Berisha: Fëmija, problemet e tij janë problemet më sensitive, për shoqërinë e shtetin Kryeministri Berisha përshëndet konferencën "Fëmijët shqiptarë drejt Europës", me rastin e ditës ndërkombëtare të fëmijëve

Në ditën ndërkombëtare të fëmijëve, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ishte i pranishëm dhe përshëndeti konferencën vjetore për zbatimin e strategjisë kombëtare për fëmijët, me temë “Fëmijët shqiptarë drejt Evropës”. Në përshëndetjen dhe urimet më të dashura drejtuar të gjithë fëmijëve shqiptarë në ditën e tyre të festës, ai u shpreh se kjo ditë është një ditë vlerësimi për çfarë është bërë, por edhe angazhimesh të reja e më të mëdha për fëmijët dhe kujdesin ndaj tyre. “Fëmija dhe problemet e tij janë problemet më sensitive, më të rëndësishme dhe më delikate për familjen, për shoqërinë, për shtetin”, tha Kryeministri. Ai theksoi se janë shënuar arritje të mëdha në drejtim të jetës, kujdesit dhe shkollimit të fëmijëve, por vetë ndjeshmëria e problemit të fëmijëve është një apel i fuqishëm në këtë ditë, që çështjet e tyre të jenë përparësi e të gjitha përparësive. “Ndjeshmëria e problemit të fëmijës, disa tregues, të cilët nuk mund t’i pranoj janë një apel i fuqishëm në këtë ditë, që sërish, nëse themi qytetari në epiqendër, fëmija në krye të vendit, fëmija dhe problemet e tij, në krye të axhendës, fëmija dhe çështjet e tij, përparësi e të gjitha përparësive”, tha gjatë fjalës së tij, Berisha.