E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Fitorja e PD, jo të përjashtuar

 

Majlinda Rama

Kur kanë ngelur vetëm pesë ditë nga 28 qershori, kryeministri Berisha është ndalur në qarkun e Fierit, bastion i PS-së, por njëkohësisht qarku i dytë më i madh i vendit që çon në Parlament 16 deputetë. Nga qyteti i Fierit, kreu i ekzekutivit është shprehur se tani po troket ora e fitores për Partinë Demokratike, duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve, përfshi edhe ata socialistë të votojnë nr. 10 në fletën e votimit. “Ora e fitores po troket. Le të ngrihemi ne në lartësinë e saj. Për ne nuk ka e nuk do të ketë të përjashtuar. Ne ju duam të gjithëve. Të festojmë e të këndojmë fitoren. Fitorja jonë është fitorja e projektit evropian, e Fierit evropian, e Shqipërisë evropiane. Më 28 qershor, votoni 10-ën. 10-ta është ëndrra e bukur evropiane. 10-të janë fëmijët tuaj të bukur. 10-të është familja e mrekullueshme, është qyteti juaj, është Shqipëria, është Partia Demokratike, është Evropa blu që mezi na pret”, u shpreh kryeministri Berisha. Teksa u ka bërë thirrje qytetarëve të Fierit të vijnë në sheshin “Skënderbej” në 26 qershor, në mitingun përmbyllës të Partisë Demokratike, kreu i kësaj partie ka deklaruar se vota për PD-në është votë për rritjen e rrogave dhe pensioneve, por edhe për heqjen e vizave me Bashkimin Evropian. “Votoni me ne, për rrogat e pensionet tuaja. Votoni me ne, sepse keni votuar për revolucionin e ri industrial. Votoni me ne, të dashur fermerë të Fierit, sepse keni votuar për subvencionimin e akcizës së naftës dhe inputeve për çdo sipërfaqe të mbjellë, keni votuar për çdo projekt për nxitjen e prodhimit, keni votuar për financimin e çdo rrënjë ulliri apo dru frutor që ju do të mbillni. Votoni me ne, sepse keni votuar për barazimin e pensioneve të fshatit me qytetin. Votoni me ne, sepse keni votuar për vaditjen e kullimin e fermave tuaja. Sikundër, ju garantoj se qytetin do të çlirojmë nga TEC-i dhe rrangallat e vjetra të industrisë socialiste”, u shpreh Berisha. para mitingut në Fier, kreu i PD-së, u ndal në qytetin e Lushnjës, i cili në vitin 2005 nxori tre deputetë për forcën blu. Nga sheshi kryesor, Berisha premtoi mbështetje për fermerët e Lushnjës, duke artikuluar edhe premtimin “Shqipëria nën ujë”. “Katër vitet që vijnë, ne garantojmë fermerët e mrekullueshëm të Lushnjës e mbarë Myzeqesë se së pari, do të financojmë çdo projekt të tyre për nxitjen, përpunimin dhe marketingun e prodhimeve të tyre, do të financojmë çdo rrënjë ulliri që do të mbillet në territorin e Lushnjës, do të subvencionojmë akcizën e naftës dhe inputet për çdo sipërfaqe të mbjellë. Fermerëve të Lushnjës e mbarë Shqipërisë ju garantojmë se katër vitet që vijnë, do të jenë vitet e Lushnjës nën ujë, Shqipërisë nënë ujë. Vaditja e tokave tuaja do të jetë përparësi madhore e jona”, u shpreh Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›