E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Sot Shqipëria ka ndryshuar shumë, te dashuria qëndron forca jonë e pashtershme për të ecur para”

04-05-2013 / Gazeta 55

Kryeparlamentarja, njëherazi edhe nënkryetare e PD-së, Jozefina Topalli, përshëndet Konventën e Gruas

Privilegj e ka cilësuar Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, praninë e saj, mes zonjave, dhe vajzave që sipas saj “duan të ecin përpara”, ndërsa ka shtuar se “te dashuria qëndron forca jonë e pashtershme për të ecur para”. “Është privilegj të jesh në shoqërinë e kaq shumë zonjave dhe vajzave që duan të ecin para. Ne që jemi sot këtu dhe me mijëra të tjera gra dhe femra që nuk janë, kemi një histori të përbashkët. Historia jonë e përbashkët është ndryshimi kolosal dhe i paimagjinueshëm që secila prej nesh ia ka dalë me vështirësi dhe kurajë. Te dashuria qëndron forca jonë e pashtershme për të ecur para. Por, ndryshimi kërkon sakrifica”, u shpreh Topalli, në përshëndetjen e saj gjatë punimeve të Konventës së Gruas, organizuar nga Partia Demokratike.
Duke vlerësuar momentet e jashtëzakonshme, të vështira e të lumtura, që kryeparlamentarja, njëherazi edhe nënkryetare e PD-së, ka kaluar me shumë prej të pranishmeve në Konventë, Topalli e ka cilësuar një sfidë axhentën e saj parlamentare, në gjithë këto vite. “Shumë prej jush më njohin nga afër si nënkryetarja e PD-së dhe së bashku kemi përjetuar momente të jashtëzakonshme, të vështira dhe të lumtura. Shumë të tjera më njohin se kryetaren e Kuvendit që në ekran mund të shfaqet dhe e ashpër. Në fakt gjatë këtyre viteve axhenda e Parlamentit ka qenë sfidë dhe reformë dhe përballë kam pasur bllokim dhe bojkot. Pozicionin tim, e kam cilësuar si sfidë për ti shërbyer kauzës sonë, reformës dhe ndryshimit”, vijoi kryeparlamentarja Jozefina Topalli. Në Konventën e Gruas Demokrate Jozefina Topalli, duke, larg të qenit politikane, bëri një rrëfim të jetës së saj duke kujtuar disa nga  peripecitë e karrierës së saj. Jozefina Topalli kujtoi momentet e vështira të jetës, si ajo e vitit 1998, ku u kërcënua me jetë dhe frikën që ndjeu familja e saj apo dhe kohën kur sipas saj shteti socialist kishte si qëllim “largimin nga skena politike të Sali Berishës dhe asgjësimin e PD”. Jozefina Topalli nuk la pa përmendur edhe një nga përpjekjet për vrasjen e Azem Hajdarit. “Por, më parë jam Jozefina, bijë dhe nënë e dy fëmijëve Megi dhe Genari, që janë dy kryeveprave të mija. Të jem nëna më e mirë në botë është arritja më madhe në jetë. Sot nuk flas si politikane sot, por si nënë. Më kujtohen net të panumërta pa gjumë, kujtoj me mall kur vrapoja pas tyre, fati e donte që Megi të linde ditën kur babai im u nda nga jeta. Në atë kohë më kishin dhënë një punë të vështirë në internim, por kurrë nuk hoqa dorë nga ëndrra ime për tu bërë matematikane, unë ëndërroja të bëhesha shkencëtare, ndërsa politikane nuk mund ta çoja ndërmend të Republikën Socialiste të Shqipërisë, ku dy njerëzit e mi të dashur u persekutuan. Ishte kjo arsyeja pasi shqiptarët realizuan ndryshimin epokal, një miku im më tha ti Jozefinë ke qenë e destinuar në hyjë në politike para 20 vitesh. Në vitin 1996 ku sapo kisha lindur Genarin jeta ime ndryshoi, duke ecur drejt të paimagjinueshmes. Presidenti Sali Berisha më kandidoi në qytetin tim të përjetshëm, në Shkodër dhe unë nisa rrugëtimin tim... Djali im ishte disa muajsh kur PD ishte ne opozitë. Ishte kohë e vështirë, shteti vriste kolegët e mi, isha gruaja e vetme që hyra në Kuvend me votat e Shkodranëve të paepur. Sali Berisha më besoi postin e nënkryetares së Parlamentit. Ishin vite kur shteti i marr dhunë kishte si qëllim të largonte nga skena Sali Berishën, të asgjësonte PD. Në atë kohë të dhunshme dhe jo aq të largët me shumë pak kolegë shkonim të ngrinim në çdo qytet PD-në. Unë jetoja në Shkodër, dhe për të shkuar në Tiranë me rrugë me gropa duhet të udhëtoja 4 orë. Në 8 vite kisha një bashkudhëtar, Genarin e vogël. Kam në mendje vrapin e tij që më pasi ai me priste deri sa kthehesha... Kujtoj 4 qershorin e vitit 1998 kur me Azem Hajdarin, Liri Berishën dhe Aleksandër Meksin shkuam për të pritur vëllezërit kosovar. Shteti qëlloi mbi Azem Hajdarin. Kujtoj se në vitin 1998 më bllokuan në Peshkëpi të Vlorës dhe më mbajtën 20 minuta me kallash në kokë. Me mua ishte zonjë trime nga Vlora, qetësia e saj na shpëtoi jetën. Emri i saj ishte Dorotea. Por, një ngjarje tjetër ishte duke u zhvilluar në shtëpinë time, pasi një Televizion lokal thoshte se ndaj Jozefinës është bërë atentat. Vajza ime e kishte lexuar me zë dhe djali i vogël thoshte mama, mama, pasi mendonte se mamit të tij do i bënin keq. Ne e donim vendin tonë në ditën më të keqe, dhe ky ishte motiv që të mos kishim frikë. Sot Shqipëria ime ka ndryshuar shumë, ndërkohë fëmijët e mi janë rritur, shkolluar, por pavarësisht se janë rritur ato për mua janë si fëmijë të vegjël. Kjo është puna më e mirë, por me e vështira që kemi bërë...”, kujtoi disa momente nga jeta e saj kryepraplamentarja, njëherazi edhe nënkryetare e PD-së, Jozefina Topalli.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›