E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Festojmë se jemi jashtë krizës

Berisha dje ne Elbasan

Kryeministri dhe kreu i opozitës, në Elbasan për Ditën e Verës. Të dy i pret kreu i Bashkisë, Qazim Sejdini.

Rama: Kjo ditë lehtëson plagët, zgjidhja është Rilindja Shqiptare

Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i PS-së, Edi Rama, kanë festuar dje së bashku në Elbasan Ditën e Verës. Kreu i qeverisë, si çdo vit tjetër, ka udhëtuar në drejtim të Elbasanit, të cilin e ka cilësuar për një ditë si kryeqytetin e Shqipërisë. Ndërkohë që për herë të parë në këtë qytet ka shkuar edhe kreu i opozitës, pasi la Bashkinë e Tiranës. Kryeministri mbërriti në qytet rreth orës 10:00, ku i shoqëruar nga kreu i Bashkisë, Qazim Sejdini, ka vizituar panairin e produkteve ushqimore. Aty kreu i qeverisë ka premtuar mbështetje për biznesin, duke thënë se qeveria do të bëjë gjithçka për mjedisin dhe klimën më miqësore ndaj jush, se qeveria do të vazhdojë të gjitha përpjekjet për të zgjeruar hapësirat e lirisë suaj, me besimin më të madh që kjo është rruga  më e sigurt e zhvillimit dhe prosperitetit të vendit, kjo është rruga më e sigurt e krijimit të vendeve të reja të punës. Sipas tij, këtë ditë Shqipëria e feston si një vend që nuk u prek nga kriza ekonomike. Berisha tha se, pavarësisht turbullirave ekonomike në Europë, në vendin tonë u rritën rrogat dhe pensionet. Ne festojmë më mirë se kurrë, të dashur qytetarë dhe qytetare të Elbasanit, se vetëm pak javë na ndajnë nga dita kur drita e tunelit do të dalë në Tiranë dhe vitin e ardhshëm Tirana do të derdhet në Elbasan më 14 mars, në kryeqytetin e vet, i cili në këtë ditë është

Gjatë festimeve të Ditës së Verës dje në Elbasan

Elbasani. Ne festojmë sot më mirë se kurrë, sepse më shumë se asnjëherë është bërë e mundur që pasuritë tona natyrore, potencialet e jashtëzakonshme të shndërrohen në vlera për qytetarët, u shpreh Kryeministri. Pasi mori pjesë në parakalimin tradicional të karnavaleve, kreu i ekzekutivit është ndalur në lokalin Real Skampis brenda mureve të kalasë për të pirë kafe. Gjatë kësaj kohe, në qytet ka mbërritur edhe kreu i PS-së, Edi Rama, i cili këtë vit ka zgjedhur pikërisht Elbasanin, pasi la drejtimin e Bashkisë së Tiranës ku e organizonte këtë festë. Me të njëjtën axhendë, Rama i shoqëruar nga deputetë dhe kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini, ka vizituar panairin Dita e Verës. Në një deklaratë për mediat, kreu i opozitës u përqendrua te çështja e papunësisë në vend. Ditë të tilla shërojnë përkohësisht plagët sociale. Qytetarët e meritojnë të hapin një kapitull të ri transformues me programin e PS-së për një Rilindje Shqiptare. Në një ditë si kjo, në një festë popullore, është një moment që lehtëson plagët sociale dhe hallet e përditshme. Qytetarët e meritojnë një rilindje shqiptare, që do të bëjë të mundur që të kenë punësim dhe të paguhen në mënyrë të ndershme, theksoi Rama. Qoftë për Elbasanin, qoftë për të gjithë Shqipërinë, duhet dhe do të hapim një kapitull të ri transformues për një Rilindje Shqiptare, që kjo ditë të mos jetë thjesht një ditë e bukur, përmes një rrugëtimi në mjegull dhe në gri, por të jenë ditë brenda natyrshmërisë së një dite të bukur për të gjithë shqiptarët, u shpreh më tej Rama.

Përurimi
Gjatë vizitës në Elbasan, kreu i qeverisë përuroi edhe qendrën tregtare Orti. Sot është festë dhe gjithnjë urimi i parë është për festën, por gjithashtu dua tju garantoj ju, të gjithë biznesmenëve të këtij qyteti dhe mbarë Shqipërisë, se qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka për suksesin e projekteve tuaja, për suksesin e bizneseve tuaja, si kusht i të gjithë kushteve për begatimin e qytetarëve shqiptarë, për zhvillimin e Elbasanit dhe të Shqipërisë në tërësi, u shpreh kreu i qeverisë.

Meta
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka festuar dje Ditën e Verës në Antigone. Duke folur për marrjen e statusit të vendit kandidat, ai tha se zhvillimet politike gjithashtu kërkojnë më shumë dashuri, por në qoftë se kjo do të jetë e vështirë, të paktën dialogu nuk është i pamundur, në mënyrë që Shqipëria të hedhë atë hap, që duhet ta kishte hedhur prej 2-3 vitesh, të marrjes së statusit të vendit kandidat, sepse i vetmi problem ka qenë mungesa e dialogut politik dhe disa reformave që kanë në bazë këtë dialog.

Topalli u dhuron lule deputeteve të PD e PS
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i ka dhuruar dje të gjitha deputeteve femra të Parlamentit një vazo me lule, me rastin e festës së Ditës së Verës. Vazot me lule manushaqeje u janë dhënë deputeteve nga administrata e Parlamentit si një simbol i festës tradicionale të ardhjes së pranverës. Dhuratat simbolike janë shkëmbyer vazhdimisht mes përfaqësuesve të maxhorancës dhe opozitës, çka tregon se pranvera në marrëdhëniet dypalëshe ka ardhur prej disa muajsh. Një ditë më parë, dhuratat simbolike janë shkëmbyer dhe në Konferencën e Kryetarëve. Nënkryetari i Kuvendit, deputeti i qarkut të Elbasanit, Ardian Turku, u shpërndau nga një ballokume të gjithë anëtarëve të Konferencës së Kryetarëve me rastin e kësaj feste. Si përfaqësues i qytetit, ku festohet më shumë Dita e Verës,  Turku kishte tagrin e të zotit të shtëpisë për të qerasur kolegët e tij të maxhorancës dhe opozitës me këtë ëmbëlsisë karakteristike të Ditës së Verës, të njohur në të gjithë Shqipërinë. Gjithashtu, kryetarja e Komisionit të Medias, socialistja Valentina Leskaj, deputete e qarkut të Elbasanit, ka marrë një buqetë me lule, të cilën ia kanë dhënë punonjësit e administratës, edhe kjo me rastin e Ditës së Verës. Këto simbole të ardhjes së pranverës janë komentuar me batuta gjatë mbledhjes për një pranverë në marrëdhëniet e mëtejshme mes maxhorancës dhe opozitës.

Ambasadori danez: Dielli dhe vera do të vijnë për Shqipërinë

Ambasadori danez, Jensen

Ambasadori i Danimarkës në Tiranë, Karsten Ankjaer Jensen, vendi i të cilit mban kryesinë e radhës së BE-së, festoi dje Ditën e Verës në Elbasan. Gjatë një takimi zhvilluar në zyrën e kryetarit të Bashkisë, Qazim Sejdini, duke iu referuar motit të mirë në qytetin e Elbasanit, ai shprehu besim se dielli dhe vera do të vijë dhe për Shqipërinë. Nisur dhe nga koha e bukur që jemi sot, kemi shpresë se politika shqiptare do të gjejë bashkëpunim. Në Ditën e Verës dielli gjithmonë ka mbajtur premtimin dhe ka qenë i pranishëm. Besoj që dielli dhe vera do të vijnë edhe për Shqipërinë dhe mendoj se do të vijnë shumë më shpejt sesa e presin shqiptarët, tha ambasadori Jensen. Dielli do të vijë, tha ai, se shqiptarët kanë gjithçka që duhet me qëllim që të përparojnë. Dhe mendoj se është një shenjë shumë e mirë që edhe Kryeministri dhe kryetari i opozitës kanë zgjedhur të vijnë këtu të festojnë Ditën e Verës dhe shpresoj që ata do ta vazhdojnë këtë. Pyetjes së gazetarëve nëse pas Ditës së Verës Shqipëria do ti bashkohet BE-së,

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›