalizmi dhe humanizmi në polici ka marrë arratinë. Se çfarë kërkonin disa trupa të FNSH-së së Shkodrës atje, nuk e mora vesh dhe, aq më tepër, përdorimi i një solucioni që të jep lotim në sy. Në raste të tilla u kujtoj policëve drejtues, të politizuar se duhet negociuar, duhet biseduar, duhen ruajtur institucionet dhe jeta e njerëzve që janë pjesëmarrës në demonstrim dhe e atyre që nuk janë. Përplasja bëhet vetëm në raste të destabilizimit, me pasoja të rënda, të sulmit me armë ndaj institucioneve apo rrezikimit të jetëve të njerëzve. Në asnjë vend të botës nuk shikohet e as dëgjohet të ushtrohet dhunë në raste të bllokimeve të përkohshme të rrugëve. Pra, veprimet e policisë në këto raste janë komplet në zbatim të urdhrave politikë dhe në nxitje të konfliktit, e jo në shërbim të qytetarëve. Çfarë janë ato letra deklarative që i dërgohen kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit për zhbllokimin e rrugës?! E dinë rolin e vet drejtuesit e Policisë? Se janë thjesht strukturë ekzekutive dhe para kryetarit të Bashkisë nuk janë asgjë në këtë rast. Kjo sepse është Bashkia enti rregullator i mënyrës së lëvizjes së automjeteve në territorin e vet, e jo policia. Kjo e fundit thjesht zbaton urdhrat administrativë të Bashkisë, por nuk mund të vendosë e as të kërcënojë se po shkelet ligji. Akte të tilla nga ana e drejtuesve të Policisë janë veprime, dukshëm, në tejkalim të kompetencave dhe në shkelje flagrante të ligjit.

Në mitingun e zhvilluar në Korçë u panë forca speciale nga Shkodra. Në praktikë bëhet një shpërndarje e tillë e forcave policore? Nëse po, në cilat raste?
Fakti se disa forca të FNSH-së së Shkodrës u panë në Korçë në një tubim dhe në një territor ku gjatë këtyre ditëve nuk është shfaqur ndonjë problem në drejtim të destabilizimit të rendit dhe të qetësisë, flet për një keqpërdorim të Policisë. Nuk e kuptoj çfarë kishte ngjarë atje? Pse duheshin aq shumë forca policie? Këtë përgjigje një ditë do ta japë dikush. Unë u bëj thirrje, si ish-drejtues i lartë i Policisë së Shtetit, që Policia të mos mobilizohet në situata të tilla sikur të ishte në situatë të jashtëzakonshme. Ajo duhet të ruajë qetësinë, ashtu siç e kanë ruajtur mijëra e mijëra demonstrues që kanë vërshuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe që nuk kanë krijuar asnjë incident. Atëherë, nëse 200 000 veta bënë një tubim paqësor dhe nuk ndodhi asgjë, si shpjegohet që policët dalin jashtë kontrollit në një tubim të thjeshtë në një aks rruge? Demonstrimi i forcës këtu është skandaloz. Shtroj pyetjen: Çfarë do të bënin drejtuesit e sotëm të Policisë së Shtetit nëse 200 000 veta do të dilnin jashtë kontrollit më 30 prill? Do të mbushnin brekët dhe do të çoroditeshin në pamundësi për të përballuar situatën. Mendoj që të mos i provokojnë më turmat e njerëzve sepse ka të ngjarë që të përballen me zemërimin e masës së popullit, e cila di t’ua tregojë vendin atyre dhe urdhëruesve politikë.

Deputeti Pandeli Majko e akuzoi Policinë për ushtrim dhune ndaj tij dhe protestuesve. Cili është komenti juaj për këtë rast?
Është skandaloze që deputeti të goditet, ashtu siç u pa në TV, në tubimin e Korçës. Aq më tepër, një njeri që ka qenë kryeministri ynë dhe për të cilin forcat e policisë ruajnë një respekt të veçantë për mbështetjen që u ka dhënë. Kam frikë se drejtuesit e sotëm të Policisë janë verbuar nga ndikimi politik i kryeministrit aktual.

Ju keni eksperiencë të gjatë në polici dhe në shërbime të ngjashme si ky i tanishmi. Çfarë mesazhi keni për ish-kolegët tuaj që janë sot në këtë detyrë?
Kam mesazhin që të heqin dorë nga veprimet e pamatura dhe që nxiten nga humoret e politikës në fuqi: Të futen në llogoret e zbatimit të ligjit dhe të bashkëpunojnë me demonstruesit për qetësimin e situatës, dhe jo për agravimin e saj; të shmangin ca drejtues policie me arsimim bujqësor si agronomë apo zooteknikë që flasin e japin deklarata politike në tavolina e ambiente zyrash në polici, duke infektuar dhe ndonjë drejtues me formim policor që ka në shtëpinë e vet një batalion me socialistë. Të mos provokojnë nervat e popullit opozitar sepse do të vijë një ditë që do të japin llogari para ligjit.

14 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›