Topalli: Votoni 3 ligjet e integrimit, s’ju duhet më shumë se 3 sekonda

Nis sesioni i VIII-të i Legjislaturës së VII-të
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në seancën e parë plenare, në hapje të Sesionit të VIII-të të Legjislaturës të VII-të, i bëri sërish thirrje opozitës që të votojë tre ligjet e integrimit. “Miratimi i 3 ligjeve janë detyra të cilat Komisioni i Zgjerimit Europian i ka dhënë ligjvënësve shqiptarë për integrimin e vendit. Nuk do të rresht, në asnjë ditë të këtij sesioni të ri parlamentar, së bëri thirrje çdo deputeti që t’i votojmë sa më parë këto 3 ligje. Ato do të jenë në rendin e ditës të çdo seance dhe jam e bindur se do të votohen”, theksoi Topalli. Në tetor të 2012-s, vijoi ajo, komisioni i Zgjerimit rekomandoi statusin, me kusht që të votojmë 3 ligje, që kërkonin 3/5 e votave. Por, këto 3 ligje u bllokuan. Kanë kaluar 100 ditë dhe ato nuk janë miratuar. E për pasojë edhe statusi. Dhe kjo le gjurmë, gjurmë të shëmtuar”, theksoi kryeparlamentarja. Duke shpresuar që sesioni i ri të karakterizohet nga dialogu dhe debati konstruktiv, Topalli tha se miratimi i ligjeve me shumicë të cilësuar ka qenë dhe do të mbetet një ndër pikat kryesore në axhendën e reformave edhe gjatë këtij sesioni të ri. “Së bashku ne, pavarësisht bindjeve politike, duhet ta çojmë vendin drejt BE-së, sepse qytetarët shqiptarë, me votën e tyre të lirë dhe demokratike, na kanë besuar këtë mision të shenjtë. Ne i detyrohemi shqiptarëve 3 sekonda për të miratuar 3 ligje të rëndësishëm për ta. 3 sekonda për të ngritur kartonin jeshil, për të hequr bllokimin e statusit dhe për ta bërë ëndrrën realitet”, theksoi kryetarja e Kuvendit. Ajo theksoi se me miratimin e këtyre ligjeve, që janë i vetmi kusht për marrjen e statusit, nuk ka asnjë palë të humbur, por ka vetëm një palë që fiton dhe ata janë shqiptarët. Duke iu referuar zgjedhjeve të 23 qershorit kryetarja e Kuvendit theksoi se me kodin e ri elektoral ne hedhim hapa të sigurt drejt një procesi zgjedhor të lirë e demokratik. “Sigurisht, që në një proces zgjedhor do të ketë dhe ripërtëritje në radhët e deputetëve”, nënvizoi ajo