E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Fitorja e PD ka një emër grua, zonjë, vajzë, zonjushë…

04-05-2013 / Gazeta 55

Zhvillon punimet në Tiranë Konventa Kombëtare për Barazinë Gjinore e Partisë Demokratike

Kryeministri Sali Berisha deklaroi të premten, gjatë punimeve të Konventës Kombëtare të Partisë Demokratike për Barazinë Gjinore, se, “projekti ynë për 4 vitet e ardhshme është në mbështetje të grave si potencial kryesor për zhvillimin e vendit”. “Kjo Konventë është, para së gjithash, një homazh i madh për gruan shqiptare, e cila është nëna më e dashur; nëna më fisnike; nëna më e mrekullueshme e kësaj toke; nëna e cila e vetme arriti të shenjtërohet, arriti të hyjnizohet, arriti që me zemrën dhe forcën e shpirtit të saj të pushtojë mbarë njerëzimin, e përfaqësuar nga Nënë Tereza. Sot është një homazh i madh për vajzat shqiptare, të cilat në një përpjekje të madhe, në një kohë të shkurtër, po bëjnë gjithçka për të vendosur barazinë midis djalit dhe vajzës, burrit dhe gruas, nënës dhe babait. Sot është një homazh i madh për vajzat dhe gratë shqiptare, të cilat përfaqësojnë këtë komb, në Shqipëri edhe në botë, me dinjitetin më të madh. Ato janë sot fermerë të shkëlqyera, janë sot biznesmenë që kanë përfaqësuar me dinjitet iniciativën e lirë të gruas shqiptare që nga konferencat kombëtare deri në Shtëpinë e Bardhë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Berisha në fillim të fjalës së tij.
Në këtë kontekst, vijoi ai, ne përulemi me respekt dhe nderojmë të gjitha vajzat shqiptare që po bëjnë gjithçka për të vendosur barazinë mes burrit dhe gruas. “Sot, kjo Konventë është një homazh i madh për ato mijëra dhe dhjetëra - mijëra vajza e gra shqiptare që edukojnë çdo ditë fëmijët shqiptarë. Vetëm 3 ditë më parë, zemra më fluturoi nga gëzimi kur lexova se në studimin më serioz në botë për arsimin, Shqipëria renditej e para në botë për marrëdhëniet e ngrohta fëmijë-mësues. Dhe kjo është merita juaj. Kjo është dashuria e vajzave dhe grave shqiptare që japin mësim, që edukojnë fëmijët tanë”. “Kjo është një ditë e madhe për ne, tha Kryeministri Berisha, për të shprehur nderimin më të madh para atyre mijëra vajzave, motrave, bashkëshorteve, nënave tona, infermiereve dhe mjekeve që me aq humanizëm, që me aq aftësi kujdesen për shëndetin e foshnjave, të vajzave të grave, të burrave, të të moshuarve të këtij vendi. Sot është Konventa për të shprehur nderimin më të madh para atyre vajzave dhe grave, të cilat me gjeninë e tyre krijuese, me veprat e tyre letrare, poezitë e tyre fine, prozën e shkëlqyer, me dhuntitë e tyre artistike, me zërin e tyre magjepsës përfaqësojnë kombin në skenat, në panairet më serioze të botës. Sot është dita për të shprehur nderimin më të madh ndaj shqiptareve fisnike që në shekuj dhe mijëvjeçare ishin universiteti i bijve, i fëmijëve të tyre. Ato u mëkuan atyre dijen, dashurinë për vendin dhe për lirinë. Sot, ne mblidhemi në një Konventë nderimi të pakufishëm, respekti të madh, përulje me nderimin më të madh para vajzave, nënave, grave, motrave tona. Sot, kjo është Konventa në të cilën ne së bashku do të vendosim për rolin tuaj, arsimimin tuaj, punësimin tuaj, për rolin tuaj udhëheqës, për kontributin tuaj shkencor, kontributin tuaj kulturor, do të vendosim për përpjekjen tonë të madhe kombëtare, për të ngushtuar gjithnjë e më shumë hendekun e pabarazisë gjinore, për të shembur çdo ditë e më shumë murin e patriarkisë”.
Kryeministri Berisha teksa ftoi të gjitha gratë dhe vajzat pavarësisht bindjeve që ti bashkohen PD-së me qëllim realizimin e programit 4-vjeçar të së djathtës. “Gra dhe vajza shqiptare, të të gjitha bindjeve, bashkohuni me ne, bashkohuni dhe së bashku të bëjmë që askush të mos guxojë të dhunojë liritë dhe të drejtat tuaja; së bashku, me këtë projekt, të thërrmojmë çdo ditë e më shumë murin e patriarkisë; së bashku, me këtë projekt, të vendosim para ligjit cilindo që guxon të shkelmojë, të dhunojë liritë dhe të drejtat tuaja. Le të bashkojmë ne zërin tonë me çdo nënë, me çdo motër dhe me çdo vajzë që harbutërisht, që padrejtësisht, dhunohet në familjen e saj. Çështja e vajzave dhe e grave nuk është vetëm çështje e lirive dhe të drejtave njerëzore. Ajo është para së gjithash çështje e potencialit të jashtëzakonshëm kombëtar, e zhvillimit të këtij kombi në rrugën e qytetërimit, në rrugën evropiane. Ndaj dhe ftoj vajzat edhe gratë e mbarë Shqipërisë të bashkohemi për shkollimin sa më të mirë të vajzave tona; të bëjmë gjithçka që Shqipëria të arrijë horizontet më të larta, të arrijë cilësitë më të larta. Çështja e vajzave dhe e grave nuk është vetëm çështje shkollimi. Ne jemi krenar, sepse sot ato dominojnë me 10 për qind më shumë në të gjitha universitetet tona. Por çështja e grave dhe vajzave është çështje punësimi, është çështje karriere. Ndaj dhe ju ftoj ju, ftoj vajzat dhe gratë shqiptare kudo që janë, katër vitet që vijnë le të shndërrojmë ne së bashku karrierën tuaj në përparësinë tonë më madhore. Le të mbështesim ne karrierën e çdo vajze dhe të çdo gruaje”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Sipas tij, “Ne po ecim drejt zgjedhjeve të 23 qershorit, zgjedhje të cilat janë përcaktuese për ëndrrën tuaj të bukur, për ëndrrën e fëmijëve tuaj, për të ardhmen tuaj, të ardhmen e fëmijëve tuaj, të ardhmen evropiane të Shqipërisë”. Në këtë kontekst, vijoi Kryeministri Sali Berisha, “Zgjedhjet janë përcaktuese për rolin tuaj të madh në shoqërinë shqiptare. Më 23 qershor, si gjithnjë, fitorja është në duart tuaja, fitorja është vepra juaj. Nga zgjedhjet e para pluraliste e deri më sot, fitorja e Partisë Demokratike ka pasur vetëm një emër, i cili ka qenë, grua, zonjë, vajzë, zonjushë! Ndaj dhe këto 50 ditë që kanë mbetur, me forcën shpirtërore të argumentit tuaj, me qartësinë dhe kthjelltësinë tuaj, me vendosmërinë e paepur tuajën, siç do t’u thoshte Mari Thatcher kolegëve të saj, ‘Zonja nuk kthehet mbrapa!’. Edhe ju persistoni në realizmin e qëllimit tuaj, në realizimin e një procesi zgjedhor të bukur si ju, të qytetëruar si ju, një procesi zgjedhor të denjë për Shqipërinë dhe shqiptarët, një procesi zgjedhor në lartësinë e fitores sonë. Nder vajzave dhe grave shqiptare! Nder nënave dhe motrave tona, kudo që janë! Përpara, përpara, përpara!”, përfundoi Kryeministri Sali Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›