E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Fëmijët do të lëvizin të lirë në Evropë, dikur një ëndërr për prindërit e tyre Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli

Gëzimin dhe harenë fëminore të 1 Qershorit, Kryetarja e Kuvendit e përjetoi sot mes fëmijëve të Shkodrës, një qytet më një traditë unike për festimin e kësaj dite. Në një atmosferë të veçantë festive, vogëlushët, nxënësit e shkollave nëntëvjeçarë të qytetit së bashku me prindërit dhe qytetarë të tjerë të Shkodrës, mikpritën Kryetaren e Kuvendit, në një spektakël të pasur artistik dhe sportiv. Ajo, duke i uruar suksese dhe jetë të shëndetshme fëmijëve të gjithë Shqipërisë, tha se ata ndihen tashmë të barabartë me të gjithë bashkëmoshatarët e tyre në Evropë, sepse fëmijët shqiptarë kanë shpirtin, mendjen dhe zemrën evropiane. Kryeparlamentarja i përgëzoi fëmijët për vitet e lumtur dhe me fat, që po jetojnë në Shqipërinë, anëtare të NATO-s dhe në prag të heqjes së vizave. “Këta fëmijë do të kenë mundësi të lëvizin të lirë në Evropë, dikur një ëndërr për prindërit e tyre, por tashmë afër realitetit, falë reformave, punës dhe guximit të jashtëzakonshëm të çdo shqiptari”, tha Topalli. Ajo e cilësoi se vendimi historik i KE, rekomandimi për heqjen e vizave me Shqipërinë, është një premtim mbajtur i qeverisë. Kryetarja e Kuvendit tha se e tashmja dhe perspektiva e sigurt evropiane e fëmijëve nuk mund të pengohet nga askush dhe, me këtë rast Kryetarja e Kuvendit lëshoi dhe një apel për kryetarin e Partisë Socialiste. “Kanë qenë 9 muaj, në të cilët Edvin Rama ka bërë çdo përpjekje që të mos arrihej 27 Maji, dita, në të cilën komisionerja Malstrom u tha shqiptarëve se, “është merita juaj, se ju keni bërë një punë të madhe, një punë të fortë, keni bërë një punë të jashtëzakonshme”. “ “I them sot Edvin Ramës nga ky qytet, që ka vuajtur më shumë se çdo qytet tjetër nga regjimi komunist, që nuk mund të kthehen më as bllokmenët e vjetër, as bllokmenët e rinj, të cilët mund të pengojnë rrugën e integrimit të Shqipërisë”, iu drejtua kryesocialistit, Jozefina Topalli.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›