Vesi i fshehtë i Elvis Presley-t
Një natë, bukuroshi Presley priti në suitën e tij të një prej hoteleve më të famshëm dhe shik në Beverly Hills, një nga aktoret më të bukura të Hollivudit. Atëherë ai ishte vetëm 21 vjeç dhe tashmë kishte marrë statusit e djalit më “zemërthyes” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Atë natë të 18 shtatorit të vitit 1956, ai kishte lënë takim me 18-vjeçaren Natali Wood, që kishte marrë edhe kandidaturën për një çmim “Oskar” dhe ishte e famshme për numrin e madh të të dashurve të mëparshëm. Duke e kuptuar mirë publicitetin që do të kishte për median fakti që dy njerëzit e famshëm do të takoheshin, menaxheri i Presley-t krijoi për çiftin një takim në orët e pasdites së asaj dite në sheshxhirimin e filmit “Love me tender”. Për Wood, tërheqja ndaj yllit të këngës ishte e menjëhershme dhe e dukshme, por fakti i çuditshëm ishte se vetëm 20 minuta pasi vajza hyri atë natë në derën e suitës së Presley-t, doli prej saj duke e përplasur fort derën dhe në mënyrë të papritur. Ndërkaq, ndërsa po zbriste shkallët, takoi menaxherin e Elvisit, të cilit ia përplasi në fytyrë: “çfarë problemi ka ai djalë? Punon vetëm me duar dhe nuk bën asnjë veprim. Mendoja se ishte mbreti i shtratit, por nuk është kështu. Nuk donte që të rrinim bashkë”. Në fakt, ajo nuk duhet ta kishte marrë shumë personalisht një sjellje të tillë të Elvisit. Sipas një biografie të fundit të yllit të këngës, vetë Presley për këtë takim i kishte thënë një mikut të tij, se Wood ishte shumë “e moçme” për të, edhe pse ishte vetëm 18 vjeçe. Sipas kësaj biografie, ai preferonte vajza gati të mitura. I tillë ishte rasti i vajzës që më pas u bë bashkëshortja e tij, Prishila. Kur Elvisi u takua për herë të parë me të, ajo ishte vetëm 14 vjeçe. Edhe pse fillimisht mes tyre kishte vetëm një lidhje seksuale, më pas, sipas shumë dëshmitarëve, u shndërrua në një lidhje afektive dhe të ëmbël dashurie. Por marrëdhënia seksuale që pati me vajzën që do të shndërrohej në gruan e tij, është vetëm një nga të shumtat që ai pati gjatë jetës së vet me minorenet, sigurisht gjatë viteve kur ishte tashmë i famshëm dhe i pasur. “Ai ishte mrekulluar nga ideja e vajzave shumë të reja”, thotë një nga ish-anëtarët e grupit që e shoqëronte kudo që shkonte. Një sjellje e tillë i kishte rrënjët te fëmijëria e tij. Ai lindi me një vëlla binjak, i cili vdiq në lindje. E ëma e tij, Gladys, duke qenë se e humbi një fëmijë, u shndërrua në një nënë shumë protektive ndaj fëmijës që i mbeti gjallë. Edhe kur Elvis ishte tashmë një burrë, nënë e bir kishin një gjuhë të fshehtë të tyren, me të cilën merreshin vesh vetëm ata. Kur ajo vdiq nga hepatiti, 23-vjeçari Presley u shkatërrua aq shumë psikologjikisht nga humbja, sa kur ajo po varrosej, tentoi që të hidhej në varr pas saj. Me ikjen e së ëmës, Elvisi, i mësuar me përkujdesjet dhe praninë e saj të vazhdueshme, u ndje i vetmuar dhe befas i braktisur nga njeriu me të cilin kishte pasur lidhje që kur erdhi në këtë botë. Ndaj ai kishte shumë pasiguri kur i duhej që të vendoste për çështje që kishin të bënin me të rriturit dhe me marrëdhëniet me ta. Kjo ishte më e dukshme në marrëdhëniet që kishte me femrat. Duke pasur frikë se mund të mos ishte në lartësinë e duhur me to, ai pësoi një paranojë të vërtetë për sa u përket aftësive të tij si dashnor. Prej këndej vjen edhe frustrimi që kishte kur partneret e tij ishin me përvojë dhe preferenca e tij për vajza të vogla, të virgjëra dhe pa përvojë seksuale, të cilat nuk do të mund t’i zhgënjente, duke qenë se ato e kishin përvojën e parë dhe nuk do ta krahasonin me askënd. Edhe pas shtimit të madh të famës së tij, ai kishte mundësi që të shoqërohej me femrat më të bukura të konkurseve të bukurisë dhe të spektaklit. Por dëshira e tij e madhe dhe e fshehtë nuk ishin bukuroshet me përvojë, por vajzat e reja, të cilat nuk do ta kuptonin kurrë se sa zhgënjyes mund të ishte ai. Mes tyre ishte edhe 14-vjeçarja Jeckie Rowland, e cila shkoi me të ëmën në një koncert të Presley-t në Florida në vitin 1956. Atyre iu bë qejfi shumë kur i lejuan që të shkonin pas skene, por mamaja e vajzës u shqetësua kur pa interesimin e madh të Presley-t për të dhe kur ai ia mori të bijën në një kthinë aty pranë. Kur pas disa minutash ajo hapi derën për të parë se çfarë po bënin ata të dy, pa Presley-n që po i mësonte të bijës se si të puthte si një vajzë e madhe. Elvisi i thotë nënës së vajzës nëse mund t’ia merrte të bijën për të pirë një gotë në një lokal, por e ëma e skandalizuar i thotë: “Si guxon që ta puthësh vajzën time? Ajo është e mitur dhe nën moshë, ndaj do të vijë në shtëpi me mua”. Ndërkaq Elvisi i tha vajzës së vogël se sapo të rritej pak, ai do ta bënte të vetën. Por sigurisht që ndërkaq mbreti i muzikës nuk e kalonte kohën kot. Ishte një periudhë gjatë së cilës ai shoqërohej vetëm me të mitura, të cilat i vinin edhe në shtëpi e me të cilat ai dilte edhe nëpër festa, por sigurisht duke mos dashur që të ekspozohej shumë. Mosha 14-vjeçare ishte “magjike” për Elvisin. Madje, sipas librit, një nga njerëzit e tij më të besuar, menaxheri, kishte edhe detyrën që t’i gjente Elvisit shoqëruese dhe shoqe të vogla. Dhe sigurisht që të gjeje vajza për Elvisin e madh, nuk ishte një gjë e vështirë, duke qenë se për çmendej gjysma e botës dhe kishte mjaft prej tyre do të kishin dhënë gjithçka vetëm për një puthje me këngëtarin. Vajzat e vogla i quante “qershia” dhe ka pasur një periudhë të gjatë të jetës së tij që ai e kalonte nën shoqërinë e tyre. Por jo gjithmonë bëhej fjalë për takime me natyrë seksuale. Sipas librit, edhe pse Presley pretendonte se ishte një “maço” i vërtetë, shumë vajza deponojnë më vonë se ato luanin me Presley-n dhe se atij i pëlqente që t’i vishte ato si gra të rritura dhe t’u bënte edhe tualet. Në raste të tilla, admirueset e Elvisit mbeteshin të çuditura se si ishte e mundur që ai as nuk i kishte prekur. Në ato raste, menaxheri u thoshte se Elvisi do t’u telefononte dhe se nuk ishte mirë që të tregonin lart e poshtë që ylli nuk kishte qenë aq aktiv sa dukej. Ajo çka të bën përshtypje është gatishmëria e pjesës më të madhe të nënave që të bijat të takoheshin me Presley-n dhe kjo vjen nga fakti se edhe ato ishin të magjepsura nga këngëtari. Elvisi ishte një njeri që nuk e njihte shumë ndrojtjen dhe turpin, veçanërisht kur bëhej falë që të arrinte atë që donte. Kështu që nuk e kishte problem t’u fliste prindërve të vajzave dhe pastaj të largohej me to si pa të keq. I tillë ishte edhe rasti i Prishilës. është e dokumentuar se kur ai u takua me të për herë të parë, ajo ishte 14 vjeçe dhe takimi i tyre i parë është krejt ndryshe nga sa është publikuar deri më tani. Ajo ishte e bija e një ushtaraku që kryente detyrën e tij në Gjermani dhe Elvisi u takua me të kur kryente shërbimin ushtarak në këtë vend. Pasi e takoi vajzën në një festë të familjeve të ushtarakëve, menaxheri i rregulloi një takim. Vajza ishte shumë e bukur, e vogël, me flokë të gjatë të zinj. Për Elvisin ajo ishte një grua ideale edhe për faktin se i kujtonte nënën e tij kur kishte qenë e re. Sipas librit në fjalë, Elvisi iu hodh Prishilës që në momentin e parë, madje në atë mënyrë sa edhe vetë menaxheri kishte mbetur i habitur. Sipas tij, të dy të rinjtë shkuan menjëherë në dhomën e gjumit dhe ndenjën disa orë, derisa erdhi koha që vajza të largohej e të shkonte sërish në familjen e saj. Ky ishte vetëm takimi i parë, i pasuar nga të tjerë shumë të shpeshtë, derisa prindërit e shqetësuar kërkuan që ta takonin vetë Elvisin dhe kur u takuan me këngëtarin, mbetën të pafjalë nga sharmi i tij i jashtëzakonshëm. Pas këtij takimi, ishte mamaja e Prishilës ajo e cila ngulmonte që e bija të takohej sa më shpesh me Elvisin dhe madje të bënte plane për një martesë të mundshme mes dy të rinjve. E ndërsa shërbimi i tij ushtarak në Gjermani përfundoi, ai iku në Shtetet e Bashkuara për të xhiruar një film, ndërsa Prishila e priste në Gjermani. Gjatë kësaj kohe ai pati edhe lidhje të tjera, ndër të cilat më e përfolura ishte me një 14-vjeçare, bijë e pronarit të një klubi nate në Los Anxhelos. Një natë ai i kërkoi babait të saj nëse ai do ta linte të bijën që të jetonte në shtëpinë e tij, ku ajo do të qëndronte në statusin e nuses së ardhshme. E ndërsa i ati i vajzës refuzoi, Elvisi kishte planin rezervë, atë të Prishilës. Tashmë Prishila ishte 17 vjeçe dhe ai arriti që t’ia binte prindërit se do të merrej vetë me shkollimin e saj, por ndërkohë ajo do të jetonte me të në shtëpinë e Gracelandit dhe shumë shpejt ata do të martoheshin. Prindërit ranë dakord dhe këtu filloi edhe jeta e çuditshme e Prishilës në Memfis. Vetë Prishila kujton se gjatë ditës ishte një vajzë e mbarë shkolle dhe gjatë natës bënte dashuri me Elvisin. Në këtë kohë ata pinin edhe amfetamina, një drogë pas së cilës Presley ishte shumë i dhënë. Për Prishilën, frika më e madhe ishte se mos Elvisi e linte për një grua tjetër më të re se ajo. Shumë shpejt mësoi për disa të dashura të tij dhe kjo ishte torturuese. Gjatë kësaj periudhe bashkëjetese, Elvis nuk u ndje për asnjë çast i lidhur vetëm me Prishilën dhe kishte raste që kishte paralelisht disa histori njëherazi. Vetë Prishila kishte filluar të mendonte për martesë, duke qenë se shpresonte që kjo do ta ndalte Elvisin të bridhte. Sigurisht nëse do të kishte qenë për të, ai nuk do të ishte martuar kurrë me Prishilën, por duke qenë se nami i tij po i përkeqësohej, menaxheri i këshilloi që një martesë do t’i bënte mirë reputacionit të tij. Ndaj vendosi që për të mbyllur fjalët, të martohej me Prishilën. Në muajin e mjaltit ata ngjizën vajzën e vetme të çiftit, Lisa Marie, por sapo Presley e kuptoi se e shoqja ishte me barrë, i humbi tërësisht interesi për të. Dhe pikërisht shtatzënia ishte edhe fundi i martesës së tij, duke qenë se pavarësisht martesës, ai e vazhdoi deri në fund të jetës bredhjen dhe kërkimin për vajza të reja, me të cilat nuk do të dilte në pah defekti i tij.
#