Berisha: Fëmijët dhe e ardhmja e tyre në epiqendër të punës se qeverisë

Fëmijët shqiptarë dhe e ardhmja e tyre ka qenë në epiqendër të fjalës së kryeministrit Sali Berisha, i cili vizitoi sot paradite qytetin e Shijakut, 24 km larg Tiranës. Fillimisht z. Berisha i shoqëruar nga deputetët dhe autoritetet më të larta vendore të qarkut të Durrësit morri pjesë në përurimin e përfundimit të punimeve për rikonstruksinin e shkollës 9-vjeçare "Muharem Dollaku". Një investim prej 14 milion lek nga qeveria shqiptare mundësoi ngritjen e një kati të ri mbi godinën ekzistuese si dhe rikonstuksionin e plotë të shkollës. Deputeti i zonës Osman Metalla dhe një nga nxënëset e vogla të shkollës prenë në mënyrë simbolike shiritin e përurimit. Kryeministri Berisha u ndal në disa nga klasat e shkollës me 540 nxënës, shumica e të cilave janë pajisur me mjete të reja didaktike. Në klasën e tretë nxënësit e vegjël, të cilët kanë nisur të mësojnë gjuhën franceze recituan disa poezi të shkurtëra, duke fituar edhe përgëzimet e kryeministrit Berisha. Më pas z. Berisha u ndal në kabinetin e biologjisë, ku morri pjesë në një orë të shkurtër mësimi me temë mbrojtjen e shëndetit nga dëmet e duhanit.
Në vizitën që zhvilloi në kabinetin e informatikës kryeministri Berisha, pasi i përgëzoi nxënësit u shpreh i gëzuar që shokët e tyre në klasën e biologjisë kishin përgtitur temat e tyre në CD. Ai tha se, " instalimi i kompiuterave në të gjitha shkollat e vendit nga Vermoshi në Konispol do të përfundojë brenda gjysmës së parë të muajit qershor, ndërsa në mandatin e dytë qeverisës, synojmë të cojmë kompiuterin dhe mundësinë e lundrimit në internet në të gjitha familjet shqiptare ku ka fëmijë". Menjëherë pas vizitës në shkollë gjatë një takimi të zhvilluar me banorë dhe simpatizantë të partisë Demokratike në Shijak, kryeministri Sali Berisha nënvizoi rëndësinë e të ardhmes së fëmijëve shqiptarë. "Gjatë katër viteve të fundit janë rindërtuar dhe ndërtuar 1012 shkolla në të gjithë vendin,-tha z. Berisha, sipas të cilit- shkollat konsiderohen si një shtëpi e dytë për fëmijët kudo që ndodhen. Megjithë skepticizmin e opozitës e cila katër vjet më parë e quajti një luks të tepruar instalimin e kompiuterave dhe mundësinë e internetit në të gjitha shkollat e vendit, tashmë ky është një realitet i prekshëm kudo.".
Kryeministri tha se, " Kam kënaqësinë të njoftoj se për muajin maj të këtij viti mësuesit do të marin dyfishin e rrogës që kanë marrë në vitin 2005,- duke shtuar- se ky është një tjetër premtim i mbajtur i qeverisë shqiptare.Sot në universitetet tona studiojnë 115 mijë studentë, nga 52 mijë që studionin katër vite me parë. Kujdesi shkon për fëmijët, pasi sa më të vetëdijsëm të bëhen, aq më të bukur do ta ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe të Shqipërisë." Duke iu drejtuar qytetarëve shijakas, Berisha tha se premtimi i furnizimit me energji elektrike pa ndërprerje është realizuar që në vitin 2007 dhe në të ardhmen vendi ynë do të jetë një eksportues i energjisë elektrike. Në 30 vjet nuk u ndërtua asnjë burim energjie, ndërsa vetëm në dy muajt e fundit kanë nisur të ndërtohen 20 burime të reja, tha Kryeministri Berisha. Duke përballur shifrat e investimeve të qeverisjes 8-vjeçare socialiste z. Berisha tha se në Shijak në katër vitet e fundit janë investuar 326 milion lekë, ose tre herë më shumë se në periudhën 1997-2005. Edhe në komunat e Katundit të Ri dhe Xhafzotajt pranë këtij qyteti shifrat e financimeve të qeverisë janë 8-15-fishuar. Duke replikuar në distancë me kreun e opozitës, Berisha tha se "vetëm në komunat e Xhafzotajt dhe Katundit të Ri në këto katër vjet janë asfaltuar 62 km rrugë, ndërsa në bashkinë e Tiranës jo më shumë se 12 km. Tirana ka mbetur peng i kryetarit të bashkisë. Ne e duam Tiranën dhe në këto vite kemi 5-fishuar grantin e qeverisë për të, por kryetari i bashkisë vazhdon të mbajë peng projektet madhore për Tiranën."
Berisha u kujtoi të pranishmëve se opozita e majtë ka këshilluar gjithnjë të kundërtën e asaj që duan shqiptarët. "Ata kërkojnë të mos rriten rrogat e pensionet, siç synuan që kërkesa për anëtarësimin në Bashkimin Evropian të shtyhet në një kohë tjetër." Kryeministri i vendit tha se suksesi i katër viteve të fundit lidhet me luftën e ashpër kundër korrupsionit. "Është kjo luftë pa kompromis që ka mundësuar rritjen e vazhdueshme të investimeve në të gjitha fushat, rritjen e rrogave dhe pensioneve, që ka mundësuar anëtarësimin në NATO dhe që do të na çojë drejt familjes së madhe evropiane",-tha z. Berisha në përfundim të fjalës së tij në Shijak.
...