Sondazhi i IPR Marketing: PD, tre pikë para PS
Pesë ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, Partia Demokratike është 3 pikë para Partisë Socialiste. IPR Marketing dhe Televizioni “Ora News” kanë publikuar dje sondazhin më të fundit në të gjithë vendin, i cili është zhvilluar në datat 17-20 qershor dhe për të cilin janë intervistuar 1504 qytetarë. Të pyetur se për cilën forcë politike do të votojnë, 41 për qind kanë zgjedhur PS-në dhe 44 për qind Partinë Demokratike. Për sa i përket koalicioneve, “Bashkimi për ndryshim” i kryesuar nga PS-ja ka marrë 44.4 për qind të votave (G99 ka marrë 2.7 për qind dhe të gjitha partitë e tjera të koalicionit 0.7 për qind), ndërsa “Aleanca e ndryshimit” ka marrë 47.9 për qind (PR 1 për qind; PD 0.8 për qind dhe të gjithë aleatët e tjerë 2.1 për qind). Koalicioni “Aleanca Socialiste për Integrim” e drejtuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë 6 për qind të votave, ndërsa Poli i Lirisë, një koalicion mes PDK-së, LZHK-së dhe disa forcave të tjera të djathta ka marrë 1.5 për qind. Në krahasim me sondazhin e një jave më parë të zhvilluar nga kjo kompani, koalicioni i PS-së ka një rritje me 0.6 për qind, ndërsa koalicioni i PD-së ka një rritje me 0.9 për qind. Ndryshe nga dy forcat e mëdha, koalicioni i LSI-së ka një rënie me 1.5 për qind, ndërsa Poli i Lirisë ka qëndruar në të njëjtat nivele. Por në këtë sondazh 13 për qind e të pyeturve janë të pavendosur dhe 10 për qind nuk janë përgjigjur. Paralelisht me këtë sondazh, kompania italiane dhe Ora News kanë zhvilluar një tjetër sondazh për Qarkun e Tiranës, i cili veç qytetit përfshin edhe Kavajën, Kamzën, Paskuqanin dhe Rrogozhinën. Koalicioni i PD-së ka marrë 48.8 për qind të votave, ndërkohë që koalicioni i majtë i drejtuar nga PS-ja ka marrë 43.8 për qind të votave. Koalicioni i LSI-së ka marrë 4.6 për qind të votave, ndërsa ai i Polit të Lirisë 2.5 për qind. Nëse këto përqindje do të përktheheshin në vende në parlament, Partia Demokratike me aleatët do të merrte 16 deputetë, Partia Socialiste me aleatët 14-15 vende dhe LSI një vend. Ndërkohë, Instituti “Gani Bobi” ka publikuar dje sondazhin për Elbasanin, ku PD ka marrë 42.2 për qind të votave, PS 31 për qind dhe LSI 2.9 për qind.
Rezultatet e sondazhit në gjithë vendin
22 qershor 16 qershor
PS 41.0 39.6
G99 2.7 3.5
Të tjerat (PSD-PDS-PBDNJ) 0.7 0.7
Bashkimi për Ndryshim 44.4 43.8
PD 44.0 42.6
PR 1.0 1.5
PDI 0.8 0.6
(PAA-AD-PBK-PLL-BLD, të tjerat) 2.1 2.1
Aleanca e Ndryshimit 47.9 46.8
LSI 5.0 5.7
PSV 91-PGJ-LDLNJ-PTR-PMDE) 1.0 1.8
Aleanca Socialiste për Integrim 6.0 7.5
LZHK 0.5 0.5
(PDK-PBD-PKONS-PRDSH-PRRL) 1.0 1.0
Aleanca Poli i Lirisë 1.5 1.5
PLiDr <0.5 <0.5
Tirana
PS 40%
G99 2.7%
Aleat PS 1.1%
PD 46.0%
PR 1.3%
PDI 0.5%
Aleat PD 1.0%
LSI 4.0%
Aleat LSI 0.6%
LZHK 1.3%
PDK 0.5%
Aleat LZHK 0.7%
PLiDr <0.5%
Abulla Omuri <0.5%