E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvillohet sot provimi i parë i maturës 2010

01/06/2010 Shpallja e rezultateve do të bëhet pas 15 ditësh

Zhvillohet sot provimi i parë i maturës shtetërore për 2010-ën. Më shumë se 37 mijë maturantë në të gjithë vendin do t’u drejtohen shkollave të mesme për të dhënë provimin e letërsisë dhe gjuhës shqipe. Marrja e notës kaluese në këtë provim (ashtu si dhe në tri provimet e tjera që do të jepen deri në fund të muajit), do të jetë kushti kryesor për të vijuar më pas procedurën e konkurrimit për pranimet në shkollat e larta publike. Duke filluar nga orët e para të mëngjesit të sotëm, nën masa të rrepta sigurie nga forcat e policisë është mundësuar shpërndarja e testeve që do të plotësohen nga maturantët e këtij viti. Ndërkohë një orë pasi ka nisur provimi do të lejohet dalja e hartuesve të 7 testeve nga ambientet e AVA-së, ku kanë qëndruar të ngujuar për rreth një javë. Ashtu si dhe vitet e shkuara, mbikëqyrësit e provimeve, ose siç njihen ndryshe administratorët e provimit, jo vetëm që nuk janë mësues të lëndës që jepet në testim, por as mësues të shkollës ku janë përcaktuar për të qëndruar gjatë kohës që do të zhvillohet provimi. Tashmë është përcaktuar edhe skema e vlerësimit të përgjigjeve që do të japin maturantët për çdo pyetje të testit. Kështu, çdo pyetje e testit i nënshtrohet një vlerësimi të dyfishtë, të pavarur nga njëri-tjetri. Vlerësuesit, pasi marrin në dorëzim testet, konfirmojnë saktësinë e tyre dhe bëjnë kodifikimin me numra arabë, pavarësisht nga barkodi dhe pa e dëmtuar atë. Korrigjuesit mund të bëjnë shënime në test, por vlerësimet për çdo pyetje i pasqyrojnë në formularët përkatës. Rakordomi i vlerësimeve bëhet, pas korrigjimit të çdo 40 testeve. Në rastet kur ka mospërputhje midis dy vlerësuesve, përgjegjësi i vlerësimit, aktivizon një vlerësues të tretë për të bërë, motivuar dhe argumentuar vlerësimin përfundimtar. Përgjegjësi i vlerësimit firmos në tabelën e vlerësimit të testit së bashku me vlerësuesin e tretë. Ministria e Arsimit ngre komisione të posaçme (kopoted), që shqyrtojnë rast pas rasti të gjithë testet që raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve dhe me parregullsi. Shpallja e rezultateve bëhet jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pas çdo provimi të Maturës.

Vlerësimi do të bëhet në katër qendra:

a) Në Tiranë, në godinën e shkollës “Sabaudin Gabrani”.

b) Në Elbasan, në godinën e shkollës “Qemal Stafa”.

c) Në Shkodër, në godinën e shkollës “Jordan Misja”.

d) Në Fier, në godinën e shkollës “Naim Frashëri”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›