Berisha: Fqinjët tanë të çlirohen nga frika dhe doktrinat antishqiptare
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë paradite, në Konferencën ndërkombëtare Fqinjët e Shqipërisë, të organizuar në Tiranë nga Programi i Universitetit Columbia për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut dhe nga Qendra për Studimet Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në Washington. Kjo konferencë mbështetet nga Bashkia e Tiranës dhe Fondacioni Vëllezërit Rockfeller, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Bashkëkohore në Tiranë.
Berisha e vlerësoi konferencën duke thënë se prej vitesh ka pasur hezitime për dialogje të tilla, pasi ekzistonte frika nga shqiptarët.
Vite me radhë, ka pasur një ndrojtje, ka pasur një hezitim, ka pasur një dyshim, për dialogun ndër-shqiptar, për bashkëpunimin ndër-shqiptar. Të gjitha këto qëndrime kanë qenë të frymëzuara nga një dhe vetëm një faktor; frika nga shqiptarët. Vite më parë, një Fondacion amerikan bëri një punë të shkëlqyer dhe znj.Livia Plaks, Presidente e Projektit për Marrëdhënie Etnike, që sot është këtu mes nesh, organizoi një seri me ëorkshop-e dhe seminare me temë; Shqiptarët dhe fqinjët e tyre, saqë zgjoi një xhelozi te fqinjët se përse tema ishte shqiptarët dhe fqinjët e tyre. Por këto ishin realitetet. Dhe unë besoj se Livia duhet të jetë shumë krenare për kontributin që dha dhe veprimtaritë e pareshtura që organizoi, tha Berisha.
Organizimi i këtij bisedimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse shqiptarët, duhet pranuar, vijnë në këtë 100 vjetor si një komb, pa diskutim, aktualisht të lirë kudo që ata janë. Kjo përbën arritjen më të madhe historike të tyre. Vijnë si një komb i cili, në momentet kritike të ekzistencës së tij, nga Lidhja e Prizrenit deri në ditët e sotme, ka ditur, me instinktin e tij të qytetëruar, të qëndrojë së bashku, të rezistojë së bashku. Këto janë 2 nga arritjet më të mëdha, më historike të këtij kombi. Por a janë shqiptarët një komb i ndarë dhe a duhet të punojnë me intensitet për të superuar ndasitë e tyre? Kjo është e domosdoshme. Mbi kombin, 1 shekull kanë vepruar padrejtësi ndër më të mëdhatë historike ndaj shqiptarëve, mbi kombin, si përçarës, kanë vepruar diktaturat më të egra të historisë së Evropës e njerëzimit, vijoi kryeministri.
Berisha solli edhe një shembull nga fëmijëria e tij.
Për të ilustruar këtë do tju jap një shembull nga fëmijëria ime e hershme, në të cilën unë përjetova para syve të mi një nga skenat më tragjike të jetës sime. Diku në Alpe, në një mëngjes të kristaltë, kur isha nxënës i klasës së dytë a të tretë, po lexoja një libër dhe befas dëgjoj breshëri të pandërprera kallashnikovi. Shoh poshtë dhe vërej një bari, një djalë të ri që vraponte në një rrugë gjarpëruese dhe ushtarët shqiptarë, me kallashnikov sovjetik, qëllonin mbi të, për ta ekzekutuar për fajin e vetëm se këtij djaloshi i kishin kaluar delet përtej kufirit dhe ai kishte kaluar për të marrë delet e tij, por ushtarët e kishin ndalua dhe e kishin zbritur te posta. Në mëngjes, ai vendos të arratiset, të shpëtojë.
E dhashë këtë shembull për të ilustruar se sa e fortë ka qenë ndarja që imponoi diktatura komuniste në Shqipëri. Kjo diktaturë dhe perdja e hekurt thelloi ndarjen më tej, në kuptimin që lidhjet mes trevave shqiptare mbetën vetëm ato të infrastrukturës, e ndërtuar në kohën e perandorisë austro-hungareze, që ishte një infrastrukturë tërësisht rudimentare, tha Berisha.
Në fund kryeministri Sali Berisha bëri thirrje që fqinjët të çlirohen nga doktrinat antishqiptare.
Arritjet e shqiptarëve janë madhore dhe historike, por përsëri, ka mbetur rrugë për tu bërë dhe, përshkrimi i kësaj rruge, i kësaj miljeje drejt BE-së, ka një rëndësi shumë të madhe. Përshkrimi i kësaj rruge drejt NATO-s për Kosovën, Maqedoninë e Malin e Zi, ka një rëndësi të madhe për çdo shqiptar. Sikundër, dua të theksoj se është e një rëndësie shumë të madhe çlirimi i fqinjëve tanë nga doktrinat e vjetra raciste, ksenofobiste, antishqiptare. Ato skena që pamë gjatë zgjedhjeve në Serbi, në Preshevë, ishin të ngjashme me skenën që unë kisha parë në vitet 50, të ngjashme me ekspeditat që organizonte Millosheviçi kundër shqiptarëve, të bazuara fund e krye në frikën dhe urrejtjen ndaj tyre, tha Berisha.
