Berisha-Fini: Shqipëria dhe Italia, do t'i intensifikojnë raportet

Romë, 13 shkurt, NOA - Kryeministri Berisha
gjatë qëndrimit të tij në Itali, është pritur në një takim të përzemërt nga presidenti
i Dhomës së Deputetëve italianë, Gianfranco
Fini, në Pallatin Montecitorio. Kryeministri Berisha theksoi se bashkëpunimi
midis Shqipërisë dhe Italisë në fushën e sigurisë, të mbrojtjes e rendit dhe në
fushën e gjyqësorit, është në një nivel shumë të lartë dhe duhet të shërbejë si
shembull për bashkëpunimin midis vendeve të tjera. Ndërsa Fini i shprehu atij vlerësimin se
marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera dhe se e gëzonte fakti që ato po
intensifikohen dhe po ngrihen në një nivel edhe më të lartë.
Në takim ndër të tjera, të dy personalitetet
diskutuan për fusha me interes të përbashkët për të dy vendet, duke vlerësuar
si kryesore bashkëpunimin ekonomik, veçanërisht në fushën e energjetikës.
Përshembull, kryeministri Berisha i bëri me
dije Finit se vitin e kaluar u nënshkruan marrëveshje për rreth 4 milionë euro
investime në fushën e energjisë, në prodhimin e çimentos etj.
Ai theksoi se është në interesin e përbashkët
të dy vendeve shfrytëzimi i potencialeve të mëdha të Shqipërisë, veçanërisht në
prodhimin e energjisë nga burimet të ndryshme. Kryeministri tha se janë 440
hidrocentrale të madhësive të ndryshme për tu ndërtuar në vend dhe
bashkëpunimi me Italinë në këtë drejtim është me interes të madh reciprok.
Në këtë kontekst, ai nënvizoi rëndësinë e
suksesit të projekteve në fushën e energjisë së rinovueshme, duke përmendur
këtu projektet ndërkombëtare të gazit që përfshijnë Shqipërinë dhe
Italinë, si një tjetër kusht i domosdoshëm i krijimit të një tregu të
qëndrueshëm energji, mbështetjen e projekteve italiane në fushën e energjisë
hidrike dhe të erës, domosdoshmërinë e linjën së interkonjeksionit nënujor
Shqipëri Itali, si arterie e domosdoshme e lidhjes së tregut shqiptar me atë
europian, nëpërmjet Italisë, etj.
Ai theksoi ambicien dhe objektivin e qeverisë
shqiptare për ta kthyer Shqipërinë në një nyjë strategjike për prodhimin e
energjisë së rinovueshme dhe eksportimin e saj.
Nga ana e tij, presidenti i Dhomës së
Deputetëve të Italisë, Fini shprehu vlerësimin e tij për hapat e ndërmarrë nga
qeveria shqiptare drejt procesit të liberalizimit të vizave dhe siguroi se
Italia do të mbështesë me të gjithë forcën e saj liberalizimin e vizave dhe
procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Gjithashtu, Fini theksoi se një urë shumë e
rëndësishme miqësie dhe bashkëpunimi mes dy vendeve janë emigrantët shqiptarë
që jetojnë dhe punojnë në Itali, të cilët përbëjnë një komunitet shumë të
rëndësishëm, janë rreth 22 mijë sipërmarrës shqiptarë të cilët operojnë me
sukses në Itali dhe me mijëra studentë, të cilët i ka vlerësuar si ambasadorët
më të mirë të vendit të tyre.
n.e/NOA